Deputetja e PS-së Valentina Leskaj duke komentuar projektbuxhetin e vitit 2015 u shpreh se ky buxhet i jep prioritet reformave të munguara në 8 vitet e fundit.
“Ky është buxheti i parë që vë në provë jo vetëm vullnetin politik për reforma, po një qasje të re në zhvillimin e vendit e më së pari administrimin e parave publike.
Në fakt ky buxhet adreson nevojën për reforma që i kanë munguar vendit në tetë vitet e fundit.
Ky buxhet rrit të ardhurat duke i çuar ato në nivelin më të lartë të 23 viteve, në 27.8 % të PBB.
Leskaj tha se i gjithë debati bëhet për shpenzimet publike dhe për mënyrën sesi shpenzohen paratë publike.
Fokusimi i investimeve kryesisht te sektorët prioritarë synon shkëputjen nga kultura e buxheteve elektorale me copa rrugësh e objektesh të lëna rrugëve; synon ndarjen nga kultura e buxheteve klienteliste pse jo nga kultura tribale e krahinore, që ka bërë të humbasin miliona nga gjaku e djersa e njerëzve”.
Leskaj ka radhitur edhe prioritetet që mbështet ky buxhet, të cilat sipas saj janë kryesisht në arsim dhe shëndetësi, dhe integrimin kombëtar drejt rrugës për në BE.
Ky buxhet i mbështet Integrimin si proritet kombëtar jo vetëm për Ministrinëe Integrimit po për 5 prioritetet kyce të BE.
Mbështet arsimin, me një rritje që në shifër absolute është gati sa ajo e tre vjetëve e marrë së bashku.
Rrit fondet për shëndetësinë, madje më shumë se rritja e përgjithshme e buxhetit, i cili rritet 4% ndërkohë që shëndetsia me 6%
Ky buxhet e rrit buxhetin e mirqenies sociale dhe këtu nuk është fjala për ca para më shumë po me ambicien për të reformuar sistemin më të rriskuar, atë të pensioneve dhe nxitjen e punësimit e uljen e informalitetit.
Ky buxhet sjell ndryshim cilësor në bujqësi duke i dhënë vëmendjen që i ka munguar më shumë se gjysmës së popullsisë që jeton në fshat.
Buxheti i vitit 2015 synon zgjerimin dhe eficencën e skemave të mbështetjes së fermerëve, përmirësimin e infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit, formalizimin e sektorit të peshkimit.
Paketa bujqësia i jep fermerëve frymëmarrje e mundësi të jenë kompetitiv në treg.
Dhe natyrish rritja e konsoliduar e shpenzimeve për sigurinë është cilësi jete për njerëzit dhe eficencë në ekonomi gjithashtu.
Leskaj më tutje theksoi se arsimi dhe shëndetësia kanë nevojë për më shumë mbështetje nga qeveria
“Edhe pse arsimi ka patur një mbështetje të qartë nga qeveria dhe vet Kryeministri, që nga dita e parë, buxheti i arsimit në raport me PBB, mbetet në nivelin e rreth 2.8% ?
Beteja jonë ka qenë që arsimi të arrijë të paktën në 5% të PBB, që Shqipëria të dalë nga situate e analfabetizmit funksional, nga ajo e shkollave pa dyer e dritare, që na kanë lënë, që sistemi para universitar të hyjë realisht në programet e digitalizimit e që arsimi i lartë të jetë ai që na duhet.
Natyrisht angazhimi nuk ka qenë për një vit, po me këtë ecuri rrezikojmë përmbushjen e angazhimit tonë, brenda mandatit.
Këtë vit shëndetsia ben hapin e parë drejt mbulimit universal, që fillon me kontrollin pa pagesë të grupmoshës 40 -65 vjec, ndërkohë mendoj se duhet t’i jepet më shumë mbështetje politikave e shërbimeve të kujdesit shëndetësor parësor, kalimi drejt konceptit të OBSH për shëndetin publik të orientuar te shëndeti jo te sëmundja”- theksoi deputetja e PS në foltoren e kuvendit sa i përket projektbuxhetit të viti 2015. /j.h
Arsimi drejtohet vetem nga militante dhe shumica te paafte. Financoje sa te duash nese eshte ky drejtin i shpenzon kot. Shoqa deputete kerko qe nga drejtuesit e cerdheve dhe der te me te lartet ne arsim te nxjerrin CV ne internet ne institucionet qe drejtone , pastaj shto buxhetin. Arsimi eshte ne kete dite me shume prej politikes dhe drejtimit te gabuar sesa per buxhetin. Jane e ardhmja e Shqipersie e dashur deputete dhe ka per t’ju rene ne koke e keqja qe po mbillni.Boll me survejime, provokime apo dhe njerez te ”besuar”se na i shpifet me primitivitetin tuaj.