Një protestë pa kauzë përballë një qeverie pa opozitë

24 Nëntor 2014, 19:20Politika TEMA
Një protestë pa kauzë përballë një qeverie pa

Nga Gjergj Erebara, BIRN

 

Për të mposhtur presionin për demokraci të brendshme, opozitat shqiptare zgjedhin gjithmonë politikën e konfliktit, ku protestat shërbejnë për të treguar se sa të fuqishëm janë udhëheqësit, por jo kauzat.

Në vitin 2010, në një banderolë të varur në Bulevardin Dëshmorët e Kombit shkruhej: O Sali, na ke zhyt në varfëri! Dukej si një slogan i zakonshëm propagandistik në këto lloj rastesh. Poshtë tij, Partia Socialiste kishte ngritur çadra dhe kishte hyrë në një grevë urie. Por në darkën e asaj dite, poshtë banderolave, deputetët socialistë dhe mbështetësit e tyre parkuan makinat e luksit duke krijuar një situatë kontradiktore. Poshtë tabelës që ankohej për varfëri duke përdorur rimën, gjendeshin ndoshta 1 milionë euro makina që i përkisnin njerëzve, përgjithësisht obezë, në grevë urie.

Më 22 nëntor 2014, Partia Demokratike doli në protestë. Sloganet e protestës qenë po aq bajate. Njëri prej tyre shkruante: “O Ramë, na le në qiell të hapur”. Një tjetër thoshte: “Stop pabarazisë ligjore”. Një tjetër, “Stop rritjes së çmimeve”. Një tjetër: “0 subvencione për fermerët”, ose “Stop bllokimit të punës në industrinë e ndërtimit”.

Në të dyja protestat, atë të 2010 dhe atë të 2014, organizatorët u kujdesën të tregonin se përfaqësonin vuajtjet e të gjithë shqiptarëve, duke u shtirur sikur parullat qenë shkruar nga qytete të ndryshme.

Hipokrizia është therëse në të dyja rastet. Opozita qe pa kauzë më 2010, dhe është pa kauzë sot. Rrjedhimisht opozita e sotme, njësoj si opozita e djeshme, përpiqet të gjejë slogane apo të sajojë çështje. Në disa raste, opozita përpiqet të vjedhë kauzat e të tjerëve ndërsa në shumicën e rasteve, çështjet e ngritura prej saj as nuk përbëjnë kauzë. Dhe në mungesë të kauzave reale, opozita e sotme, ashtu si edhe opozita e djeshme, po përpiqet të grabisë kauzat e të tjerëve. Studentëve u ofrohet “aleancë” nga Partia Demokratike dhe e njëjta gjë i ofrohet edhe 70 familjeve të Selitës në Tiranë, të cilat rrezikojnë të mbeten pa strehë si pasojë e nxitimit të qeverisë për të ndërtuar një segment të unazës së re para zgjedhjeve të ardhshme për pushtet vendor. Sikur tenderi për ndërtimin e Unazës së Re të qe bërë në rregull, (dhe tenderi u bë nga qeveria e djeshme dhe opozita e sotme), ka gjasa që buxheti i shtetit do të kishte kursyer para të mjaftueshme për të ndërtuar qindra shtëpi sociale.

Opozita, përmes kontrollit mbi Bashkinë e Tiranës është njëkohësisht përgjegjëse për këtë situatë absurde. Aktualisht ka plot 385 apartamente të reja të ndërtuara si apartamente sociale, në zonën e Ali Demit, të cilat janë tërësisht bosh. Një dreq e merr vesh se pse këto apartamente, të ndërtuara me paratë e taksapaguesve, vijojnë të mbeten bosh dhe pa strehuar asnjë të pastrehë, tashmë prej pesë vjetësh.

Megjithatë, e vetmja politikë që opozitat dijnë të bëjnë, është ajo e konfliktit.

Politika e konfliktit e ndjekur nga opozitat është pjesë e problemeve të tyre të brendshme. Koncepti demokraci brenda partive kryesore në vend është krejtësisht i huaj. Garat e brendshme janë të manipuluara rëndshëm. Udhëheqësit e partive parapëlqejnë të mbledhin rreth vetes njerëz shumë më të paaftë se vetja për të mos patur kurrfarë konkurrence. Kur vjen puna për të dalë në zgjedhje, konkurrenca është mes krerëve të partive dhe jo vetë partive. Mungesa e demokracisë së brendshme nëpër partitë politike shqiptare ka vendosur standarde të ulëta për atë që konvencionalisht duhet të njihet si lidership.

Politika e vazhdueshme e konfliktit politik ndiqet në këto raste vetëm me synimin për të mbajtur nën kontroll partitë e veta, pavarësisht se sa të dobët dhe jobindës janë krerët e partive.

Politika e konfliktit kërkon të tregosh forcën edhe pse forca nuk shërben për asgjë. Greva e urisë dhe mitingjet e vitit 2010 vështirë se i dhanë ndonjë gjë Partisë Socialiste. Protesta e të shtunës së 22 nëntorit 2014, vështirë se do t’i japë ndonjë gjë konkrete Partisë Demokratike. Por që të dyja i shërbyen liderëve për t’i mbushur mendjen militantëve të vet se janë “të fortë”.

Kjo e gjitha sjell problemin që, procesi i politikëbërjes, pra i grumbullimit të informacionit, i kristalizimit të ideve dhe qëndrimeve, i argumentimit të këtyre qëndrimeve para anëtarëve, mbështetësve, simpatizantëve apo qytetarëve pa përkatësi politike kthehet në një banalitet. Banaliteti përpiqet të mënjanohet me idenë e liderit të fortë, gjasme të zemëruar, që ka arsye për të ulëritur për kauza që në fakt, nuk ekzistojnë.

Nuk është se mund të pritet gjë tjetër. Një klasë politike që është tërësisht e barabartë për nga uria për të vjedhur, për nga dëshira për të mashtruar dhe nga të qenit të pacipë në shfrytëzimin e njerëzve hallexhinj thjesht për përfitime politike, vështirë se mund të bëjë më shumë se kaq.

Pavarësisht se të dyja palët janë në thelb njësoj, ajo që Partia Demokratike dhe kryetari i saj Lulzim Basha duhet të bëjë, është të mos guxojë t’i afrohet kërkesave dhe shqetësimeve të vërteta politike të disa grupimeve jopartiake që kanë dalë në protesta së fundmi. Bën mirë që të qëndrojë larg studentëve të lëvizjes Për Universitetin dhe akoma më larg aktivistëve të grupimeve të tjera që po përpiqen të luftojnë për të drejtat minimale bazë, ato të strehimit apo të ndihmës ekonomike.

Shkurt, meqë Basha nuk është në gjendje të bëjë opozitë reale në këtë vend që ka nevojë akute për opozitë, bën mirë që mos bezdisë të tjerët duke dërguar mercenarët e vet në çdo protestë. Në fund, protestat janë për qytetarët. Mitingjet partiake janë për militantët.

9 komente në “Një protestë pa kauzë përballë një qeverie pa opozitë”

  1. ermir says:

    Gafat qe po ben opozita
    si dhe qendrimi i gjate si opozite http://bit.do/gabimet-e-opozites

  2. andromeda says:

    Nejse, Gjergji, ti mirë e ke për opozitën e sotme që s’ka as kauzë as ide dhe kapet pas pakënaqësive të grupeve shoqërore të ndryshme, por krahasimi me protestat e 2010 nuk vlen se janë në kontekste të ndryshme. Dhe diferenca qëndron tek berishizmi si ves i ndyrë në qeverisje dhe kudo, një ves që polli njëmijë e një të zeza që po i vuajmë ende sot.

  3. Arber Drenova says:

    Gjergj ja ke fut kot.Te gjithe gazetaret po bejne opoziten e opozites dhe kjo eshte nje fatkeqesi per mediat dhe per Shqiperine.Populli nuk doli ne proteste per te mbeshtetete opoziten, megjithese kreu i saj nje gje ka thene me vend se Edi Rama eshte barre per Shqiperine.Po ti Gjergj ne fakt nuk e ndjen, as ti as shoket si ti qe i lepiheni qeverise

    1. Hito says:

      Ja tani Arber me nje mbiemer te ri dhe e ka me edin se kur ishte i vogel nuk i pelqente filmat me partizane. Kokeboshe!

    2. black_lion says:

      Jo more Arber, je ti ai qe ja fut kot!
      Edhe une jam kunder rritjes se taksave apo energjise elektrike dhe mendoj qe cdo “aksion” i qeverise aktuale eshte vetem per fasade promocionale ose ankand. Per kete jam gati te protestoj, por nuk mund te rreshtohem kurren e kurres perkrah atyre qe kane vrare e kane vjedhur per pushtet, apo perkrah atyre qe deri dje kane bere evazion fiskal apo kane vjedhur energji. Ata qe dolen ne proteste te shtunen nuk jane si une. 50% e tyre dolen qe mos t’i hiqte PD nga puna, 35% dolen sepse duan te vazhdojne evazionin dhe vjedhjen e energjise dhe 15% qe me te vertete nuk kapin dot fundin e muajit. Duhet thene gjithashtu qe keta te fundit jane nje shtrese “e pashkolluar” qe mendojne realisht se do i zgjidhe ndonje problem dalja ne proteste, pa marre parasysh (ose pa e kuptuar) qe jane perkrah vrasesve dhe hajduteve.

  4. serafini says:

    Te reshtohesh ne protesten qe ka organizuar nje parti normal qe do te thote se mbeshtet ate.protestat jo politike realizohen jashte politikes partiake.

  5. faro says:

    Mos genje se je gazetar. Protesta e PS ishte per hapjen e kutive te votimit ku ishte vjedhur edhe vota tende mor pseudogazetar. Nuk te kundershtoj per deputete barkaluq e me benza. Te tille ka edhe sot. Por ty si gazetar duhet te te vras ndergjegja te kontribuosh, jo minimalisht por fuqishem te pakten per te ngritur zerin per gazetarin e klanit qe u godit nga kryeministria dhe u percmua nga pronari i medjas se vet ato dite. Apo ty s’mund te ndodh keshtu se je mesuar t’u lepihesh pronareve qe te japin rrogen. Ke edhe mbiemrin er-bar, pra ere e mire qe sherben per kurim, se bar i thone shqip ilacit. Nderoje mbiemrin qe trashegon or qenie e perulur!

  6. Romi Bregut Lumit says:

    “O Rame na le ne qiell t hapur” qe mund te lexohet:o Rame na le pa qire lol

  7. era says:

    E gjitha c’ke shkruar pavaresisht se ka disa te verteta te shumezohet me zero dhe perfundimi- zero.

    Gabimi yt i madh si gazetar qe duhet te jesh i vertete dhe i ndershem ne radhe te pare me veten, eshte se ve shenje barazimi midis dy protestave qe nuk kane asnje gje te perbashket me perjashtim te makinave te shtrenjta dhe te njerzve obeze.

    Nuk eshte e lehte te jesh GAZETAR ne nje shtet te kapur nga mafia te pakten 8 vjetet e sal-serbit. Por per fat te keq, inercia qenka e madhe. Per kete gje, po ke prapanica, shkruaj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje