Hakmarrja për vrasjen e të birit, prokuroria kërkon 50 vite bug për Jetmir Llanin dhe të vëllain

26 Nëntor 2014, 16:11Kronika TEMA

Prokuroria ka kërkuar dënimin me 50 vjet burg për vëllezërit Jetmir dhe Muharrem Llani.

Ata akuzohen se kanë vrarë shtetasin Arjan Shkreta, ndërkohë që plagosën rëndë vëllain e tij, Leli Shkreta.

Ngjarja ndodhi dy vite më parë dhe motivi i saj ka qenë vrasja e djalit të mitur të Jetmir Llanit, nga fisi Shkreta.

Nga një njoftimi i Prokurorisë thuhet se “në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, i cili është zhvilluar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, Prokuroria e Kurbinit kërkoi shpalljen fajtor të dy të pandehurve për vrasjen e shtetasit Arjan Shkreta, dhe vrasjen e mbetur në tentativë të shtetasit Leli Shkreta, (viktimat vëllezër me njëri-tjetrin), ngjarje e cila ka ndodhur në datë 04.11.2012 në fshatin Fushë-Mamurras, të Rrethit Kurbin”.

Sipas prokurorisë, “nga hetimi, gjatë të cilit shtetasi Jetmir Llani është gjykuar në masë sigurie “arrest me burg” dhe shtetasi Muharrem Llani me masën e sigurisë “arrest me burg”, në mungesë, Prokuroria ka krijuar bindjen e plotë se këta dy persona janë autorë të vrasjes së shtetasit Arjan Shkreta dhe vrasjes së mbetur në tentativë të shtetasit Leli Shkreta, i cili ka mbetur i plagosur rëndë nga goditjet me armë zjarri automatik nga ana e vëllezërve Llani.

Shtetasi Leli Shkreta, në momentin e ngjarjes, ka arritur të shpëtojë, ndonëse i plagosur rëndë, pasi është shtirur si i vdekur deri në momentin e largimit të agresorëve nga vendi i ngjarjes.

Sipas hetimit, rezulton se motivi i krimit është gjakmarrja dhe hakmarrja, pasi ndërmjet familjeve Llani dhe Shkreta kishte hasmëri, të nisura rreth 6 muaj para se të ndodhte kjo ngjarje.

Në ngjarjen e mëparshme, më saktësisht në dt.05.06.2012, dyshohet se shtetasit Altin dhe Alban Shkreta, vëllezër të viktimës Arjan Shkreta dhe të të dëmtuarit Leli Shkreta, kanë qëlluar ndaj disa anëtarëve të familjes Llani, në të cilën ka mbetur i vdekur djali i mitur i të të pandehurit Jetmir Llani.

Për këtë vrasje, po në Gjykatën e Tiranë, është në process gjykimi ndaj shtetasve Altin dhe Alban Shkreta, të cilët akuzohen për “vrasje në rrethana të tjera cilësuese”

Nga hetimi ka rezultuar se të pandehurit në procesin gjyqësor për të cilën sot janë dhënë konkluzionet e prokurorisë, pra Jetmir Llani dhe Muharrem Llani, janë përgatitur më parë, për kryerjen e vrasjes së shtetasve Arian dhe Leli Shkreta, për motive gjakmarrje”.

Tashmë pritet dhënia e vendimit nga ana e gjykatës./b.l

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje