Romë/ Tahiri takon Alfanon, bashkëpunim më i ngushtë mes dy vendeve për luftën kundër krimit

1 Dhjetor 2014, 16:39Kronika TEMA

Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri është takuar sot në mesditë në Romë me Ministrin e Brendshëm italian, Angelino Alfano, me të cilin ka biseduar për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh në luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme dhe terrorizmit.

Takimi i sotëm i dy ministrave vjen pas atij të zhvilluar në muajin qershor të këtij viti, pak përpara nisjes së operacionit kombëtar antikanabis, ku u asgjesuan mbi 500 mijë rrënjë bimë narkotike dhe mbi 100 ton hashash.

Ministri Tahiri e informoi homologun italian për rezultatet e operacionit dhe gjeti rastin për t’a falenderuar në mënyrë të drejpërdrejtë për ndihmën e rëndësishme që dha shteti Italian në këtë operacion, nëpërmjet mbështetjes me avionët e Guardia di Finanza.

Ministri Tahiri e ka njohur ministrin Alfano edhe me angazhimin serioz të Shqipërisë në luftën kundër terrorizmit. Ai ka theksuar se Policia e Shtetit e ka vendosur në prioritetet e punës së saj luftën kundër terrorizmit. Në funksion të kësaj lufte, në Policinë e Shtetit është krijuar një Drejtori e posaçme me rreth 100 specialistë që do të merren me çështjet kundër terrorizmit.

Ministri Tahiri theksoi domosdoshmërinë për shkëmbim informacioni dhe koordinim më të mirë në përpjekjen e përbashkët ndërmjet vendeve të rajonit dhe partnerëve të BE në luftën kundër terrorizmit.

Ministri Alfano nga ana e tij përgëzoi homologun shqiptar, duke shprehur konsideratën e lartë për rezultatet e Policisë së Shtetit në luftën kundër drogës. Ai e siguroi ministrin Tahiri për mbështetjen e pakursyer të Italisë ndaj Shqipërisë dhe po ashtu garantoi se bashkëpunimi dypalësh ka për të qenë më i ngushtë, tanimë që vendi ka fituar edhe statusin e kandidatit për në BE.

2 komente në “Romë/ Tahiri takon Alfanon, bashkëpunim më i ngushtë mes dy vendeve për luftën kundër krimit”

  1. flutra says:

    Nje nga ministrat me te mire te Rilindjes.

  2. Shqip says:

    Po’ cte duhet Alfano o bythe lepires filoni kapni njerezit ne kerkim dhe behet kollaj qetesia .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje