Fluturojnë çmimet e energjisë elektrike të importit

2 Dhjetor 2014, 10:51Ekonomia TEMA

Nga Gjergj Erebara, BIRN

 

Çmimet me të cilat Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike OSHEE blen energji nga importi pësuan një rritje të ndjeshme gjatë muajit dhjetor duke arritur pikën më të lartë këtë vit pavarësisht se çmimet e energjisë në tërësi në botë kanë pësuar rënie të ndjeshme gjatë muajit të fundit.

Sipas rezultateve të tenderit të fundit për blerjen e energjisë nga OSHEE, çmimi mesatar për muajin dhjetor arriti në 57 euro për MWH duke u rritur me 6.7 për qind në krahasim me nëntorin dhe me 20 për qind në krahasim me shtatorin 2014.

Në total OSHEE do të paguajë 14 milionë euro për energjinë e blerë me tender për dhjetorin. Siç ka ndodhur përgjatë të gjithë këtij viti, dy kompani, EFT A.G dhe GSA sh.p.k, fituan sëbashku 77 për qind të kontratave të OSHEE për dhjetorin. Ky qe tenderi i dytë më i madh që nga muaji mars për nga vlera financiare dhe shuma e energjisë së blerë ndërsa çmimi mesatar i blerjes prej 57 eurosh qe më i larti prej shumë kohësh.

Për periudhën nga marsi i këtij viti deri në dhjetor, OSHEE ka shpenzuar në total afro 105 milionë euro për të blerë rreth 2 miliardë kWh energji elektrike me një çmim mesatar prej 51.7 euro për MWh.

Përgjatë të gjithë vitit, kompania EFT A.G ka dominuar tregun duke fituar në tenderët e çdo muaji dhe duke kontrolluar 55 për qind të tenderëve. Në vend të dytë renditet kompania shqiptare GSA sh.p.k me 23.6 për qind të tregut ndërsa kompanitë e tjera duket se janë mjaftuar me shuma më të vogla.

Tenderët për blerjen e energjisë elektrike nga OSHEE janë akuzuar si tenderë të manipuluar nga kompania GEN-I Tirana e cila ka dorëzuar edhe dy ankesa zyrtare te Autoriteti i Konkurrencës, të cilat u bënë publike nga BIRN.

Në ankesën e 18 shtatorit, GEN-I thotë se “OSHEE i ka siguruar përfitime të jashtëligjshme operatorëve të tregut – EFT dhe GSA – duke kryer të njëjtat shkelje ligjore siç janë përmendur në ankimin e mëparshëm, duke bërë të mundur që EFT dhe GSA të harmonizonin ofertat e tyre (në lidhje me çmimin/sasinë), mbi bazën e shkëmbimit në mënyrë të paligjshme me këta operatorë të të dhënave konfidenciale mbi ofertat e fundit dhe më të mira, të paraqitura nga operatorët e tjerë, ndër to dhe ofertat e GEN-I Tirana Sh.p.k.”

Ankesa thotë se tenderët e OSHEE u manipuluan përmes dy metodave kryesore, të cilat u alternuan në muaj të ndryshëm.

Metoda e parë përfshinte vendosjen e ofertave nga EFT dhe GSA, të cilat qenë vetëm pak cent të euros më të ulëta si çmime për MWh se sa ofertat e GEN-I Tirana, duke bërë të mundur eliminimin e konkurrencës.

Metoda e dytë e GSA dhe EFT përfshinte hedhjen e ofertave që qenë shumë më të larta se sa çmimet e tregut në raste ku kishte konkurrentë të tjerë, të tillë si GEN-I Tirana, që po konkurronin për të furnizuar sasi të vogla energjie në krahasim me kërkesat e OSHEE.

Autoriteti i Konkurrencës vendosi në muajin nëntor t’i kërkojë Entit Rregullator të Energjisë dhe OSHEE të rishikojnë metodën e prokurimit të energjisë elektrike duke kërkuar më shumë transparencë në tenderë.

“Komisioni i Konkurrencës ka rekomanduar të rishikohet vendimi 30, datë 23.3.2001 i ERE-s duke specifikuar që pranimi, vlerësimi dhe negocimi i ofertave të kryhet në prani të ofertuesve duke rritur në këtë mënyrë besueshmërinë e procesit dhe konkurrencën ndërmjet ofruesve dhe duke hapur tregun dhe lejuar të gjithë aktorët e tregut (edhe prodhuesit vendas të energjisë) të marrin pjesë në procedurat e tenderit duke e bërë në këtë mënyrë më konkurrues procesin,” tha Autoriteti i Konkurrencës në një njoftim për shtyp më 7 nëntor 2014.

Metoda e dyshimtë e tenderit

Aktualisht OSHEE blen energji elektrike duke hapur një tender dhe duke pranuar oferta fillestare. Pasi merr ofertat fillestare fillon negocimin veçmas me konkurrentët dhe në përfundim të procesit të negocimit, i cili është sekret, shpall fituesit. GEN-I Tirana argumenton në ankesën e saj dorëzuar te Autoriteti i Konkurrencës se ka arsye për të besuar se OSHEE ka bashkëpunuar dhe bashkërenduar ofertat me dy fituesit e zakonshëm të tenderëve, EFT A.G dhe GSA. Të pyetur nga BIRN për këto akuza, EFT nuk pranoi të përgjigjej ndërsa GSA hodhi poshtë pretendimet e konkurrentit. OSHEE nuk pranoi të përgjigjej, por i përballur në emisionin Opinion në Televizionin Klan me këto fakte tetorin e kaluar, drejtori i OSHEE, Arben Seferi, pretendoi që BIRN ka ‘gënjyer’ në raportimin e tij dhe se Autoriteti i Konkurrencës e “kishte mbyllur hetimin” ndaj operatorit të shpërndarjes së energjisë elektrike. Pak javë pas këtij pretendimi, Autoriteti i Konkurrencës njoftoi hapjen e hetimeve të thelluara në këtë sektor dhe porositjen e OSHEE dhe Entit Rregullator të ndërmarrin masa urgjente për të rivendosur konkurrencën në tregun e importit të energjisë elektrike, një treg që vetëm për tenderët e OSHEE i kushton taksapaguesve dhe konsumatorëve mbi 100 milionë euro.

Më 1 dhjetor 2014, Ministria e Energjisë dhe Industrisë njoftoi se z. Seferi ka dhënë dorëheqjen si administrator i OSHEE “për arsye personale”.

Autoriteti i Konkurrencës sugjeron që formula e tenderit me negocim të fshehtë pas dorëzimit të ofertave duhet të ndryshohet, duke i hapur ofertat në prani të konkurrentëve dhe duke përdorur metodën e emetimit të bonove të thesarit të zbatuar nga ana e Bankës së Shqipërisë. Te bonot e thesarit, ofertat hapen pa negocime pas kuintave dhe pranohen duke filluar nga oferta më e ulët deri te më e larta deri sa plotësohet kuota e kërkuar.

9 komente në “Fluturojnë çmimet e energjisë elektrike të importit”

  1. al paci says:

    Ju kujtohet ai qe filmoj veten duke ber paxare se sa perqint do mirte, Dritan prifti quhej per te fituar tendret firmat serbe 1 e 200 mij euro i dhan dhe energjija ne ate koh blihej me 48 euro. Kta te rilindjes do ta ken rritur pazarin e bakshishit nga ajo ja futen popullit me 57 euro. Me keto euro qe blihet energjija cdo vit ishte ndertuar hidrocentrali i kalivacit dhe ishte mbyllur problemi energjitik ne shqiperi. Po politikanet nuk duan se nuk do ket me tendera dhe nuk ka ku te fitojn me bakshishe te majme. Ah sa kemi per te vuajtur ne fukarenjte me keta hajduta

  2. altin says:

    Te kete lidhje me arsyet e doreheqjes se drejtorit te OSHEE, ne momentin kur i duheshe me shume korporates ???

  3. Avni says:

    Ore jam kurioz ketyre HEC-eve Shqiptare pse kerkoj t’ja u ule cmimin. Le t’ja u bleje atyre me 40 Euro dhe shpeton nga blerja e importimi. Apo importi kerkon tendera dhe keta fryjne xhepat. Vdekshin te gjithe

    1. Dori says:

      HEC-eve shqiptare ia ulen cmimin sepse e kishin me te larte se sa importi. Energjia nga HEC-et shqiptare blihej 5 here me shtrenjte se sa energjia e prodhuar nga KESH. Kot sa per info meqe pyete

    2. Epirioti II says:

      Avni, nuk merzitesh po te ta sqaroje une.

      – HEC-ve lokale u blihet i gjithe prodhimi 100%. Ato qe jane sot ne pune (se me te medhajat jane akoma ne ndertim) te gjitha se bashku nuk prodhojne dot energji sa per 1 muaj konsum ne vit.

      – Cmimi i blerjes se energjise nga keto HEC-e nuk eshte konstant, por ndyshon nga HEC-i ne HEC sipas kontrates koncensionare qe kane patur dhe rishikimet nga ERE (e kote te te kujtohej qe letrat jane bere ne kohen e Berishes dhe kontratat kane qene shume te favorshme per HEC-et.

      – Ne shume HEC-e cmimi qe i blihet energjia eshte me i larte se ai i importit. Pra financiarisht per OSHEE i levedis ta bleje nga importi. Por mqs duhet ruajtur biznesi vendas e blen 100% prodhimin e HEC-e, pastaj diferencen e blen ne import.

      – Ulja e cmimit blerjes nga HEC-et lokale nuk do ndikoje fare ne import, por vetem ne koston mesatare te energjise elektrike per OSHEE dhe rrjedhimisht ne cmimin qe e blejme ne shtepi une dhe ti.

      Sa per punen e abuzimit 100 milion EURO me tenderat e importit, nuk kam ndonje informacion te them a eshte i vertete, pjeserisht i vertete apo aspak i vertete.

      Por di te them qe ne tendera luhen gjithmone interesa private te medhaja dhe korrupsioni eshte mik shepie, por edhe qe ky Gjergj Erebaba i BIRN shkrimet investigative per energjine i ka shume te dobta, me fakte gjysem te verteta dhe me logjike spekulative.

  4. ahahaha rilindja e mero bazes ahahaha.po ty mero sa lek te japin .

  5. tiku says:

    KETU behen shume pislleqe mendoj,blihet shtrenjte energjia duke bere mareveshje korruptive me kompani te huaja ku mund te ndahet dhe disa para,qeveria duhet te nxise prodhimin e energjise ne vend nga hidrocentralet,ku hidrocentrali I SKAVICES do zgjidhte shume pune.

  6. leka says:

    Megjithese Erebara njihet si njeri qe ka gjykimin e tij per cdo problem dhe kerkon te bej sencasion ne publik p,or nga te dhenat del se kemi te bejme me nje korrupsion te paster me miliona dollar, per vet faktin se ofertat duhet te hapen diten qe vendoset, ne sy te gjithe tenderuesve.Ministri Gjiknuri duhet te skjaroj publikun per disa ceshtje qe jane shtruar ne rrjetet sociale dhe qe jane korrupsion I gjalle i qeverise Berisha per sa I perket Hid.Kalivacit dhe TEC-it te Vlores.Cfar masash jane marre kur kurva Banka Boterore I hoqi nga goja 100 milion dollar shqiptareve per TEC-in. E fundit ne rast se Qeveria e kaluar ka firmosur koncesionet e hidrocentralevet per blerjen e energjise me lart se tregu te paditet ai qe firmosi, se sot eshte Eno bozo dhe Forian Mima qe duhet ter ishin ne burg per vjedhje te pasurive publike dhe bertasin me shume.Me gjithe respektin per ministrin Gjiknuri ai ka te drejte se bashku me drejtuesit e OSHE,OST dhe KESH te informojne publikun se cfar po ndodh ne sistemin energjitik duke mbajtur keshtu premtimin elektoral per transparence.Ato 500 milion qe thote PD duhet te ishin skjaruar nga qeveria e meparshme pse nuk e zhvilloi arbitrazhin me CEZ-in kur kishte plot 2 vjet kohe dhe llapin sot ,dhe kjo eshte e metye e ministrit Gjiknuri qe te padiste ato qe e shkaktuan kete dem.

  7. enver uruci(eft) says:

    a ka mundesi mos na cani trapin ju te gjithe se kam 15 vjet qe i fitoj tenderat dhe skam lene politkan shqiptar djathtas – majtas

    ,nacionalist,proserb,progrek,proamerikan,pa korruptuar.

    I am the best of the best oh yeahhhhhhhhhhhhhhhhhhhhhhhh

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje