Ligjet miratojnë ndryshimet në Kodin Penal/ Dy deri në 8 vjet burg kush ndërton pa leje

16 Dhjetor 2014, 12:19Politika TEMA

Komisioni parlamentar i Ligjeve zyrtarizon ndryshimet në Kodin Penal përsa i takon dënimit të personave që ndërtojnë pa leje.

Projektligji me vetëm dy nene,  propozon disa ndryshime në Kodin Penal, që synojnë ashpërsimin e dënimeve ndaj personave që cënojnë regjimin juridik të tokës. Propozimi i qeverisë për këtë vepër penale parashikon që në çdo rast ndëshkimi të jetë vetëm me burg, duke hequr mundësinë e aplikimit të dënimit me gjobë.

“Ndërtimi apo punimi, i kryer pa leje, në shkelje të lejes ose në kushtet e një lejeje të shfuqizuar dhe në tokë të vet, dënohet me burgim deri në një vit. Po kjo vepër, e kryer për qëllime fitimi, në tokën publike ose shtetërore apo në tokën e tjetrit, dënohet me burgim nga dy deri në tetë vjet.

Dispozitat e këtij neni zbatohen sipas rastit edhe ndaj pronarit të ndërtimit, sipërmarrësit, mbikëqyrësit dhe zbatuesit të punimeve”, thuhet në nenin 2 të këtij pr/ligji, që parashikon riformulimin e nenit 199 të Kodit Penal.

Gjithashtu, këto masa ndëshkuese propozohet që të shqyrtohen nga një trupë me 3 gjyqtarë, ndryshe nga sa ndodh deri më sot që merren në shqyrtim nga një gjyqtar i vetëm. Kjo do të minimizonte mundësitë për të ndikuar në masën e dënimit.

E veçanta e propozimeve nga qeveria konsiston dhe në faktin e ndëshkimit për herë të parë të gjithë zinxhirit të personave që mundësojnë kryerjen e një ndërtimi të paligjshëm, në sajë të financimit, të aftësive intelektuale apo të tjera specifike që duhen për të ekzekutuar një ndërtim a punim.

NDRYSHIMET E PROPOZUARA NË KODIN PENAL

NENI 1

Në kreun III, “Vepra penale kundër pasurisë dhe në sferën ekonomike”, emërtimi i seksionit XI, “Vepra penale që cenojnë regjimin juridik të tokës”, ndryshohet dhe zëvendësohet me “Vepra penale që cenojnë regjimin juridik të tokës dhe të ndërtimeve”.

NENI 2

Neni 199/a ndryshohet, si më poshtë vijon:

Neni 199/a

Ndërtim i paligjshëmNdërtimi apo punimi i kryer pa leje, në shkelje të lejes ose në kushtet e një lejeje të shfuqizuar dhe në tokë të vet, dënohet me burgim deri në një vit.

Po kjo vepër, e kryer për qëllime fitimi, në tokën publike ose shtetërore apo në tokën e tjetrit, dënohet me burgim nga dy

deri në tetë vjet. Dispozitat e këtij neni zbatohen sipas rastit edhe ndaj pronarit të ndërtimit, sipërmarrësit, mbikëqyrësit dhe zbatuesit të punimeve.

NENI 3

Ky ligj hyn në fuqi 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”. /gj.k/

2 komente në “Ligjet miratojnë ndryshimet në Kodin Penal/ Dy deri në 8 vjet burg kush ndërton pa leje”

  1. Arjon says:

    OK shume dakort me kete ligj (qe si rregull do kete fuqi prapavepruese), por vendit duhet fillimisht nje ligj qe te shbeje katrahuren aktuale. shembull: une qe jam pronar i nje toke dhe qe disponoj cdo leter te prones (pervec prones qe me eshte pushtuar), ne momentin qe kryej ne denoncim ne polici duke paraqitur pretendimin dhe dokumentacionin, shteti te nderhyje e te ma liroje ne menyre te menjehereshme pronen duke nxjerre jashte ivazorin (mundesisht dhe ta procedoje dhe penalisht). Kjo do te ishte drejtesi. Ska pse duhen komisione kompesimesh nga leket e taksapaguesve kur eshte me e thjeshte te qerrohen halabaket qe kane vjedhur tokat qe nuk i perkasin.

  2. mondi says:

    Eshte normale qe cdo shkelje ligjore duhet denuar sipas K.Penal ne fuqi,por shume vepra penale qe sot rendom jane duke u ashpersuar nuk ndihmojne vendosjen e ligjit,por perkundrazi ato po e thellojne krizen. Taksapaguesit shqiptare paguajne sot per nje te burgosur 780$,ne muaj qe asnje nepunes i shtetit nuk e marr ate rroge, ne vend qe ai shkeles ta paguaje me gjobe ose me denime alternative si pune e detyruar e forma te tjera, pse te futet ne burg ku ky ka nje kosto shum te kushtueshme. Tjeter si mundet qe nje qytetar te ndertoje banesen e tij pa u zbuluar nga ato organe ligjzbatuese qe e kane per detyre nje gje te tiile,shteti duhet te ule dhe taksat e ndertimit sidomos per lejet e ndertimit per banese te pakten per ata qe ndertojne mrenda rregullave e ne token e tyre.Keto denime kane zevendesuar axhitacionin e propoganden e dikurshme,ne nje vend qe burgjet mbushen plot nuk mund te jete shtet i qytetareve dhe kurr nuk mund te krenohesh me statistika te denuarish me kete tregon se je i pafuqishem te besh as nje gje per qytetaret e tu,tregon ekonomine edobet te nje vendi qe nuk ben perpjekje per zhvillim,nuk duhet harruar dhe nje gje qe njerezit kane lindur perpara shtetit, keshtu qe prioritet duhet te kene ata,sepse ne kete vend jane bere shum gjera qe shteti e ka patur per detyre qe te mos ndodhin.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje