Prokuroria e Gjirokastrës përfundoi hetimet për lazaratasit e përfshirë në prodhim dhe kultivim të kanabisit, por edhe në kundërshtim të forcave të policisë duke përdorur armët luftarake.
Dosja do të ketë 38 persona të pandehur. 27 prej të pandehurve janë të akuzuar pas identifikimit që ju bë në ndërhyrjen policore të qeshorit të këtij viti, raporton TCH.
11 prej tyre kanë edhe akuzat e organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime të paligjshme dhe të kundërshtimit të forcave të policisë në bashkëpunim, ngjarje kjo e ndodhur në tetor 2014.
11 prej të pandehurve u hetuan ndërsa ishin të arrestuar, 17 që janë në kërkim dhe ishin vlerësuar me masën e sigurisë arrest me burg, 1 në arrest shtëpie, ndërsa 9 të tjerë në gjendje të lirë.
Duke i shtuar edhe 18 të akuzuarit e dosjes së parë të dërguar për gjykim në tetor të këtij viti, numri në total shkon në 55. Por, Prokuroria bën me dije se këta nuk do të jenë të pandehurit e fundit. Një grup tjetër personash është duke u hetuar dhe do të dërgohet së shpejti për gjykim.
Të akuzuarit rrezikojnë dënime të ashpra duke ditur se akuzat e ngritura janë ndër më të rëndat si “prodhimi dhe shitja e narkotikëve, “kultivimi i bimëve narkotike”; “prodhimi dhe mbajtja e armëve luftarake”, “organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime të paligjshme”,“kundërshtim i forcave të policisë në bashkëpunim” dhe “shkatërrim i pronës”.
KAQ PAK ne gjithe ate det krimi ,,,,,,,!