Komisioni i posaçëm parlamentar për Reformën në Drejtësi ka zhvilluar mbledhjen e parë të konstituimit në prani edhe të Kryetarit të Kuvendit Ilir Meta.
Kryeparlamentari tha se sot sistemi i drejtësisë është në fokusin e të gjithëve, ndaj shpresoj që për këtë të kontribuojnë të gjitha palët politike.
Sistemi i drejtësisë është në fokusin e të gjithëve dhe shpresojmë të arrijmë atë që kërkohet.
Shpresoj të japin kontribut edhe deputetët e opozitës. Kuvendi është institucioni më gjithëpërfshirës për kryerjen e kësaj reforme.
I bëj thirrje opozitës të jetë pjesë e kësaj reforme, për të gjetur zgjidhje të qëndrueshëm. Roli i ekspertëve të huaj dhe vendas do të bëjë që të kemi një reformë në drejtësi jashtë interesave politike.
Synojmë një reformë që të jetë sa më gjithëpërfshirëse me profesionistë të fushës dhe opinionin publik, të japin opinion. Ky është një ndryshim i domosdoshëm për vendin”, tha Meta.
Sipas tij, puna e komisionit do të nxjerrë në pah problematikën e sistemit dhe në fund do të përpilojë një dokument strategjik me dakordësinë e të gjithëve dhe që do të jetë konform stadardeve euro-atlantike.
“Përmes këtij komisioni rruga drejt integrimit në Bashkimit Europian pasurohet edhe me një indikator të ri, siç do të jetë dokumenti strategjik, ku do të përcaktohen me pëlqimin e të gjitha palëve objektivat afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë”, u shpreh Meta, duke ritheksuar rëndësinë e pjesëmarrjes së opozitës në Kuvend
Deputeti i LSI-së Spartak Braho kërkoi që të bëhet pjesë e Komisionit edhe Presidenca.
Por, Kreu i Komisionit Fatmir Xhafaj tha se në vendimin e këtij komisioni është parashikuar që të jenë edhe përfaqësues nga presidenca dhe se i takon atyre tashmë të përfshihen apo jo.
Xhafaj tha se Komisioni i Ligjeve, institucionet e drejtësisë si Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Gjykata e Lartë, Shkolla e Magjistraturësm Dhoma e Avokatisë dhe Prokuroria do të dërgojnë emrat e ekspertëve që do të kenë rol të vecantë në këtë reformën së bashku me ekspertët e huaj.
“Do të kërkojmë asistencën e Komisionit të Venecias, OPDAT-it, Komisionit Evropian. OSBE-së, ambasadës së SHBA-ve dhe asaj britanike”, tha Xhafaj
I miratuar më 27 nëntor me një vendim të Kuvendit, komisioni ka objekt të veprimtarisë së tij analizimin e gjendjes aktuale të sistemit të drejtësisë, me qëllim evidentimin e problematikave, si dhe diskutimin gjithëpërfshirës të tyre me institucionet e sistemit të drejtësisë.
Komisioni do të propozojë për miratim një pakete të plotë projektligjesh të nevojshme për reformimin e legjislacionit, që rregullon organizimin dhe funksionimin e institucioneve të drejtësisë, përfshirë ato kushtetuese, e hartuar me kontributin dhe mbështetjen e institucioneve të sistemit të drejtësisë, ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë, subjekteve të tjera të interesuara dhe opinionit publik.
Komisioni përbëhet nga 11 anëtarë, nga të cilët 6 janë përfaqësues të shumicës parlamentare Fatmir Xhafaj (PS), kryetar; Armando Subashi(PS) sekretar; Pandeli Majko (PS) anëtar; Vasilika Hysi (PS) anëtare; Ulsi Manja (PS) anëtar dhe Spartak Braho (LSI) anëtar, si dhe 5 përfaqësues të pakicës parlamentare (3 PD, 1 PR dhe 1 PDIU), të cilët pritet t’i bashkohen punës së komisionit.
Veprimtaria e tij do të jetë me një afat kohor 6-mujor, ndërsa pranë tij do të funksionojë dhe një grup i ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë, me praninë e përfaqësuesve të misioneve ndërkombëtare që asistojnë drejtësinë shqiptare si misioni EURALIUS, OPDAT-i, Komisioni i Venecias, i Prezencës së OSBE-së dhe misioneve të asistencës për çështjet e drejtësisë të përfaqësive diplomatike në Tiranë etj. /gj.k/