Paloka: Rikthimi në Kuvend, jo vendosje paqeje me Qeverinë

24 Dhjetor 2014, 13:04Politika TEMA

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike Edi Paloka e konsideroi rikthimin e opozitës në Kuvend jo si një vendosje e paqeje mes palëve.

Në fjalën e mbajtur në seancën parlamentare, e fundit për sesionin, Paloka tha se  marrëveshja e arritur falë ndërmjetësimit të ndërkombëtarëve, është në interes të qytetarëve shqiptarë dhe demokracisë në vend, por nuk do të thotë një vendosje e paqes mes mazhorancës dhe opozitës.

Sipas tij, bojkoti erdhi si shkak i një zgjedhje të detyruar nga arroganca e qeverisë, ndërsa shtoi se marrëveshja e arritur në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, nuk u bë për shkak të ndonjë lëmoshe ndaj opozitës për të mos djegur mandatet, por si një domosdoshmëri për të shpëtuar politikën shqiptare.

Paloka i bëri apel mazhorancës të respektojë rezolutën, për të ruajtur rolin e Parlamentit si një tempull i demokracisë dhe lirive e të drejtave të qytetarëve shqiptarë, ndërsa shtoi se Qeveria e ka mbyllur ciklin e saj dhe duhet të iki në shtëpi.

“Po rikthehemi me kokën lart se ja kemi arritur qëllimit dhe kërkesat tona që nuk janë në interes vetëm të PD por të gjithë qytetarëve.

Rikthehemi me vullnetin që ky Parlament të jetë tempulli i demokracisë, lirisë dhe të drejtave të qytetarëve.

Bojkoti u bë zgjedhje e detyruar, pasi ky parlament duke mos zbatuar detyrimet e tij, u shkelën të drejtat e qytetarëve. Dhuna ndaj opozitës ishte vetëm akti i fundit, ku vazhdimisht shkelej kushtetuta, dhe nuk zbatoheshin as vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Një parlament ku dënohej i agresuari njësoj me agresorin. Ne nuk vumë kushte, as kërkuam favore nga mazhoranca, por vetëm që kjo mazhorancë të mos bënte sikur nuk e dinte çka kërkonte opozita, të shprehte me vullnet në qartë se nuk do të shkelë të drejtat e opozitës, dhe se do të heqë dorë nga arroganca e një shumicë absolute në Kuvend.

Bojkoti sado i padëshiruar nga ne tërhoqi vëmendjen e ndërkombëtarëve, dhe i dhanë vlerësimet e duhura, dhe këmbëngulja e tyre solli përgatitjen dhe votimin e rezolutës që do të bëjmë në Kuvend. Shpresojmë që votimi i kësaj rezolute të realizojë qëllimin që kemi, dhe që imponuan largimin tonë nga parlamenti.

Ne duam që demokracia të funksionojë në këtë vend, prandaj ne urojmë që edhe mazhoranca ta marrë me seriozitet zbatimin e kësaj rezolute.

Ne e dimë se marrëveshjet respektohen kur të gjitha palët janë të interesuara. Ne shpresojmë që kjo marrëveshje e fundit të qëndrojë se është jo vetëm në interes të qytetarëve, por edhe në interes të palëve politike.

Kush sheh më larg se hunda e tij politike do ta kuptojë. Nëse e sheh thjesht si kortezi ndaj partnerëve aq më keq. Nëse ndonjëri e sheh si një favor që iu bë opozitës për të mos djegur mandatet gabon shumë rëndë.

Ne besojmë se kjo marrëveshje është në interes të gjitha palëve politike në Shqipëri, për ta shpëtuar politikën nga zhytja totale e llumit dhe korrupsionit. Kjo është në të mirën e atyre që janë largpamës, që nuk e duan të jetë siç është sot.

Shpresojmë duke besuar që kjo marrëveshje të sjellë realisht një ndryshim në politikën shqiptare dhe për këtë duhet vetëm vullneti i mazhorancës. 

Kjo nuk është pakt paqeje mes nesh dhe mazhorancës. Për ne dhe për qytetarët shqiptarët, kjo qeveri që po shkatërron jetën e shqiptarëve e ka mbyllur ciklin e saj dhe duhet të ikë në shtëpi.

Duke falënderuar të gjithë qytetarët iu garantojmë se interesi i tyre është vetëm i tyri, dhe do të jemi në parlament për të mbrojtur deri në fund këtë interes” tha Paloka. /gj.k/

2 komente në “Paloka: Rikthimi në Kuvend, jo vendosje paqeje me Qeverinë”

  1. dentisti says:

    Paloka me kete qe bete sot treguat fytyren e vertete te opozites . Plehraaaa

  2. ymeri says:

    e gjithe pyetje qe bejme eshte a do e rrahin serisht Strazimirin apo jo
    http://bit.do/a-do-rrihet-serisht-me-grushta-Strazimiri

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje