Procesi i absorbimit të studentëve për vitin akademik 2014-2015 ka shkuar drejt fundit, por Ministria e Arsimit dhe Sporteve ka vendosur të ofrojë dhe një raund shtesë për të gjithë studentët e IAL-ve të mbylluara gjatë verës së vitit 2014, duke shtyrë afatet e regjistrimit të tyre në IAL-të publike dhe private deri më datën 9 janar 2015. Siç e ka pranuar dhe vetë kryeministri Rama, nga 11 mijë studentë që pritej të zhvendoseshin nga universitetet e mbyllura vetëm rreth 3 mijë kërkesa janë bërë për regjistrim gjithsej, kështu që ky raund i ri u jep mundësinë pjesës tjetër për të transferuar studimet në universitetet publike dhe private. Po si e kanë pritur këtë udhëzim të ri universitetet dhe çfarë do të thotë për ta ky afat i ri? Gazeta Panorama ka biseduar me Rektorin e UET-it, Prof. Dr. Tonin Gjuraj, i cili sqaron se është një mundësi e re për disa studentë dhe i sugjeron MAS që të jetë më fleksibël dhe e hapur sidomos përsa i përket regjistrimeve në studimet Master.
Si e keni pritur udhëzimin e fundit të ministrisë së Arsimit dhe Sporteve për shtyrjen e afatit të regjistrimit për gjithë ata studentë qe do të transferojnë studimet nga universitetet e mbyllura në verë të këtij viti?
E kemi pritur normalisht. Ne procesin e kemi përfunduar në 31 dhjetor të 2014 kemi dorëzuar në ministrinë e Arsimit dhe Sporteve listën e plotë me studentët e regjistruar për vitin akademik 2014-2015 në dy ciklet e studimeve në Bachelor dhe Master, përfshi këtu dhe dosjet e veçanta, të studiuara mirë në përputhje me udhëzimet përkatëse, të studetëve që kanë ardhur me transferim studimesh nga IAL-të e mbyllura. Ky është një udhëzim shtesë që shtyn regjistrimin deri më datë 9 janar 2015 për të dorëzuar në më pas deri më datë 13 janar 2015 në dokumentet në AKP vetëm për studentët që vijnë nga IAL-të e mbylluar. Ky afat i ri i jep mundësinë ndonjë studenti që vjen nga IAL-të e mbylluara që për arsye të ndryshme nuk është regjistruar deri më tani. Tani me këtë afat të ri i është dhënë një mundësi qoftë në universitetet publike qoftë në ato private. Ne po i shikojmë të gjitha kërkesat individuale brenda këtij afati. Dosjet e tyre vlerësohen nga komisionet e ngrityra me vendim të senatit që në muajin gusht dhe mbështetur në udhëzimet përkatëse të ministrisë ata do të regjistrihen në programet përkatëse.
Por duhet thënë që ky është një numër i vogël studentësh që preken nga ky udhëzim i ri. Sepse në tërësi ata që kanë pasur probleme dhe kanë ardhur nga IAL-të e mbyllura i janë përgjigjur afateve më herët dhe ne kemi dhënë gjithë ndihmën e nevojshme për regjistrimin e tyre. Ne kemi qënë në anën e studentëve, siç kemi deklaruar, por duke u mbështetur tek situata ligjore e programeve nëse ishin apo jo të licensuara apo të akredituara. Por duhet të pranojmë se suksesi i Universitetit Europian të Tiranës deri tani në pranimin e 1868 studentëve këtë vit në dy ciklet e studimit, nuk ka të bëjë aq me numrin e studentëve që vijnë nga IAL-të e mbyllura.
Është krijuar perceptimi se nga mbyllja e universiteteve në verë pati një lumë studentësh që erdhën në dyert e universiteteve të tjera private që kaluan testin e ligjshmërisë…në fakt sa e vërtetë është kjo, sa është numri i transferimeve tek ju?
Duhet të theksoj se është një perceptim i gabuar . Ne në Universitetin Europian të Tiranës kemi 1868 studentë që janë regjistruar këtë vit dhe e vërteta është se kemi një numër më të vogël transferimesh nga vitet e tjera kur universitetet nuk ishim mbyllur apo pezulluar. Kjo do të thotë se pjesa më e madhe e studentëve të rinj, mbi 1600 kanë si një zgjedhje të qartë UET-in në të gjitha programet dhe fakultetet dhe ne këtë konsiderojmë sukses të regjistrimeve për këtë vit . Ndërsa përsa i përket shifrave, ne kemi vetëm 192 studentë që vijnë nga IAL-të e mbyllura, një numër që është më i vogël se sa transferimet normale të viteve të kaluara, kur shifra ishte mbi 200 studentë. Por dua të shtoj se ne kemi qenë shumë rigoroz edhe në përzgjedhjen e tyre në përputhje me kriteret që kishte vendosur në udhëzimet e saj ministria. Në këtë kuadër është rritur numri i studentëve me mesatare të lartë që vijnë në UET, çka për ne do të thotë se po kontribuohet në ardhjen e studentëve cilësorë.
Kryeministri Rama ka pranuar se nga 11 mijë studentë që duhet të zhvendoseshin nga IAL-të e mbyllura, vetëm 2800 paraqitën kërkesën për zhvendosje, si do ti komentonit këto shifra?
Këto shifra tregojnë në fakt fallsitetin që ka pasur në sistemin e arsimit të lartë. Pra nëse u fol për 11 mijë studentë që u preken nga mbyllja e disa institucioneve të arsimti të lartë apo pezullimi i disa universitete dhe janë regjistruar vetëm 2800 studentë, kjo do të thotë se kishte shumë fiktivitet në sistem. Ku është numri i studentëve që ngelet? Nuk është i vërtetë apo kanë qenë emra- pseudoemra studentësh që kanë qenë në letër por s’kanë qenë kurrë aktiv? Ky është një numër shumë i madh, por tregon fiktivitetin e sistemit deri para verifikimit të ligjshmërisë. Gjithsesi raundi i ri i vendosur nga ministria për tranferimet i jep mundësinë atyre studentëve që për arsye të ndryshme skanë mundur të bëjnë kërkesën për regjistrim që të vazhdojnë shkollimin e tyre.
Si ka qenë komunikimi juaj me ministrinë, a ka pasur vështirësi dhe çfarë do ti sugjeronit ministrisë për procesin në vazhdim?
Kuadri rregullator ka qenë shumë rigoroz nga ministria dhe ne jemi përpjekur ta shikojmë ço dosje mbështetur në udhëzimet që kishin të bënin me IAL-të e mbyllura, por duhet të theksoj se ka pasur një lloj hiperrregullimi në këtë drejtim. Kjo nuk është gjë e keqe, por në mënyrë që sistemi të jetë më i hapur, të jetë më fleksibël, dhe pastaj që ministria abasolutisht të ketë të drejtën të monitorojë tërë procesin e regjistrimeve ne sugjerojmë që për semestrin e dytë të këtij viti dhe në vitet akademike në vazhdim të ketë sfleksibilitet, sidomos për ciklin e dytë të regjistrimeve, pra studimet master.
Ministria duhet të krijojë mundësinë për regjistrimin në semestrin e dytë të studentëve dhe janë vetë institucionet pastaj që organizohen në orare dhe në raport me numrin e studentëve dhe programeve për tu krijuar atyre mundësinë që të vijojnë studimet e semestrit.
Pra kërkojmë që koncepti për vitin akademik për ciklin e dytë të jetë më i hapur. Ka pasur bisedime e kemi shtruar si problem me përfaqësues të ministrisë dhe ata e kanë marrë parasysh dhe jemi në pritje të udhëzimeve të reja për sa i përket kësaj situate. Por akoma nuk ka një udhëzim për semestrin e dytë. Gjithsesi ne e mirëkuptojmë ministrinë sepse atje ka një ngarkesë të madhe pasi ky vit ishte unikal përsa i përket zhvillimeve, kritere të lighmërisë, por jemi të sigurt që ministria në bashkëpunim me IAL-të private dhe shtetërore do të gjejë një mënyrë sa më të mirë për të akomoduar studentët dhe për të ofruar një lloj fleksibiliteti në afatet e regjistrimeve.