Një punonjëse e postës në komunën Novoselë, Vlorë, është kallëzuar penalisht nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore për shpërdorim detyre dhe vjedhjen e shpërblimit të Vitit të Ri që qeveria akordoi në dhjetor për veteranët.
Punonjësja e postës në fshatin Delisuf, Nadire Lako, ka rezultuar se nuk i ka dhënë të plotë shpërblimin prej 5.000 lekësh, por vetëm 2.000 lekë, një pensionisti veteran i cili kishte shkuar të tërhiqte shumën në filialin e postës. I indinjuar nga ky veprim, qytetari është ankuar menjëherë pranë zyrës së Kryeministrit, duke shpjeguar se ka marrë vetëm 2.000 lekë nga shpërblimi, dhe jo 5.000 lekë, pa firmosur asnjë dokument.
Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka nisur menjëherë verifikimin e rastit në fjalë, duke dalë në përfundimin se shpërblimi është tërhequr në shumën 5.000 lekë. Në vend të firmës qe vendosur vetëm mbishkrimi me emrin e qytetarit.
Më herët MMSR u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkëpunojnë dhe të denoncojnë pa hezitim çdo rast abuziv apo korrupsioni./j.h