Qeveria miraton vendimin për kontributet e detyrueshme dhe përfitimet nga sistemi i sigurimeve shoqërore dhe sigurimi i kujdesit shëndetësor.
Kategoritë e personave të mbrojtur dhe të detyruar për t’u siguruar
Konsiderohen të mbrojtur dhe përfitojnë të ardhura e shërbime nga sistemi i sigurimeve shoqërore dhe sigurimi i kujdesit shëndetësor në Republikën e Shqipërisë:
1. Personat që zhvillojnë aktivitet ekonomik dhe kanë plotësuar moshën e punës, sipas përcaktimeve në Kodin e Punës, si më poshtë vijon:
a) Të punësuarit me mandat kushtetues, të punësuarit e emëruar, të punësuarit me kontratë pune pa afat ose me afat më shumë se një muaj, që punojnë me kohë të plotë ose të pjesshme, për 87 (tetëdhjetë e shtatë) orë në muaj e më shumë, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme, por jo më pak se niveli minimal, për degën e sigurimit të sëmundjeve, të barrëlindjes, të pensioneve, të aksidenteve në punë e sëmundjeve profesionale, të papunësisë dhe për sigurimin e kujdesit shëndetësor;
b) Të punësuarit me kontratë pune me ose pa afat, që punojnë me kohë të pjesshme, që zgjat më pak se 87 (tetëdhjetë e shtatë) orë në muaj, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme, por jo më pak se niveli minimal, për degën e barrëlindjes, pensioneve, aksidenteve në punë e sëmundjeve profesionale dhe për sigurimin e kujdesit shëndetësor;
c) Të punësuarit me kontratë pune, me kohë të plotë ose të pjesshme ditore, që zgjat më pak se 7 (shtatë) ditë kalendarike radhazi në vit, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme për degën e aksidenteve në punë e sëmundjeve profesionale dhe për sigurimin e kujdesit shëndetësor;
ç) Pronarët e personave juridikë, që ushtrojnë funksione drejtuese në shoqëri, si administratorë apo çdo funksion tjetër, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme, sipas përcaktimeve në shkronjat “a”, “b” dhe “c”, të pikës 1, të këtij vendimi;
d) Të vetëpunësuarit me statusin e personit fizik, që ushtrojnë veprimtari ekonomike, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme, jo më pak se niveli minimal, për degën e barrëlindjes, pensioneve dhe për sigurimin e kujdesit shëndetësor;
dh) Pjesëtarët e familjes, që punojnë e bashkëjetojnë ligjërisht me të vetëpunësuarin, person fizik, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme, jo më pak se niveli minimal, për degën e barrëlindjes, pensioneve dhe për sigurimin e kujdesit shëndetësor;
e) Personat fizikë, të vetëpunësuar në veprimtari tregtare apo shërbimi, ambulantë, që kanë mbushur moshën 16 vjeç, që nuk janë të siguruar si punëmarrës ose si të vetëpunësuar në veprimtari ekonomike të vijueshme, që paguajnë kontribute të detyrueshme për degën e pensioneve dhe për sigurimin e kujdesit shëndetësor. Si persona të vetëpunësuar në veprimtari tregtare apo shërbimi dhe ambulantë konsiderohen personat që vetëpunësohen në veprimtari:
i. të përkohshme e të vijueshme, por pa një vendqëndrim apo shërbim të përcaktuar;
ii. të përkohshme e me ndërprerje gjatë javës, por pa një vendqëndrim apo shërbim të përcaktuar;
iii. të vijueshme, në veprimtari tregtare në tezga, pa vendqëndrim të përhershëm ose në mjete që lëvizin;
iv. të vijueshme, në veprimtari transporti, me ndërprerje gjatë javës.
ë) Personat e punësuar, që punojnë me kohë të plotë apo të pjesshme pune, si punëtorë shtëpie në familjet e të tjerëve, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme për degën e pensioneve dhe për sigurimin e kujdesit shëndetësor. Konsiderohen “punëtorë shtëpie” personat që punësohen nga kryefamiljari, në punë të tilla si, kujdestar për fëmijët, kuzhinier, pastrues, roje-administrator shtëpie, asistent për të moshuarit, etj., apo edhe shërbime të ndryshme të kësaj natyre;
f) Nxënësit e shkollave të mesme apo profesionale, si edhe studentët, për kohën e programuar të praktikës mësimore dhe praktikave profesionale pa pagesë, për të cilët paguhen kontribute nga punëdhënësi, në nivelin minimal, vetëm për aksidentet në punë dhe sëmundjet profesionale, për aq kohë sa është përcaktuar në kontratën e lidhur ndërmjet subjektit dhe institucionit përgjegjës;
g) Personat e punësuar për herë të parë, në subjekte të cilat zhvillojnë aktivitete ekonomike sipas Regjimit të Përpunimit Aktiv (fason), për një peridhë deri në tre muaj të formimit profesional, për një profesion të caktuar, të kualifikuar, që sigurohen në mënyrë të detyrueshme, në nivel minimal, vetëm në degën e aksidenteve në punë dhe sëmundjeve profesionale, me kushtin që subjekti punëdhënës nuk përfiton financime nga programet e nxitjes së punësimit nëpërmjet formimit profesional;
gj) Personat e punësuar në dy ose më shumë subjekte juridike ose fizike, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme, për degën e sigurimit të sëmundjeve, barrëlindjes, pensioneve, aksidenteve në punë e sëmundjeve profesionale, papunësisë dhe për sigurimin e kujdesit shëndetësor;
h) Personi fizik që, njëkohësisht, zhvillon aktivitet ekonomik si anëtar i papaguar i familjes, si edhe anëtari i papaguar i familjes, që zhvillon aktivitet ekonomik në dy persona fizikë, me të cilët bashkëjeton, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme për degën e sigurimit të barrëlindjeve dhe pensioneve dhe për sigurimet e kujdesit shëndetësor;
i) Personat e punësuar për më shumë se 87 orë në muaj, në rast sëmundjeje ose kujdesjes për fëmijën në ngarkim, të vërtetuara me raport mjekësor për deri në 14 ditët e para, të cilët sigurohen në mënyrë të detyrueshme. Përllogaritja e kontributeve të sigurimeve shoqërore, të sigurimit të kujdesit shëndetësor, si dhe tatimi mbi të ardhurat nga punësimi, zbatohet njëlloj, ashtu si për të ardhurat nga puna, pavarësisht se mënyra e llogaritjes së tyre i referohet dispozitave të veçanta të Kodit të Punës;
j) Të vetëpunësuarit në bujqësi, të aftë për punë, që kanë mbushur moshën 16 vjeç, deri në moshën për pension, sipas nenit 92, të ligjit nr.7703, datë 11.5.1993, “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, kur:
i. nuk janë të siguruar nga punësimi në sektorë të tjerë, banojnë në të njëjtin rreth ku kanë tokën në pronësi ose në përdorim dhe zhvillojnë veprimtari bujqësore e blegtorale, që paguajnë kontribute në mënyrë të detyrueshme për barrëlindje, për pensione dhe për sigurimin e kujdesit shëndetësor;
ii. nuk janë të siguruar nga punësimi në sektorë të tjerë, banojnë në fshat dhe zhvillojnë veprimtari bujqësore e blegtorale, edhe nëse kanë tokë në pronësi ose në përdorim, me vendndodhje në rrethin fqinj, që paguajnë kontribute në mënyrë të detyrueshme për barrëlindje, për pensione dhe për sigurimin e kujdesit shëndetësor.
2. Personat me mandat kushtetues, të punësuarit e emëruar dhe personat e tjerë që trajtohen nga skemat e sigurimeve shoqërore suplementare, ushtarakët e Forcave të Armatosura, punonjësit e Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri, personat me tituj shkencorë, profesorë, asistentë profesorë, drejtues kërkimesh dhe mjeshtër kërkimesh, të cilët derdhin kontribut suplementar të detyrueshëm, për përfitimin e pensionit suplementar.
3. Personat e punësuar në miniera, në nëntokë, të cilët paguajnë kontribute të detyrueshme shtesë për degën e pensioneve.
4. Personat me banim të përhershëm në Shqipëri, me të ardhura të rregullta nga pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, të cilët paguajnë kontribute të detyrueshme vetëm për sigurimin e kujdesit shëndetësor. Në këtë rast, kontributi i detyrueshëm zbatohet vetëm kur personi me të ardhura të rregullta nga pronësia nuk ka sigurim tjetër të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor.
5. Të papunët, që përfitojnë pagesë papunësie për periudhën që trajtohen me këtë pagesë, për të cilët buxheti i shtetit derdh kontribute për degën e pensioneve dhe për barrëlindje.
6. Personat nën pagesë kalimtare apo pension të parakohshëm, sipas dispozitave të ligjeve nr.10142, datë 15.5.2009, “Për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve të Forcave të Armatosura, të punonjësve të Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe të Shpëtimit dhe punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, të ligjit nr.8097, datë 21.3.1996, “Për pensionet shtetërore suplementare të personave që kryejnë funksione kushtetuese dhe të punonjësve të shtetit”, ish-punonjësit që kanë punuar në miniera, në nëntokë, dhe ish-punonjësit e industrisë ushtarake, që përfitojnë trajtim financiar të veçantë, personat që u shërbejnë invalidëve paraplegjikë dhe tetraplegjikë dhe gratë, që dalin në pension për periudhën e kryerjes së arsimit të lartë, të cilët sigurohen, në mënyrë të detyrueshme, nga buxheti i shtetit, vetëm në degën e pensioneve.
7. Shtetasit e huaj dhe personat pa shtetësi, të punësuar, punëdhënës ose të vetëpunësuar në subjekte të regjistruara për efekte fiskale në Republikën e Shqipërisë, mbrohen dhe sigurohen, në mënyrë të detyrueshme, sipas përcaktimeve në pikën “1”, të këtij kreu.
8. Nga mbrojtja dhe sigurimi i detyrueshëm shoqëror përjashtohen shtetasit e huaj që:
a) punojnë në subjekte të huaja, të cilat, në bazë të një marrëveshjeje, nuk kanë detyrimin për t’u regjistruar në organet tatimore shqiptare;
b) janë të punësuar në subjekte të huaja, që nuk kanë detyrimin për t’u regjistruar në organet tatimore shqiptare, të cilët vijnë në Shqipëri të punojnë në një punë apo shërbim të kualifikuar, sipas një kontrate shërbimi, të lidhur me një subjekt të regjistruar në organet tatimore shqiptare, i cili nuk është degë apo njësi e subjektit kontraktor. Zgjatja e kohës së qëndrimit dhe shërbimit është sipas përcaktimeve në ligjin nr.108/2013 “Për të huajt”;
c) janë të punësuar në subjekte të huaja, të cilat nuk kanë detyrimin për t’u regjistruar në organet tatimore shqiptare, të cilët dërgohen në Shqipëri të punojnë në një punë apo shërbim të caktuar, sipas një kontrate të lidhur nga subjekti i huaj punëdhënës me një subjekt të regjistruar në organet tatimore shqiptare, i cili nuk është degë apo njësi e subjektit kontraktor, kur plotësohen kushtet, si më poshtë vijon:
i. Të ketë një marrëveshje për shmangien e taksimit të dyfishtë, të lidhur midis shtetit shqiptar dhe shtetit të subjektit punëdhënës të huaj;
ii. Procedura e regjistrimit, leja e punës dhe kohëzgjatja e saj të jenë kryer në përputhje me dispozitat e ligjit nr.108/2013 “Për të huajt”;
iii. Rezidenca dhe detyrimet për pagesë, sipas legjislacionit fiskal, të zbatohen sipas përcaktimeve në ligjin nr.9920, datë 9.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
iv. Subjekti kontraktues, i regjistruar në organet tatimore shqiptare, kërkon çdo 3 muaj, nga subjekti punëdhënës i huaj, dokument të konfirmuar nga strukturat e sigurimeve shoqërore të shtetit përkatës lidhur me pagesën e kontributeve të sigurimeve shoqërore, të shoqëruar me listën emërore të punonjësve të huaj, të cilën e administron së bashku me dokumentet e transfertave në favor të punëdhënësit të huaj.
ç) me rezidencë e banim të përhershëm jashtë territorit të Shqipërisë, të cilët kanë veprimtari të regjistruara në emrin e tyre në të dyja shtetet ku kryejnë detyrën e administratorit, së bashku me një administrator tjetër, me rezidencë të përhershme në Shqipëri. Në këtë rast, personat do të jenë subjekt i mbrojtjes dhe i sigurimit të detyrueshëm shoqëror në atë shtet ku kanë rezidencën dhe, njëkohësisht, të vërtetojnë me dokument mbrojtjen me sigurim shoqëror nga shteti përkatës. Rezidenca e ka kuptimin sipas përcaktimeve në ligjin nr.9920, datë 9.5.2008, “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar;
d) që janë të përjashtuar nga pagimi i kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe të sigurimit të kujdesit shëndetësor në Shqipëri, në bazë të një marrëveshjeje të lidhur midis shtetit të tyre me shtetin shqiptar.
9. Përjashtohen nga pagesa e kontributeve të detyrueshme të sigurimit të kujdesit shëndetësor personat ekonomikisht aktivë, që nuk janë me banim të përhershëm në Shqipëri, që janë të punësuar, të vetëpunësuar, punonjës të papaguar të familjes dhe personat me të ardhura të rregullta nga pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme dhe burime të tjera të krahasueshme.
Paga për efekt të llogaritjes së kontributeve
1. Paga bruto, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore e të kujdesit shëndetësor, është paga e caktuar sipas legjislacionit në fuqi, ose në kontratën e punës, sipas rastit, me kohë ose vëllim pune dhe shtesat e tjera, me karakter të përhershëm, që lindin nga marrëdhëniet e punës. Paga bruto evidentohet në listëpagesën tip, e cila është deklaratë për pagesë dhe dokumenti bazë për evidentimin e kontributeve individuale.
2. Në pagën bruto, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe sigurimin e kujdesit shëndetësor, nuk përfshihen:
a) përfitimet që punëmarrësi merr nga fondet e sigurimeve shoqërore;
b) kompensimet nga rritja e çmimeve;
c) dhuratat në të holla, që nuk kanë karakter të përhershëm dhe të përgjithshëm;
ç) të ardhurat nga detyrimi ushqimor, të caktuara me vendim gjykate;
d) vlera e antidoteve, që punëdhënësi jep në natyrë, për personat e punësuar, sipas legjislacionit në fuqi;
dh) shpërblimet me karakter jo të përhershëm, të lejuara në mbështetje të legjislacionit në fuqi, shpërblimet nga fondi i veçantë, për rastet e fatkeqësive në familje, për sëmundjet e gjata, për dëme, në raste fatkeqësish të mëdha natyrore, dhe për veprimtari të shquara;
e) vlera e shpenzimeve për të punësuarit, që kryejnë veprimtari jashtë qendrës së banimit, të cilat jepen bazuar në legjislacionin në fuqi dhe që nuk janë pjesë e pagës;
ë) honoraret apo shpërblimet e tjera të kësaj natyre, që nuk kanë lidhje me marrëdhëniet aktuale të punës.
3. Paga bruto mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimeve shoqërore, nga data 1.1.2015 e në vazhdim, të jetë, si më poshtë vijon:
a) jo më pak se sa paga minimale mujore, e barabartë me 22 000 (njëzet e dy mijë) lekë dhe deri në 97 030 (nëntëdhjetë e shtatë mijë e tridhjetë) lekë, për personat e punësuar;
b) jo më pak se sa paga minimale, e barabartë me 22 000 (njëzet e dy mijë) lekë dhe sipas përcaktimit të vetë personit, deri 97 030 (nëntëdhjetë e shtatë mijë e tridhjetë) lekë, për personat e vetëpunësuar;
c) e barabartë me pagën minimale mujore prej 22 000 (njëzet e dy mijë) lekësh, për punonjësit e papaguar të familjes.
4. Paga mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimit të kujdesit shëndetësor, nga data 1.1.2015 e në vazhdim, të jetë, si më poshtë vijon:
a) jo më pak se sa paga minimale, e barabartë me 22 000 (njëzet e dy mijë) lekë dhe deri në shumën e pagës bruto, sipas deklaratës së listëpagesës, për personat e punësuar;
b) sa dyfishi i pagës minimale, e barabartë me 44 000 (dyzet e katër mijë) lekë, për personat e vetëpunësuar dhe punonjësit e papaguar të familjes me të cilët i vetëpunësuari punon e bashkëjeton ligjërisht;
c) paga minimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimit të kujdesit shëndetësor, për personat e vetëpunësuar në bujqësi, është 4 620 (katër mijë e gjashtëqind e njëzet) lekë.
5. Paga mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve suplementare të detyrueshme, të jetë nga 22 000 (njëzet e dy mijë) lekë e deri në shumën e pagës bruto, sipas listëpagesës.
6. Paga mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve shtesë të punonjësve që punojnë në miniera, në nëntokë, është sipas pikës 3, të këtij kreu.
7. Paga mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të buxhetit të shtetit, për kohën e trajtimit me pagesë kalimtare apo pension të parakohshëm të personave që kryenin funksione kushtetuese apo si punonjës të lartë të shtetit dhe për ish-ushtarakët, punonjësit e Policisë së Shtetit, të Shërbimit Informativ, të Gardës së Republikës, të Policisë së Burgjeve e Mbrojtjes nga Zjarri dhe punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm është e barabartë me pagën referuese, sipas gradës dhe funksionit, në momentin e ndërprerjes së marrëdhënieve të punës.
8. Paga mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të buxhetit të shtetit për personat që përfitojnë pagesë papunësie, për ish-punonjësit që kanë punuar në miniera, në nëntokë, dhe ish-punonjësit e industrisë ushtarake, që përfitojnë trajtim financiar të veçantë, personat që u shërbejnë invalidëve paraplegjikë dhe tetraplegjikë dhe gratë që dalin në pension për periudhën e kryerjes së arsimit të lartë, është e barabartë me pagën minimale.
Llojet, shuma dhe shpërndarja e kontributeve
Llojet, shpërndarja sipas degëve e skemave të sigurimit dhe masa e kontributeve, nga data 1.1.2015 e në vazhdim, janë, si më poshtë:
1. Shuma minimale mujore e kontributeve i referohet pagës minimale dhe normës së kontributit. Kontributi minimal mujor, sipas degëve dhe skemave të sigurimit, është 6 138 (gjashtë mijë e njëqind e tridhjetë e tetë) lekë dhe ndahet, si më poshtë:
2. Shuma minimale mujore e kontributit të sigurimit të kujdesit shëndetësor për të vetëpunësuarit dhe punonjësit e papaguar të familjes, me përjashtim të të vetëpunësuarve në bujqësi, të jetë 3.4% e dyfishit të pagës minimale mujore, të përcaktuar për efekt të llogaritjes së kontributit të sigurimit të kujdesit shëndetësor, e barabartë me 1 496 (një mijë e katërqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekë.
3. Kontributi i detyrueshëm për të punësuarit me kontratë pune, që zgjat më shume se 87 orë në muaj, të jetë:
a) për sigurimet shoqërore, 24.5% të pagës bruto, sipas listëpagesës, ku pjesa e punëdhënësit të jetë 15.0% dhe pjesa e të punësuarit 9.5%, por jo më pak se paga minimale dhe jo më shumë se paga maksimale, e përcaktuar në këtë vendim, për efekt të llogaritjes së kontributeve shoqërore;
b) për sigurimin e kujdesit shëndetësor, 3.4% të pagës bruto, sipas listëpagesës, ku pjesa e punëdhënësit të jetë 1.7% dhe pjesa e të punësuarit 1.7%, por jo më pak se paga minimale, e përcaktuar në këtë vendim, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimit të kujdesit shëndetësor.
4. Kontributi i detyrueshëm për të punësuarit me kontratë pune, që zgjat më pak se 87 orë në muaj, të jetë:
a) për sigurimet shoqërore, 23.3% të pagës bruto, sipas listëpagesës, ku pjesa e punëdhënësit të jetë 13.9% dhe pjesa e të punësuarit 9.4%, por jo më pak se paga minimale dhe jo më shumë se paga maksimale, e përcaktuar në këtë vendim, për efekt të llogaritjes së kontributeve shoqërore;
b) për sigurimin e kujdesit shëndetësor, 3.4% të pagës bruto, sipas listëpagesës, ku pjesa e punëdhënësit të jetë 1.7% dhe pjesa e të punësuarit 1.7%, por jo më pak se paga minimale e përcaktuar në këtë vendim, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimit të kujdesit shëndetësor.
5. Kontributi i detyrueshëm, për të punësuarit me kontratë pune që zgjat më pak se 1 javë, të jetë:
a) për sigurimet shoqërore, 0.3% të pagës bruto, të realizuar gjatë ditëve të punës dhe përballohet nga punëdhënësi;
b) për sigurimin e kujdesit shëndetësor, 3.4% të pagës bruto, të realizuar gjatë ditëve të punës, ku pjesa e punëdhënësit të jetë 1.7% dhe pjesa e të punësuarit 1.7%.
6. I vetëpunësuari dhe i vetëpunësuari që punëson të tretë, me përjashtim të të vetëpunësuarit në bujqësi, të paguajë për vete një kontribut të detyrueshëm për sigurimet shoqërore, në masën 23% të pagës, por jo më pak se paga minimale mujore dhe sipas përcaktimit të vetë personit, deri në nivelin e pagës maksimale për efekt të kontributeve shoqërore.
7. I vetëpunësuari dhe i vetëpunësuari që punëson të tretë, me përjashtim të të vetëpunësuarit në bujqësi, të paguajë për vete një kontribut të detyrueshëm për sigurimin e kujdesit shëndetësor, në masën 3.4% të dyfishit të pagës minimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve, e barabartë me 1 496 (një mijë e katërqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekë në muaj.
8. I vetëpunësuari, për pjesëtarët e familjes së tij, që nuk trajtohen me pagë, por që punojnë e bashkëjetojnë me të ligjërisht, me përjashtim të të vetëpunësuarit në bujqësi, të paguajë kontribut të detyrueshëm për sigurimet shoqërore, në masën 23% të pagës mujore minimale prej 22 000 (njëzet e dy mijë) lekësh, e barabartë me 5 060 (pesë mijë e gjashtëdhjetë) lekë në muaj.
9. I vetëpunësuari, për pjesëtarët e familjes së tij, që nuk trajtohen me pagë, por që punojnë e bashkëjetojnë me të ligjërisht, me përjashtim të të vetëpunësuarit në bujqësi, të paguajë një kontribut të detyrueshëm për sigurimin e kujdesit shëndetësor, në masën 3.4% të dyfishit të pagës minimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve, e barabartë me 1 496 (një mijë e katërqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekë në muaj.
10. Personat mbi moshën 18 vjeç, me të ardhura të rregullta nga pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, qënuk kane sigurim tjetër të detyrueshëm të kujdesit shëndetësor, të paguajnë një kontribut të detyrueshëm për sigurimet shëndetësore, në masën 3.4% të dyfishit të pagës minimale mujore, e barabartë me 1 496 (një mijë e katërqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekë në muaj.
11. Kontributi i detyrueshëm për aksidente në punë dhe sëmundje profesionale, për kohën e formimit profesional, të personave të punësuar në subjekte që zhvillojnë veprimtari ekonomike sipas Regjimit të Përpunimit Aktiv (fason), të jetë 0.3% e pagës bruto minimale, e barabartë me 66 (gjashtëdhjetë e gjashtë) lekë në muaj dhe paguhet totalisht nga punëdhënësi.
12. Për nxënësit e shkollave, të mesme apo profesionale, dhe studentët, për kohën e programuar të praktikës mësimore, kontributi i detyrueshëm për aksidente në punë dhe sëmundje profesionale të jetë 0.3% e pagës bruto minimale, e barabartë me 66 (gjashtëdhjetë e gjashtë) lekë në muaj. Kontributet paguhen nga subjekti ku kryhet praktika dhe për aq kohë sa është përcaktuar në kontratën e lidhur ndërmjet tij dhe institucionit përgjegjës ose nga institucioni përgjegjës.
13. Personat e vetëpunësuar në veprimtari tregtare apo shërbimi, ambulante, të deklarojnë dhe të paguajnë kontribut minimal mujor në shumën 4 070 (katër mijë e shtatëdhjetë) lekë, nga të cilat 2 750 (dy mijë e shtatëqind e pesëdhjetë) lekë për sigurime shoqërore dhe 1 496 (një mijë e katërqind e nëntëdhjetë e gjashtë) lekë për sigurimin e kujdesit shëndetësor.
14. Për personat që punojnë si punëtorë shtëpie, punëdhënësi të deklarojë dhe të paguajë kontribut minimal mujor në shumën 4 070 (katër mijë e shtatëdhjetë) lekë, nga të cilat 2 750 (dy mijë e shtatëqind e pesëdhjetë) lekë për sigurime shoqërore dhe 748 (shtatëqind e dyzet e tetë) lekë për sigurimin e kujdesit shëndetësor.
15. Llogaritja dhe deklarimi i kontributeve mujore, për personat që janë ekonomikisht aktivë në më shumë se një subjekt juridik ose fizik, bëhet, si më poshtë:
a) Kur i njëjti person është ekonomikisht aktiv në dy ose më shumë subjekte dhe në secilin prej tyre merr pagë më të lartë se paga minimale, llogaritja e kontributit të sigurimit shoqëror dhe sigurimit të kujdesit shëndetësor është e detyrueshme për çdo subjekt. Në këtë rast, llogaritja e kontributit të sigurimit të kujdesit shëndetësor bëhet sipas pagës përkatëse, që merr nga secili subjekt, ndërsa masa e llogaritur e kontributeve të sigurimeve shoqërore, në total, të jetë jo më shumë se kontributi i llogaritur mbi pagën maksimale;
b) Kur i njëjti person është ekonomikisht aktiv në dy ose më shumë subjekte, dhe në njërin prej tyre paga është më e vogël se paga minimale, llogaritja e kontributit të sigurimit shoqëror dhe sigurimit të kujdesit shëndetësor është e detyrueshme për çdo subjekt. Në këtë rast, llogaritja e kontributit të sigurimit të kujdesit shëndetësor bëhet sipas pagës përkatëse, që merr nga secili subjekt, ndërsa llogaritja për kontributet e sigurimeve shoqërore, në total, të jetë jo më shumë se kontributi i llogaritur mbi pagën maksimale;
c) Kur i njëjti person, për shkak të natyrës së punës si punonjës pastrimi, punonjës mirëmbajtjeje, lulishtar, e të tjerë të kësaj natyre, është i punësuar në dy ose më shumë subjekte, me orar të reduktuar gjatë ditës dhe puna e kryer në secilin subjekt llogaritet më e vogël se niveli i pagës minimale, njëri nga subjektet, në marrëveshje me punëmarrësin dhe me të tjerët, konsiderohet si punëdhënësi bazë, i cili merr detyrimin për deklarimin e punonjësit si dhe deklarimin e pagesën e kontributeve të detyrueshme. Puna e kryer tek punëdhënësit e tjerë dokumentohet në një kontratë shërbimi, të lidhur midis palëve, ndërsa paga e përgjithshme, për efekt të kontributeve, nuk mund të jetë më e vogël se paga minimale;
ç) Kur një person fizik i vetëpunësuar punon edhe si anëtar i papaguar i familjes ose një familjar punon në dy persona fizikë, që janë familjarë të tij, kontributet llogariten e paguhen në nivelin minimal, pavarësisht se janë ekonomikisht aktivë në dy subjekte;
d) Rregullat e llogaritjes, të deklarimit, përjashtimet dhe rimbursimit të kontributeve të paguara më tepër se detyrimet ligjore, përcaktohen me udhëzim të ministrit të Financave.
16. Të vetëpunësuarit në bujqësi të derdhin kontribut vjetor, për sigurimet shoqërore, në masën 33 000 (tridhjetë e tre mijë) lekë, me përjashtim të të vetëpunësuarve, që banojnë në rrethet Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar, Tepelenë dhe Tropojë, për të cilët masa e kontributit vjetor është 25 300 (njëzet e pesë mijë e treqind) lekë.
17. Të vetëpunësuarit në bujqësi të derdhin kontribut mujor, për sigurimin e kujdesit shëndetësor, në masën 3.4% të dyfishit të pagës minimale mujore, për efekt të llogaritjes së kontributeve të sigurimit të kujdesit shëndetësor, të barabartë me një vlerë prej 314 (treqind e katërmbëdhjetë) lekë në muaj.
18. Për personat me mandat kushtetues, të punësuarit e emëruar dhe personat e tjerë që trajtohen nga skemat e sigurimeve shoqërore suplementare, të cilët derdhin kontribute për pension suplementar, janë, si më poshtë vijon:
a) Punonjësit që kryejnë funksione kushtetuese, punonjësit e lartë të shtetit, sipas funksioneve, në masën 5, 4, dhe 3 % të pagës bruto;
b) Ushtarakët e Forcave të Armatosura, punonjësit e Policisë së Shtetit, të Gardës së Republikës, të Shërbimit Informativ të Shtetit, të Policisë së Burgjeve, të Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe punonjësit e Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm në masën 5% të pagës bruto;
c) Personat që kanë titullin shkencor “Profesor”, “Drejtues kërkimesh”, “Profesor i asociuar”, “Mjeshtër kërkimesh”, kur punojnë në universitetet, shkollat e larta dhe Akademinë e Shkencave, në Republikën e Shqipërisë, në masën 5% të pagës bruto, ndërsa, kur këta persona punojnë në universitete private, të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, në masën 7 % të pagës bruto.
19. Personat e punësuar në miniera, në nëntokë, të cilët paguajnë kontribute të detyrueshme shtesë, për degën e pensioneve, në masën 5% të pagës mbi të cilën llogaritet kontributi i detyrueshëm i sigurimit shoqëror, nga e cila 3% përballohet nga punëdhënësi dhe 2% nga punëmarrësi.
20. Për të papunët, që përfitojnë pagesë papunësie, për periudhën që trajtohen me këtë pagesë, buxheti i shtetit derdh kontribute për degën e pensioneve dhe për barrëlindje, në masën 23% të pagës minimale.
21. Për ish-punonjësit që kanë punuar në miniera, në nëntokë, dhe ish-punonjësit e industrisë ushtarake, që përfitojnë trajtim financiar të veçantë, personat që u shërbejnë invalidëve paraplegjikë dhe tetraplegjikë dhe gratë, që dalin në pension për periudhën e kryerjes së arsimit të lartë, buxheti i shtetit derdh kontribute, për degën e pensioneve, në masën 21.6% të pagës minimale.
22. Për personat që kryejnë funksione kushtetuese si dhe punonjësit e lartë të shtetit, për ish-ushtarakët, punonjësit e Policisë së Shtetir, të Shërbimit Informativ, të Gardës së Republikës, të Policisë së Burgjeve e Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe punonjësve të Shërbimit të Kontrollit të Brendshëm, gjatë kohës së trajtimit me pagesë kalimtare ose pension të parakohshëm, buxheti i shtetit derdh kontribute, për degën e pensioneve, në masën 21.6% të pagës mesatare referuese, sipas gradës dhe funksionit, të indeksuar çdo vit me koeficientët e indeksimit të bazës së vlerësuar.
E coi sa Sala me taksen e sheshte mbi pagen 76340 sigurim shendetesore+kontributeX12 muaj=91608 shto ketu 1950 leke pagesa komisione te bankave te nivelit te dyte per keto kontribute= 93550+25000tatim i thjeshtuar+5000 leke taksa vendore(mesatare) total 1vit=123550leke Qeveria eRames ,Berisha 5670 kontribute Sig Shoq dhe ShendetesorX12 muaj=68040leke+23280 tatim mbi pagen(10%)=91320+2500Tatim i thjeshtuar+5000 taksa vendore=121320leke
Diferenca Rama Berisha=2230leke kjo eshte hipokrizia e Rames me bllok ne dore me biznesin e vogel ,lereni llogjet e Beqes me karten e shendetit se te gjithe e dime se sa kujdes shendetesor perfitojme ne te siguruarit jo me kalamajte tone mos te rente te shkosh ne spitale me voten e 23 qershorit rilindemvete EDi Ramen
A MUNDE TE ME SPJEGOJE NDOKUSH SE CILI ESHTE NDRYSHIMI MES 3.4 % TE DYFISHIT TE PAGES ME 6.8 % TE PAGES SE DEKLARUAR PASI MEDUKET PAK SI PARADOKSALE.
s8gurimi shendetesor eshte gje e mire per personin dhe shtetin por me duket sume i larte.me duket si 30 per qind i pages minimale jane perfshire dhe kategori pune qe nuk mund te quhen pune aty dhe nje ambulant qe shet akullore kur ai nuk nxier as per familjen dhe del me i math sigurimi shteteror se tatimi,mendoj qe shqiperia eshte e shkaterruar nga ana ekonomike.keshtu e la saliu.qeveria e re nuk duhet tja lere kete pune teknikeve ashtu si u ka l;ene pensionet e pleqerise se ndryshe do te kete bllokim te tregut .
SIGURIMET SHOQERORE VITI 1999-2015
Pershendetje! a mund te me shpjegoje dikush nese mund te paguhem me para kesh ne dore nese jam i siguruar apo vetem nepermjet bankes??????