Deputeti socialist Erjon Brace iu përgjigj nga salla e Kuvendit akuzave të ish-Kryeministrit Sali Berisha ndaj Qeverisë dhe mazhorancës së sotme.
Braçe tha se përballë këtyre akuzave, të cilat janë të përsëritura nga deputeti Berisha, kryeministri Rama ashtu si dhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri i kanë bërë apel që këto akuza t’i drejtojë në organin e Prokurorisë.
“Konfirmoj me forcë që Evropa është destinacioni ynë, pavarësisht ngjarjeve të rënda kriminale. Ne kemi vullnetin e plotë të kemi vetëm Evropën si destinacion, politik ekonomik, social, kulturor, sepse ne i përkasim Evropës.
Ju lutem të bëni një përpjekje të vogël për të kuptuar që kurrkund sot në Evropë nuk do të gjeni një fjalim si ai që dëgjuat pak më parë.
Dërgim pranë organit të prokurorisë, ndjekjes në gjykatë për gjithë ato akuza të rënda, sot në prokurori, gjykata, janë tërësisht të paprekur të gjithë ata persona të emëruar me vullnet të plotë nga qeveria e mëparshme, e vullnet individual nga zotëria që foli më parë.
Sot kryeministri dhe ministri i Brendshëm kanë kërkuar ballafaqim penal e civil për secilën nga akuzat që dëgjuat këtu. Ky është ndryshimi dhe sjellja ligjore, ajo që dëgjuat është sjellja që një Evropë e tërë e ka nxjerrë jashtë sistemit legal evropian”, tha Braçe.
Duke renditur disa nga treguesit e punës së policisë së shtetit kundër krimit , Braçe tha se lidhja e qartë e politikës me krimin për 8 vitet e qeverisjes së mëparshme kishte arritur nivelin më të lartë.
Në emër të grupit parlamentar të PS-së, Brace tha se përsa i përket akuzave për drogën, ekonominë dhe të drejtat e qytetarit përgjegjësi mbajnë ish-kryeministri Berisha dhe Qeveria e tij. Sipas Braçes kur u mbyll operacioni në Lazarat u bë e mundur që të ndalohet futja e 7 miliardë eurove në treg, para këto të cilat vinin nga droga. Braçe theksoi se sot ka një sërë treguesish të rritjes ekonomike por mjafton që të përmendet vetëm një që kishte munguar deri para një viti për shkak të lidhjeve që kishin me politikën e kohës.
“U shkatërruan 5 laboratorë që prodhonin vajin e hashashit në Lazarat, atje ishin laboratorët në tetë vitet e qeverisjes tuaj, atje ishte shefi yt i policisë, ishin deputetet e PD që ranë dakord na jepni votën që t’ju lëmë të kultivoni, nuk ndërhynë sepse lidhjet ishin të forta mes strukturave qeverisësë dhe kultivuesve të drogës në Lazarat”, tha deputeti socialist.
“Ju përmendët jetën e njeriut si një e drejtë themelore dhe e shenjtë por a menduat ju katër vite më parë se jeta e njeriut ishte themelore kur dhe urdhër të vriteshin 4 veta në bulevard, katër veta që ishin të pafajshëm. A mendove për jetën e qytetarëve që protestonin paqësisht.
Ti i ke dalë zot vrasjeve, por dil para prokurorisë për të dhenë dëshminë tënde dhe përballu me policinë prokurorinë duke u përballur si qytetaë i lire se nuk ka krim më të madh se të vrasësh kundërshtarët e tu, ti vrasësh pa patur asnjë emocion në fytyrë kur jep urdhrin”, akuzoi Braçe ish-kryeministrin Berisha.
Përsa i përket marrëveshjes për formalizimin e ekonomisë, Braçe tha se marrëveshja ka në thelb një marrëdhënie të re që ndërtohet me administratën fiskale për të formalizuar ekonominë kombëtare dhe transaksionet financiare që kryhen në vend.
“Kasat fiskale pavarësisht çmimeve të larta me të cilat tregtohen, mund ta themi sot me fakte se në qarkullim kemi 72 mijë pajisje fiskale standarde. Xhiroja sot e kasave është 400 miliard transaksione të faturuara ligjërisht përmes tyre. Pompat e bensinës që ju na akuzoni kaq shumë, në fund të 2014 kanë deklaruar 41.6 milon kupona me të ardhura të deklaruar 137 miliard lekë, të ardhura këto nga formalizimi i ekonomisë që nuk do ndalojë asnjëherë”, tha Braçe.
Përsa i përket aksionit që ka ndërmarrë qeveria në lidhje me energjinë elektrike, Braçe tha se ka një përpjekje për të kundërshtuar aksionin dhe për tu mbështetur tek ekonomia e krimit dhe ajo informale.
“Keqardhje për çdo viktimë që ka humbur jetën por jo si produkt i vendosjes së qetësisë. Bujë e madhe është bërë për vendosjen e transaksioneve të energjise elektrike, por ka një ndryshim nga e sotmja tek e djeshmja. Sot shteti dhe kompania mbështesin në pagesën e çdo fature, që çdo e ardhur po shkon direkt në arkën e kompanisë që është rikthyer për të sjellë shërbimin në vend komform ligjit.
Më parë ishin shtatë kompani që mblidhnin paratë duke prerë më dhunë energjinë. Ky veprim bëhej konform një marrëveshjeje që ishin lidhur mes qeverisë dhe kompanive përfituese. Kjo është diferenca në sjellje kundrejt qytetarëve. Sot paratë e energjisë elektrike i merr kompania publike.
Qytetarët po zbatojnë detyrimin ligjor duke paguar faturat e energjisë për kompaninë që është një e vetme dhe jo shtatë si më parë. Më parë ishte shteti që paguante për kompanitë debitore.
Vjedhja e energjisë ka qënë e qartë dhe konsiderohej vepër penale dhe më parë por nuk është zbatuar ligji asnjëherë sepse nuk i leverdiste instancave shtetërore”, tha Braçe. /gj.k/