Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Enno Bozdo akuzon Kryeministrin Edi Rama se ka marrë në mbrojtje abuzuesit qeveritarë, ndërsa mijëra qytetarë jetojnë nën makthin e gjobave korruptive, prishjeve abuzive dhe selektive të bandave dhe sekserëve të Edi Ramës.
Në vijim të debateve në distancë me mazhorancën përsa i takon lejeve të ndërtimit, Bozdo tha se Edi Rama godet qytetarët dhe i gjobit ata, ndërsa merr në mbrojtje abuzuesit qeveritarë.
“Të gjithë ishit dëshmitarë se si ministri Veliaj ndërtonte pa leje në mes të Tiranës, se si Policia e Shtetit merr në mbrojtje me urdhëra politikë ndërtimet pa leje të qeveritarëve.
Dje, u është shpërndare mediave një pusullë e firmosur nga Edi Rama, për të ligjëruar paligjshmërinë e Erionit të tij.
Dje, Veliaj faktoi publikisht se punimet e nisura prej nje muaji në qendër të Tiranës ishin pa leje dhe po dje Veliaj dhe shefi i tij Rama faktuan një tjetër të vërtetë, abuzimin me pushtetin. Pusulla e firmosur nga Rama, e quajtur leje është në kundërshtim me ligjin dhe jashtë kompetencave të KKT.
Në kushtet kur më datë 01.10.2014 ka hyrë në fuqi ligji nr. 107/2014, “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit” miratuar më datë 31.07.2014, i cili ka shfuqizuar ligjin nr. 10119, datë 23.04.2009 për “Planifikimin e Territorit” (i ndryshuar) dhe aktet nënligjore në zbatim të tij, çdo vendimmamrrje e KKT është e pambështetur në ligj, pasi mungojnë aktet nënligjore për zbatimin e këtij ligji. Neni 28 i Ligjit përcakton se:
KKT-ja është autoriteti përgjegjës për vendimmarrjen për leje zhvillimi dhe leje ndërtimi për llojet e zhvillimit komplekse, të përcaktuara në rregulloren e zhvillimit dhe ato që lidhen me çështje, zona, objekte të rëndësisë kombëtare apo me investime strategjike për interesat e vendit, mbi propozimin e ministrisë që mbulon sektorin apo zhvillimin përkatës”, theksoi Bozdo.
Sipas tij, lëshimi i çertifikatës së përdorimit për lejet e ndërtimit, të miratuara sipas pikës 1, të këtij neni, kryhet në përfundim të një procesi të bashkërenduar të kontrollit të përputhshmërisë së ndërtimit mes autoriteteve qendrore të përfshira, sipas fushës së kompetencës dhe autoritetit vendor përgjegjës për kontrollin e punimeve të ndërtimit në territorin administrativ ku kryhet zhvillimi.
“Pusulla e firmosur nga Edi Rama është e jashtëligjshme dhe ka për qëllim të mbulojë ndërtimin pa leje të ErjonVeliajt në mes të Tiranës, në vend që ta ndëshkojë atë.
Nga ana tjetër, Edi Rama me bandën e INUK, nga një anë vendos gjoba korruptive dhe shkatërron në kundërshtim me ligjin dhe me procesin e rregullt prona dhe pasuri të qytetarëve të cilëve u tha para zgjedhjeve të 23 qershorit se nuk do t’u prishen në asnjë rrethanë e nga ana tjetër merr në mbrojtje me policë dhe dokumente zyrtare të paligjshme ndërtimet pa leje të ministrit Veliaj në qendër të Tiranës apo vilat pa leje të ndërtuesit të vilës së tij, në zemër të parkut të Liqenit.
Kjo dyfytyrësi, ky standard i dyfishtë, kërbaçin për njerëzit dhe kulaçin për Veliajn dhe miqtë e tij personalë demaskon hapur Edi Ramën edhe si kryeministër.
Si kryebashkiak Edi Rama u mohoi qytetarëve për 11 vite planin urban, duke vendosur ai vetë ku do të ndërtohej dhe sa do të ndërtohej,ndërsa si kryeministër pezulloi planin urban të Tiranës përmes një sërë hapash antiligjorë dhe antikushtetues përsëri është ai dhe jo ligji qe vendos ku ndërton, kush ndërton dhe sa ndërton.
Ky është modeli kundër interesit të qytetarëve, i vetmi model që Rama njeh, modeli i korrupsionit, i hipokrizisë, standardeve të dyfishta, i paligjshmërisë.
Bashkia e Tiranës i bën thirrje Prokurorisë të hetojë me themel abuzimin me pushtetin dhe motivet korruptive të këtij abuzimi në rastet e sipërpërmendura”, tha nënkryetari i Bashkisë së Tiranës. /gj.k/