Ekrem Bardha tregon për lidhjet me Mitt Romney, kandidatin republikan për president

31 Janar 2015, 18:41Dossier TEMA

Histori personale dhe kontakte gjatë fushatës me njeriun që mund të bëhej presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës 

Nga Ruben Avxhiu, Illyria
Mitt Romney ishte kandidat për president edhe në vitin 2008, por prezatimi i tij te shqiptarët në atë kohë nuk u bë dot i plotë nga një anë sepse shqiptarët ishin tepër të angazhuar dhe të bindur në favor të John McCain-it dhe së dyti, sepse vetë Romney asnjëherë nuk u pa seriozisht si fitues i mundshëm as nga amerikanët vetë. Megjithatë edhe në atë vit, kishte shqiptarë që morën pjesë në takimet e tij zgjedhore siç do të tregohet pak më poshtë.

 

Lidhjet në Michigan

Në fakt, shqiptari i parë që u njoh me familjen Romney ishte Ekrem Bardha, biznesmeni i shquar në Michigan dhe ish-botues i gazetës shqiptaro-amerikane “Illyria” në New York.

Ndonëse Romney hyri në politikë në Massachusetts, ku ishte edhe guvernator i shtetit për katër vjet me radhë, vendlindja e tij është në Michigan, ku babai i tij George Romney ishte fillimisht një biznesmen i suksesshëm dhe pastaj politikan dhe guvernator i shtetit.

Në vitin 1953, George Romney u vendos në Bloomfield Hills një nga qytezat më të pasura të Amerikës, në një kohë kur Ekrem Bardha me nënën dhe vëllezërit arratiseshin nga Shqipëria vetëm me teshat e trupit për t’i shpëtuar regjimit komunist.

Fatet e njerëzve janë të pabesueshme. Biznesmeni i pasur që po zhvendoste familjen e tij në botën “përrallore” të luksit në Bloomfield Hills ishte aq larg sa mund të jetë njeriu prej njeriut nga djaloshi që çante udhë e pa udhë në errësirën e natës, me nënën në kurriz dhe vëllain e vogël për dore. Po kur të rrëmben ai vërtiku i fatit çdo zhvendosje është mundshme.

Pak njerëz e kujtojnë sot se përpara se Ekrem Bardha të bëhej vetë një biznesmen milioner dhe veprimtar në diasporën shqiptare në Amerikë, ai ka punuar si stilist flokësh. Në moshë të re, në Michigan-in e largët, ai theu tabunë duke hyrë në profesionin që shqiptarët, përfshi edhe vëllezërit e tij e shihnin si “punë për gra”.
Por Ekremi u bë aq i zoti në punën e tij, sa fitoi një çmim me emër, fitoi një klientelë të famshme, që i mundësoi të dilte më vete, me Sallonin Bardha, që do të përfshinte në biznes edhe vëllezërit e tij e do të ndryshonte jetën e familjes.

Mes klientëve të shquar ishte edhe George Romney, biznesmeni i shquar i industrisë së famshme të automjeteve në Michigan. Familja Romney u bë pjesë e klientelës së Sallonit Bardha dhe lidhja me babait të kandidatit të sotëm për president do t’i vinte në ndihmë vite më vonë biznesmenit shqiptar.
Ishte koha, kur Ekrem Bardha vendosi të fillonte atë që dukej si një tjetër aventurë në jetën e tij. Përsëri kundër tabusë së shqiptarëve në atë kohë, ai vendosi të braktiste biznesin e suksesshëm të parukierisë, duke e lënë në dorë të vëllezërve dhe rrezikoi fitimet e tij për një nismë të re private, një restorant të zinxhirit “McDonalds”.

Në atë kohë, suksesi i emrit të restorantit që njihet në mbarë botën, ndonëse në rrugë të mbarë, ishte ende në provë. Për biznesmenin shqiptar dështimi mund të ishte fatal. Ndaj ai bëri çmos që fillimi të ishte i bujshëm. Për këtë iu drejtua një lidhjeve të vjetër. George Romney, ish-klienti i tij i vjetër i floktores tashmë ishte guvernator i shtetit të Michigan-it dhe një figurë mbarëkombëtare e politikës amerikane pasi kishte guxuar të hynte në garën presidenciale kundër presidentit Richard Nixon, rrugë që e ndoqi pastaj me përpikmëri, i biri Mitt Romney.

Guvernatori e pranoi me kënaqësi ftesën dhe mori pjesë në ceremoninë hapëse të restorantit të parë McDonalds, të Ekrem Bardhës. Pjesëmarrja e tij ishte një nga arsyet që solli vëmendjen dhe kurreshtinë e medias dhe ngjarja u kthye në një spektakël. Nisur me këmbë të mbarë, intuita dhe puna e biznesmenit u shpërblyen. Në dy-tre dekadat që vijuan Bardha hapi edhe 17 restorante të tjerë McDonalds, u vendos në një qytezë gati po aq të famshme në Michigan, u bë milioner dhe luajti një rol të rëndësishëm në punën e diasporës shqiptare në SHBA në shërbim të kombit shqiptar në Ballkan, sidomos për çështjen e Kosovës.

Përplasja me nënën e Eliza Dushkut, mormones që u martua me shqiptarin nga Korça


Sikur një peshkop katolik apo ortodoks të kandidonte për president në Amerikë, shanset e tij do të ishin gati minimale, për shkak se opinioni publik është tepër i ndërgjegjshëm për këtë post të lartë fetar.

Mitt Romney ka gëzuar për më shumë se 10 vjet një pozitë po kaq të lartë në Kishën Mormone, por për shkak se ky sekt i diskutueshëm i krishterë është i rrethuar nga një vello misteri dhe injorance në SHBA, pozita klerike e kandidatit republikan, nuk i ka krijuar problem gjatë fushatës. Problemin më të madh e ka pasur në përgjithësi me vetë fenë e tij sesa me postin fetar.

Të krishterët në SHBA janë të ndarë në shumë kisha e sekte që kundërshtojnë e janë në konkurrencë me njëra-tjetrën, por rrallë qëllon si në rastin e Kishës Mormone që ta refuzojnë për ta pranuar si të krishterë. Për shumë nga organizimet fetare në SHBA, Mormonët nuk janë të krishterë. Ndonëse Mormonët njohin Jezu Krishtin si profet të tyre, ata preferojnë në vend të Biblës, rishikimin e bërë në Librin e Mormonëve nga themeluesi i kishës së tyre, Joseph Smith, Jr.

Çështja e mormonëve është një histori më vete që do të kërkonte të paktën një tjetër shkrim, por figura e Romney-t nuk mund të kuptohet pa përmasën e saj fetare. Ashtu si në biznes edhe në postin e tij si Peshkop i Kishës Mormone në Massachusetts, Mitt Romney u tregua një udhëheqës i suksesshëm.

Nën drejtimin e tij, mormonët lokalë u fuqizuan, ndërtuan disa faltore historike për ta dhe mbi të gjitha siguruan njohjen dhe pranimin nga një pjesë e rëndësishme e shoqërisë në shtetin e Massachusetts-it.
Por përvoja e tij në krye të komunitetit mormon numëron edhe përplasje dhe konflikte dhe një nga ato për të cilat është shkruar ka të bëjë me nënën e aktores së njohur shqiptaro-amerikane Eliza Dushku.

Eliza është e njohur nga shqiptarët për shkak të babait të saj shqiptar, Filip Dushkut, bir mërgimtarësh nga Korça. Më pak njihet e jëma, profesoreshë universiteti, Judy Dushku, me fe mormone, e prejardhje anglo-daneze.

Judy Dushku është sot një studjuese e njohur e politikave globale në Suffolk University në Boston.
Judy Dushku ishte pjesë e atij brezi grash të suksesshme profesioniste mormone që në vitet 70 themeluan një organizatë të njohur si Exponent II, që kërkonte më shumë të drejta për gratë brenda Kishës Mormone.
Ajo ishte besimtare dhe aktiviste në kishë ashtu si prindërit e saj mirëpo besonte se kisha duhej të reflektonte ndryshimet e mëdha që po ndodhnin në mbarë shoqërinë amerikane pas epokës së stuhishme të viteve 60. Ishte ndoshta atmosfera e atyre viteve që krijoi kontekstin në të cilin në në moshë të re, Judy Rasmussen u dashurua me një djalë mërgimtarësh ortodoksë nga Korça, Philip R Dushku.

Kisha Mormone (emri zyrtar i të cilës mund të përkthehet edhe si “Kisha e Shenjtorëve të Mëvonshëm”) e shkurajon por nuk e ndalon martesën me ata që nuk janë mormonë. Kjo martesë sigurisht nuk mund të bëhet në tempullin e mormonëve.

Judy pati katër fëmijë nga martesa me djalin korçar që punonte si administrator shkollash në Massachussets (një shtet ku banonin shumë shqiptarë) por martesa përfundoi me divorc, madje në kohën kur Judy ishte shtatzënë me Elizën.

Martesa nuk e kufizoi angazhimin e Judy-t në Kishën Mormone, ku ajo dhe shoqet e saj feminist nëpërmjet organizatës Exponent II kërkonin më shumë të drejta për gratë. Si peshkop Romney u përball me këtë organizatë dhe diti të manovrojë në mënyrë që të plotësonte disa nga kërkesat e tyre pa nervozuar udhëheqjen supreme më konservatore të Kishës Mormone në Salt Lake City.

Mirëpo një incident me Judy Dushkun shkoi përtej organizatës dhe u kthye në personale, sipas një episodi të përshkruar nga profesoresha amerikane.

Konflikti ndodhi në vitin 1993, kur Judy Dushku kërkoi të vizitonte Tempullin Qendror të Kishës, afër Washington-it. Kjo vizitë konsiderohet si një arritje e shënuar në jetën fetare të një Mormoni, mirëpo deri vonë kishte qenë e ndaluar për mormonët e martuar me jo-mormonë. Tani rregulli ishte hequr, por besimtarët duhej të merrnin gjithësesi një aprovim nga presidenti i degës së kongregacioneve lokale, detyrë që në atë kohë e mbante Mitt Romney.

Judy Dushku ka treguar në një numër intervistash dhe librash se si i kaloi në mënyrë të mrekullueshme dy intervistat me peshkopin dhe një këshilltar që shqyrtuan kërkesën e saj dhe i mbetej vetëm marrja e një firme nga Romney.

Siç e tregon ajo, ai e priti shumë ftohtë. i pa dokumentet që tregonin procesin dhe tha: “E shoh që je teknikisht në rregull dhe nuk të ndaloj dot që të shkosh”.

“Po pse do të më ndaloje që të shkoja”, thotë se e ka pyetur me habi Judy, që kishte pritur që Romney ta përgëzonte për nismën dhe angazhimin e saj me Kishën. Në vend të përgëzimit kishte ardhur përgjigjia e tij thumbuese. “Të them të drejtën, Judy, nuk e kuptoj se pse vazhdon të qendrosh në Kishën tonë”.

E tronditur e kishte pyetur nëse vërtet ai nuk e kishte të qartë se pse ajo ishte kaq e lidhur me Kishën.
“Jo, vërtet që nuk e kuptoj, por nga ana tjetër as nuk dua ta di”, i ka thënë ai. “Nuk dua ta di as se çfarë bën. Vetëm një gjë dua ta dish. Ti nuk je lloji i mormonëve që më pëlqejnë”.

Pas kësaj, firmosi rekomandimin që të lejohej të vizitonte Tempullin dhe takimi mori fund. Episodi i ka mbetur profesoreshës Dushku i pashlyer në kujtesë. “E di që kemi pasur ndryshime pikëpamjesh tregon ajo, por prisja që të sillej si udhëheqësi im shpirtëror, që do të më inkurajonte në besimin tim. Ai bëri të kundërtën”, tregon ajo.

Vetë Mitt Romney nuk ka komentuar asnjëherë për këtë episod dhe duke qenë se nuk ka pasur dëshmitar tjetër mund ta ketë të lehtë ta mohojë. Episodi është treguar shpesh gjatë kësaj fushate nga ata që duan të nënvizojnë se Romney është kundër emancipimit të gruas në shoqërinë amerikane, një akuzë që mbështetësit e tij e hedhin poshtë si të padrejtë.

Historia e Romney-t si udhëheqës fetar ka ngjarje që e nxjerrin si pozitiv ndaj protestës së grave për diskriminim por ka edhe episode në të cilat ai shfaqet shumë strikt dhe i pandjeshëm. Ngjarja e treguar nga Judy Dushku futet në grupin e dytë.

 

Mitt Romney dhe shqiptarët në Massachusetts

Ndonëse Mitt Romney ka kaluar pjesën më të gjatë të jetës së tij në Massachusetts, në një shtet ku ka shumë shqiptarë, pak prej tyre kanë pasur rastin që ta njohin.

Romney ishte i punësuar në industrinë financiare në një kohë kur shumë pak shqiptarë kanë qenë të lidhur me këtë sektor ndërsa në jetën e tij shoqërore e private, Romney ka qenë gjithnjë shumë i kufizuar në komunitetin e tij fetar.

Por si guvernator, Romney ka krijuar lidhje me ta, duke u bërë i pari në këtë shtet pas një kohe të gjatë që ka lëshuar një proklamatë për 28 Nëntorin, si festa kombëtare shqiptare.
Fitorja e tij si guvernator në shtetin Massachusetts ka rastisur në të njëjtën kohë me një rigjallërim të jashtëzakonshëm të jetës komunitare shqiptare në Boston e përqark. Dikur në këto anë nisi historia e diasporës shqiptare në SHBA, por trajektoria e veprimtarisë bashkë me numrin e shqiptaro-amerikanëve ra me kalimin e dekadave ndërsa qendra e rëndesës u zhvendos drejt New York-ut.

Por me prurjet e reja të emigrantëve nga Shqipëria e trojet shqiptare, pas rënies së komunizmit dhe më tej në vitet 90 i dhanë një vrull të ri jetës së shqiptaro-amerikanëve në Massachusetts, sidomos duke filluar me shekullin e ri.

Ardhja e Romney-t në fuqi rastisi pra me rifillimin e festimeve publike të 28 Nëntorit në sheshet publike e institucionet e shtetit dhe qytetit.

Në vitin 2006, kur një delegacion i organizatës “Mjaft” i drejtuar nga Erion Veliaj (në atë kohë ende nuk kishte hyrë në politikë dhe mbante qendrim kritik ndaj qeverisë socialiste), shqiptaro-amerikanët e Bostonit të drejtuar Peshkopi Nikon, Shumë i Përndershmi Arthur Liolin dhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan (sot Konsull Nderi i Shqipërisë) Stefan Kochi i shoqëruan miqtë nga Shqipëria në zyrat e pushtetit lokal të Massachusetts-it në Boston ku u pritën nga vetë guvernatori Mitt Romney.

Ky është në fakt, i vetmi takim i posaçëm i shqiptaro-amerikanëve me Mitt Romney-n nëse nuk numëron edhe atë të Ligës Qytetare gjatë një takimi të gjerë fondmbledhës këtë vit në New York.

Në atë takim Romney u foli të rinjve shqiptarë për rëndësinë e angazhimit të rinisë në proceset politike dhe në nismat për përmirësimin e jetës në komunitete.

Bashkë me këtë shkrim botohet edhe teksti i një prej proklamatave të Romney-t si guvernator në nderim të Festës së Flamurit, teksti i të cilës dhe fotot u siguruan nga Rozi Theohari në dhe Stefan Kochi, në Boston.

 

Romney në fushatë dhe çështja e Kosovës

Në 6 janar 2008, Romney po kandidonte për herë të parë për president dhe pas humbjes në Iowa kishte shpresa të ringjallte shpresën në garën e dytë në New Hampshire. Ky shtet nuk është edhe aq larg nga Massachusetts-i dhe Konsulli i Shqipërisë, Stefan Kochi udhëtoi bashkë me bashkëshorten e tij për të marrë pjesë në një nga takimet me popullin (të famshmit “townhalls”) të ish-guvernatorit të tij.

Atje pati rastin të takonte disa prej kandidatëve republikanë. Në takimin e Romney-t, kur filluan pyetjet nga salla, Stefan Kochi mori mikrofonin dhe e pyeti Romney-n se çfarë mendonte se duhej të bëhej me Kosovën që ishte prej 9 vitesh në gjendje pezull.

“Duhet të pavarësohen”, u përgjigj pa asnjë hezitim Romney, siç tregon Stefan Kochi. Ishte fjala e duhur nga një kandidat pa shumë njohuri ndërkombëtare. Dhe në fakt, një muaj e gjysëm më vonë, ashtu ndodhi.
Mitt Romney nuk ka shumë përvojë në politikën e jashtme dhe pikëpamjet e tij për Ballkanin nuk janë shumë të njohura e të qendrueshme. Ai do të ndikohet shumë nga këshilltarët në këtë drejtim.

Por, në një libër që ka shkruar përpara se të kandidonte për herë të dytë për president, Romney ka pozicionin e duhur duke hedhur poshtë me pretendimin rus se pavarësia e Osetisë Jugore dhe Abkhazisë është njësoj me atë të Kosovës, duke nënvizuar se Kosova është rast më vete (pra përfundojmë se ndryshe nga dy krahinat gjeorgjiane, e meriton pavarësinë.)

Stefan Kochi me famijen shkuan edhe këtë vit ne janar 2012 në New Hampshire. Ku gjatë një takimi u fotografuan me familjen dhe kandidatin dhe Konsulli i Shqipërisë në shkëmbimin e shkurtër i kujtoi edhe njëherë Shqipërinë dhe shqiptarët në SHBA e Ballkan.
Tre muaj më vonë në 26 prill, Romney ndaloi në New York City për një takim fondmbledhës në kuadrin e fushatës së tij zgjedhore. Mes më shumë se 200 vetëve të mbledhur në hotelin “New York Marriott Marquis” ishin edhe një grup prej pesë shqiptarësh të udhëhequr nga ish kongresisti Joseph J. DioGuardi. Aktivistët e komunitetit ishin Zyhdi Karagjozi, Zef Balaj, Gjergj Dedvukaj, Agim Aliçkaj dhe Rifat Mehmeti.
Ndonëse takimi kishte temë të gjerë, siç ka përshkruar në gazetën “Illyria” gazetari Beqir Sina DioGuardi dhe aktivistët bënë një fotografi me ish-guvernatorin Mitt Romney dhe i konfirmuan mbështetjen e tyre për kandidaturën e tij, duke i folur për temat shqiptare që përfaqësojnë.

Siç shkruan Beqir Sina, “shqiptarët i kërkuan kandidatit republikan Mitt Romney që të njihet më shumë me çështjen shqiptare. DioGuardi foli për shqiptarët dhe kontributin e tyre në Shtetet e Bashkuara ndërsa i premtoi atij mbështetjen veprimtarëve të LQSHA-së në zgjedhjet presidenciale të këtij viti”.

Këto takime të pakta janë ngushëllimet e vetme që kanë shqiptarët përpara pikëpyetjes së madhe se çfarë ndikimi do të ketë Ambasadori John Bolton në administratën e re nëse fiton Romney. Si i vetmi politikan i lartë amerikan që ka kundërshtuar pavarësinë e Kosovës, sa do ta ndryshonte ai politikën e jashtme amerikane në Ballkan, nëse bëhet Sekretar i Shtetit. A do të mund ta neutralizojnë këshilltarët e tjerë dhe sa do të kujtohet Romney për këtë kontribut shqiptar nëse hyn në Shtëpinë e Bardhë në janar të këtij viti.

Kjo gazetë mund të jetë ende e nxehtë kur të dalin rezultatet e zgjedhjeve e shqiptarët ashtu si amerikanët do të mësojnë nëse do të ketë ndryshim në Shtëpinë e Bardhë dhe se cili nga këta dy njerëz që relativisht pak i njohim do të bëhet president.

17 komente në “Ekrem Bardha tregon për lidhjet me Mitt Romney, kandidatin republikan për president”

  1. as says:

    Hajt se tani do behet Drejtor pularie Romney edhe do I jape ndonje koqeveze ketij ersekarit e pjelles se tij!

  2. raimond vlonjati says:

    Ekremi eshte nje idiot dhe njeri qesharak qe nuk e pjerdh njeri ne Amerik,
    Ndersa ky qe ka bere artikullin eshte nje servil I Ekremit ,
    Ky autori boton nje gazete shqiptare ne NY City,qe esht gazeta me karagjoze ne Amerike…..por ne e blejm meqe esht shqip, porse niveli I gazetes esht sikur esht gazete e ndonje fshati te humbur ne Mesjete

    Esht interesant fakti qe shqipot ne Amerike jane si nje mocal social I Shqiperise se viteve 1930_1944

    1. rajmond leshi nga erseka says:

      O rajmonda putana te tha mire nje komentues qe je bere si ato kurvat…..nuk le gazete pa komentuar…….po ik o palle pastro na nje banje ……..hysmeqare e kane pasur familjen tende ne Shqiperi dhe hysmeqare te kane edhe ne AMERIKE……KELYSH KOMUNSTI…

    2. Hysi says:

      Po ti nga I di se cfare bejne shqiptaret ne amerike.Ore te ka pjelle joteme diten e shejtanit,nuk thua asgje te mbare,Vetem zi.

  3. Dardha says:

    Lavdi Zotit dhe nje falenderim te madh Perendise dhe votuesve demokrate qe Romney nuk ia arriti ate janar te hynte ne Shtepine e Bardhe.

    Dhe kurre mos hyfte as ai dhe as ndonje republikan tjeter i cfaredo feje qofte.

    1. Ardo says:

      Pse ore plere Greke apo se ishin pikerisht Republikanet qe i dhane pavarsine Kosoves, futen Shqiperine ne NATO, dhe bene zgjerimin me te madh te NATOs ?

      1. Dardha says:

        Cfare thua mor? Cdo mendim ndryshe te duket se vjen nga greket.

        Nese ato qe thua ti u bene kur ishte Bushi ne Shtepine e Bardhe mos kujto se i ke dhurate nga republikanet. Jane disa politika te jashtme te Anerikes qe ndikohen fare pak ose aspak nga programet e partise ne pushtet. Harrove se kush e bombardoi Serbine?
        Dhe qe ta dish ti lobi grek ne Amerike perkrah republikanet.
        Keshtu qe lexo perpara se te shkruash dhe mos u hidh si gjeli ne maje te plehut.

  4. shitsi i bulmetit says:

    Pertej bindjeve te Romnit ndaj shqiptareve, ai tashme i perket historise sepse pak dite me pare deklaroi qe nuk do te kandidoj per president me 2016. Per Romnin endrra presidenciale eshte e tejkaluar. Tani ju komentues me lart hani mut sa te doni.

  5. Tommy says:

    E keni gabin se Eqrem Bardha ka mbaruar Universitetin e Ersekes dhe kur erdhi ne Amerike mboroi Universitetin e bojes qe ate Kompani e humbi pa mbushur vitin ne tregeti. Ekrem Bardha nuk ka ne shume se 3-4 vjet shkolle ne katundit te te lindjes ERSEKA, KORCE,ALBANIA

  6. spartaku says:

    Feja e mormoneve eshte feja me e poshter,nga te gjithe fete e tjera.

  7. Lipe Gremi says:

    Një shkrim prej arskisëri.

  8. krysho ludovik says:

    ee delegatet iken, ky miku i ersekarit e hodhi peshqirin keshtu qe mo harxhoni me kohe me hosanara se eshte pune pa bereqet

  9. onufri says:

    Romney deklaroj se nuk do jet pjes e fushates per 2016, dhe McDonald nuk jane restorante mos u beni qesharak

  10. Petrit says:

    Te kesh 17 MD ne Amerike eshte gje e madhe. Te blesh licencen qe te apesh kete lloj restoranti kushton reth $ 500, 000 prandaj me avash kur etikoni njerez qe nuk I njihni. E dhi te zgjebura e bishtin perpjete I thone kesaj Pune me ju.

  11. Usa says:

    Qe mcdonald e ka bere super millioner dihet, po qe ta kete bere bardha mcdonaldin te famshem me romnin ne inagurim se dija. Te rishkruhet historia

  12. Tafiku says:

    Mos u merni me spiunat e CIA,s

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje