Zgjedhjet Vendore, PD, negociatat me aleatët në mars/ Bashkitë që priten t ofrohen PDIU, LZHK, PR dhe PDK

14 Shkurt 2015, 12:42Politika TEMA

Partia Demokratike do do të nisë negociatat me aleatët e saj për zgjedhjet vendore të 21 Qershorit në muajin mars.

Burime nga partia më e madhe opozitare konfirmojnë për TemA se negociatat do të përcaktojnë bashkitë, në të cilat PD do të mbështesë kandidatë të propozuar nga aleatët e saj. Ndërkohë mësohet se në total, shifra e njësive vendore që PD do tu lërë aleatëve për të kandiduar nuk do të jetë më shumë se 10.

Kjo do të thotë se në të paktën 51 bashki, PD do të kandidojë për kryetarë të njësive vendore emra të propozuar prej strukturave të saj, por që do të mbështeten edhe nga partitë aleate.  Mësohet se përpara zyrtarizimit të kandidaturave, demokratët do të kosnultohen me partitë aleate mbi kandidatët e propozuar, duke krijuar në këtë mënyrë një mbështetje sa më të gjerë për kandidatët zyrtarë.

Burime konfirmojnë se do të synohet përzgjedhja e kandidatëve edhe nga shoqëria civile, sikundër nuk përjashtohet mundësia që për bashkitë e mëdha, demokratët dhe partitë aleate të kandidojnë edhe deputetë. Një rast i tillë është Bashkia e Durrësit, për të cilën dy nga kandidatët që konsiderohen si më kryesorët janë Agron Duka, deputet i PR-së dhe Oerd Bylykbashi deputet i PD-së. Kjo i fundit konsiderohet si një alternativë nëse nga strukturat lokale të PD-së nuk do të jepet mbështetja e nevojshme për kandidatin tashmë të vetëofruar dhe propozuar nga republikanët e Fatmir Mediut. Gjithashtu republikanëve mund ti ofrohet edhe bashkia e Peqinit

Burime nga PD shprehen se në varësi të negociatave, LZHK së Dashamir Shehit mund ti ofrohet Bashkia e Tepelenës, ndërsa PDIU-së ajo e Fierit, që konsiderohet nga njësitë vendore më të mëdha në vend. Por referuar faktit se PDIU në bazë të votave që ka marrë në zgjedhjet e 23 Qershorit renditet si partia e dytë më e madhe në opozitë, asaj mund ti ofrohen edhe dy njësi vendore më të vogla, në jug të vendit.

Ndërkohë PDK-së së Nard Ndokës mund t’i ofrohen Bashkitë e Malësisë së Madhe dhe Vaut të Dejës.

Kështu me përjashtim të dy bashkive të mëdha, Durrësit dhe Fierit, në të cilat mund të kandidojnë emra të përzgjedhur nga aleatët, në të gjitha njësitë e tjera vendore të mëdha, demokratët duket se do të kandidojnë emra të përzgjedhur nga vetë ato.

Ndërkohë edhe aleatëve tradicionalë të PD-së të cilët nuk janë të përfaqësuar në Kuvend, por që kanë përfaqësuesit e tyre në këshillat bashkiakë apo komunarë, të dalë nga zgjedhjet vendore të 2011, mund t’i ofrohen njësi vendore. Në këtë mënyrë nuk përjashtohet mundësia që bashkia e Matit t’i ofrohet legalistëve.

Aktualisht Partia Demokratike është në fazën e ngritjes së grupeve të punës, të cilat do të monitorojnë procesin e përzgjedhjes së kandidatëve, sikundër do të jenë të ngarkuara për zbatimin e udhëzimeve që do të dalin nga Kreu i PD-së në drejtim të degëve në rrethe. Gjithashtu degët e saj kanë nisur një testim të emrave që mund të garojnë për postet e kryetarëve të njësive vendore, kandidatura që do të përzgjidhen dhe më pas do t’I përcillen Kryesisë qendrore të PD-së, e cila do të përcaktojë edhe kandidatët zyrtarë.

Vetëm pak muaj përpara zgjedhjeve të 21 Qershorit, duket se demokratët kanë vështirësi për të përcaktuar kandidatin e tyre për Bashkinë e Tiranës. Shumë nga deputetët demokratë në deklarimet publike i kanë kërkuar Lulzim Bashës të rikandidojë për një tjetër mandate, por mbështetës të tij në PD kanë hedhur hipotezat se kreu demokrat duhet të merret me organizimin e partitë për zgjedhjet parlamentare të 2017, duke lënë kështu të hapur mundësinë për moskandidimin e tij. Ndërkohë shumë nga emrat e përfolur si kandidatë mes të cilëve Grida Duma, Arben Ristani, Eduard Selami, kanë përjashtuar mundësinë e një kandidimi. Të tjerë emra që qarkullojnë për një kandidim janë edhe Enno Bozdo, Kreshnik Çollaku apo Jorida Tabaku,  ndërsa burime nga PD theksojnë se nuk përjashtohet mundësia që PD të ofrojë për Tiranën një emër nga shoqëria civile ose një figurë jopolitike. /gj.k/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje