Mjaft më, i menaxhojmë vetë “punët” tona!

16 Shkurt 2015, 20:40Blog TEMA

Nga Alban Nako

 

Diskutimi i hapur publik mbi reformën e arsimit të lartë në vetvete na tregon shumëçka për vizionin e drejtuar nga “arsimimi publik”. Në mënyrë të pavetëdijshme diskutimi mbi reformën na shfaq dhe një problem të rëndësishëm, fragmentarizmin e grupeve të interesit. Bota akademike në tërësi duket e ndarë si në hapësirë madje edhe në qasjen ndaj zgjidhjes së problemit të përbashkët. Kësaj ndarje të madhe nuk mund ti shpëtonte dhe vetë një nga themelet e këtij sistemi, studenti.

Organet legjitime përfaqësuese të studentëve në mbarë Republikën e Shqipërisë janë pothuaj inekzistente prej 3 vjetësh. Rregulloret e universiteteve publike në të shumtën e rasteve përcaktojnë që organet përfaqësuese, pra këshillat studentor, të zgjidhen në çdo fillim viti akademik. Ndërsa universitetet private, vetëm disa prej tyre realizojnë zgjedhje përfaqësuesish sipas standardeve të ndryshme. Në Shqipëri studentët janë mbi 500 mijë, potencialisht grupi më i madh i interesit por fatkeqësisht grupi më i paorganizuar. Kjo gjendje në të cilën ndodhen studentët shfrytëzohet më së miri nga status-quo që mbizotëron jetën shoqërore.

Ajo çfarë nevojitet është fillimi i një debati publik për të krijuar mundësitë e organizimit të studentëve në mënyrë të unifikuar në nivel kombëtar. Procedurat e zgjedhjeve të krijuara nga universitetet variojnë nga njëra tjetra por në tërësi qëllimi për përfaqësim studentor dështon. Arsyet e dështimit janë të shumta, por besoj që problemi mund ti referohet mungesës së një rregulli të përgjithshëm të njohur nga të gjithë.

Një ligj me objekt kryesor mënyrën e unifikuar për mënyrën sesi bëhen zgjedhjet,

kompetencat e përbashkëta e mbi të gjitha të drejtat dhe detyrimet do të ishte një nga zgjidhjet. E drejta për tu organizuar është një e drejtë kushtetuese ndaj që kjo e drejtë të fuqizohen nevojitet të marri trajtën e një ligji. Domosdoshmërisht nevojitet që në botën akademike të gjitha palët të jenë kundërpesha të njëra tjetrës.

Besoj se zgjidhjet bazuar mbi disa nga pak këshilla studentor ekzistues do të dënonte përsëri studentët, arsyeja se pse bazohet mbi faktin që shumë antarë përfaqësues të studentëve në këshilla studentor kanë mbaruar studimet. Në raste të tjera janë student të emëruar për arsye klienteliste nga dekani ose rektori.

Nga njohuritë e mia mbi ligjin besoj që kjo situatë është jo ligjore dhe mbi të gjitha cënohet mbarëvajtja e organeve kolegjiale. Senati si një organ kolegjial vendimmarrës për universitetin në përbërje të vet ka antarë të cilët ushtrojnë një funksion në mënyrë të padrejtë duke votuar për interesat e atyre që i kanë emëruar. Trumbetohet shumë për autonomi universitare, që universiteti ka të drejtë të menaxhojë vetë punët e veta. A nuk do të ishte më e drejtë që autonomia universitare të zgjerohej në interpretim, që studenti ka të drejtë të menaxhojë vetë punët e veta. Besoj se pavarësisht gjithçkaje studenti ka të drejtë të sendërtoj organet e veta përfaqësuese, tanimë nuk është vetëm nevojshmëri por e domosdoshme.

3 komente në “Mjaft më, i menaxhojmë vetë “punët” tona!”

  1. Nora says:

    As ne para 25 vjetesh nuk kane funksionuar menaxhimi i puneve student -pedagog.te pakten te kontrollohen provimet,nga Min.Arsimit si teza(se japin pyetje qe nuk i shpjegojne kurre pedagoget,po ashtu ushtrimet)dhe te dalin on-line rezultatet e provimit(te mos japim me leke,euro).

  2. elio says:

    Po ne è kemi fajin, ka 25 vjet qe na qeverisin kalamajte dhe shiko ku u katandisem…

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje