Kryeministri Edi Rama dhe homologu i tij Isa Mustafa kanë përuruar së bashku tranzitin e përbashkët doganor mes Kosovës dhe Shqipërisë duke lehtësuar kështu procedurat midis dy vendeve.
Kryeministri i Shqipërisë thekson se, që këtëj e tutje mallrat që do të kalojnë përmes kësaj pike tranziti, do t’u duhet vetem 5 minuta duke mos pasur më procedura të tejzgjatura dhe burokratike. Rama gjithashtu njofton se së shpejti do të kemi edhe një doganë të përbashkët në Morinë- Vërmicë.
Kryeministri Rama e cilësoi këtë ditë të shënuar, pasi bashkëpunimi i ngushtë mes dy vendeve po materializohet tashmë me marrëveshje konkrete, dhe që sipas Ramës synojnë vetëm të bashkojnë shqiptarët e të dy vendeve.
Në këtë drejtim Rama theksoi se me doganën e Vërmicës, shkurtohen pengesat dhe burokracitë e kalimit kufitar mes dy vendeve, ndërsa theksoi se synimi i përbashkët i dy vendeve është të shkohet drejt një bashkimi kombëtar doganor.
“Është një ditë e shënuar sepse i japim fund një kapitulli vonesash, pengesash, për sipërmarrjen që punon në dy anët e kufirit, dhe ka nevojë për këtë pikë shërbimi, jo për t’u vonuar por për ta pasur si pikë kalimi pa asnjë vonesë e burokraci. Nga sot nuk janë më 2 ditë vonesat e kalimit nga njëra anë në tjetrën, por vetëm 5 minuta. Dhe kufinjtë janë pika bashkimi dhe jo ndarje. Kjo ka qenë synimi jonë, të një bashkimi doganor me Kosovën.
Ja ku jemi sot në një nga ato ditë ku materializojmë një pjesë tjetër të gjithë atij mozaiku që kemi përcaktuar nga mbledhja në Prizren. Në ditën kur transiti i mallrave nuk është më ndërkombëtar si deri dje, por bashkim i zyrave doganore të dy vendeve tona.
Nuk është kosto e dyfishtë, por është një procedurë e vetme që përbashkon në një rrugë dy sistemet e të njëjtës gjuhë”, tha Kryeministri Rama
Në kuadër të procedurave lehtësusese ndërmjet transitit doganor mes Shqipërisë dhe Kosovës, Kreu i Qeverisë tha se Porti i Durrësit është pika e vetme e kontrollit të kalimit në Kosovë, pra mjafton kontrolli në Durrës. Sipas Ramës kjo është shprehje e besimit reciprok mes dy vendeve.
Sipas tij, një tjetër procedurë lehtësuese do të jetë edhe zgjerimi i hyrjeve në pikën doganore të Morinës, ku shefi i qeverisë theksoi se që nga kjo verë, nuk do të ketë kontrolle për çdo automjet që futet nga Kosova në Shqipëri, por një kontroll i lehtësuar dhe i rastësishëm.
Po ashtu projekt tjetër është edhe dogana e përbashkët Morinë-Vërmicë, që sipas tij do të mund të bëhet me mbështetjen e Bashkimit Evropian.
“Faktikisht nga sot porti i Durrësit është pika e vetme e kontrollit, dhe mjafton ajo për të shkuar në Kosovë pa qenë nevoja për të rifilluar procedurat edhe këtu. Ky është një proces në vazhdim, që siguria e dhënë në territorin doganor të Kosovës të jetë e vlefshme dhe në Shqipëri dhe anasjelltas.
Në 2 shkurt u lidh edhe kontrata e zgjerimit të hyrjes në pikën doganore të Morinës. Siç e kam komunikuar me mikun dhe kolegun Mustafa, nga vera do të nisë një regjim i ri ku nuk do të ketë më kontrolle 1 për 1 të veturave me të cilat familjet e Kosovës vijnë në Shqipëri për pushime.
Por do të ketë kontrolle të rastësishëm dhe të lehtësuar. Me mbështetjen e BE jemi gati për të ndërtuar dhe doganën e përbashkët Morinë-Vërmicë”, tha Rama.
Në vijim, Rama përshëndeti edhe marrëveshjen e javës së kaluar mes Kosovës dhe Serbisë në sistemin e drejtësisë. Sipas tij, ky është një simbol i një epoke të re në Ballkan ku shqiptarët tashmë janë faktor stabiliteti.
“Sot gjej rastin të përshëndes marrëveshjen Kosovë-Serbi për drejtësinë, dhe kjo marrëveshje është një simbol shumë kuptimplotë i Ballkanit të epokës së re në Bruksel, por edhe i asaj politike të re që në Kosovë kanë ditur ta çojnë përpara me një kurajo shembullore, me të cilën duhet të çojnë edhe forcat qeveritare në Serbi.
Por duke vlerësuar këtë simbolikë, do të doja të kujtoja edhe sot se zemërgjerësia që tregon Kosova, në sigurimin e drejtësisë dhe të drejtave për minoritetin serb, do të duhet bërë normë edhe për Serbinë, që të aplikojë të njëjtat standarde edhe për shqiptarët në Luginën e Preshevës.
Kosova përbën një shembull që rrezaton në të gjithë Ballkanin, për faktin se kjo Kosovë vjen nga një histori e dhimbshme prej së cilës nuk ka nxjerrë armët e hakmarrjes por energjitë e jashtëzakonshme të paqes dhe solidaritetit.
Dhe nga ana tjetër ne duam që po ashtu të kemi edhe regjim të njëjtë të standardeve evropiane edhe në pjesët e tjera, dhe në raport me tjerët. Kjo është një bindje tjetër e jona që kërkon vendosmëri sepse fatet tona janë pandashmërisht të lidhura dhe të tilla duhet të jenë edhe standardet“, theksoi Kryeministri.
Rama tha se më në fund tani shqiptarët kur të flasin me fqinjët do ta bëjnë atë me fakte, duke kërkuar nga ata, diçka që edhe vetë shtetet e Shqipërisë dhe Kosovës ua garantojnë, që ka të bëjë me liritë dhe të drejtat e minoriteteve.
“Në fqinjëve u flasim edhe me gjuhën e fakteve duke mos kërkuar nga fqinjët diçka që nuk e garantojmë. Përkundrazi kërkojmë nga fqinjët që të bëhen garantë për liritë dhe të drejtat me të cilat ne jemi thellësisht të përkushtuar.
Është vendosmëria që sjell suksesin e bashkëpunimit. Thuhet se vendosmëria ngjizi Bashkimin Evropian. Ne këtë vendosmëri jo vetëm e kemi por hap pas hapi na siguron një rrugëtim të përbashkët dhe të suksesshëm ku dëshirat dhe aspiratat janë të ndërlidhura politikisht dhe institucionalisht. Nuk është koha për të humbur.
Është koha e shqiptarëve“, u shpreh Rama.
Kryeministri ka bërë të ditur gjithashtu se projektet e konkretizuara deri më tani vijnë si rezultat i marrëveshjeve nga mbledhja e parë e qeverisë e mbajtur në Prizren. Në këtë kuadër, Rama bëri të ditur se mbledhja e radhës do të zhvillohet në fund të marsit në Tiranë.
“Deklarata e përbashkët e mbledhjes së parë të dy qeverive në Prizren, që do të ketë raundin e dytë në fund të marsit, do të ketë bashkëpunimin e infrastrukturës, dhe bashkërendimin për të ndërtuar sisteme unike në arsim dhe kulturë. Kanë filluar të jetësohen projekte që i përkasin kësaj marrëveshje, dhe e vendosin mbledhjen e dytë në një stad shumë më të avancuar.
Qysh nga pavarësia e Kosovës, qytetarët, mediat, artistët, kanë ditur të bashkërendohen më mirë dhe me më shumë efikasitet se qeveritë. Por tashmë bashkërendimi është i fokusuar në modernizim dhe zhvillim. Dua të përshëndes Kryeministrin Isa Mustafa dhe e mirëpres në fund të marsit në Tiranë kur do të bëhet edhe mbledhja e dy qeverive”, u shpreh Rama.
Nga ana e tij, edhe Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve, duke shtuar se dogana e Vërmicës është në të mirë të bizneseve dhe qytetarëve të të dy vendeve.
“Inaugurojmë një marrëveshje të përbashkët mes dy qeverive nga mbledhja në Prizren dhe shpresoj që këto marrëveshje të vijojnë të zbatohen si rrejdhojë e bashkëpunimit tonë të ngushtë.
Bashkëpunimi ekonomik do të jetë shprehje e bashkëpunimit tonë, shprehje e të qenurit bashkë dhe në rrugën drejt integrimit evropian. Me këtë pikë doganore, përfitojnë bizneset, eficensa e tatimeve. Do të bëhet një rezultat më i madh i evazioni fiskal dhe procedurave të përgjithshmë ne fushën e efikasitetit fiskal.
U konstatua edhe nga dy drejtorët se qëllimi nuk është vetëm shkurtimi i kohës së zhdoganimit, por ehde ulja e kostove, nga të cilët përfitojnë bizneset dhe qytetarët. Jemi të interesuar të bashkëpunojmë edhe më tutje“, tha Mustafa. /e.d/
Doganat po punojne bravo!
Bashkimi eshte nje nga amanetet qe na lane te paret, Bravo Rama qe nuk harron amanetin e te pareve!
Nje ëndërr afër realitetit.
Për hair(hajër)qoftë!
Heren tjeter z.Rama,mer tritol me vete dhe hidhe ne ere doganen e kufirin absurd mes shqiptareve!
Jepja Kosoves portin e Shengjinit o Edvin,jo Kinezeve.Vec Shqiptaret dhan ndihma per permbytjen,te tjeret nuk e rrujten