Aleancat e pritshme për zgjedhjet vendore/ Oketa për Durrësin? Tundohen PS e PD

21 Shkurt 2015, 11:22Politika TEMA

Zgjedhjet vendore të 21 Qershorit kanë vënë në lëvizje partitë kryesore politike në vend për krijimin e koalicioneve dhe përcaktimin e kandidatëve. Ndrësa kolaicioni qeverisës i drejtuar nga socialistët pritet të nisë diskutimet në muajin mars për kandidatët, demokratët e drejtuar nga Basha kanë përcaktuar datën 10 mars si afatin e fundit që Kryesitë e degëve të shqyrtojnë dhe përcjellin në Kryesinë qendrore të partisë më të madhe opozitare kandidaturat e shqyrtuara për kryetarë të njësive vendore.

Koalicionet

Por duket se në lojën e koalicioneve ka hyrë edhe Fryma e Re Demokratike e drejtuar nga ish-Presidenti Bamir Topi, që në zgjedhjet e fundit parlamentar hyri në garë pa qenë pjesë e asnjë koalicioni të drejtuar nga partitë tradicionale, PS e PD. Topi ka deklaruar mundësinë e hyrjes në zgjedhjet vendore me një koalicion, por gjithashtu ka lënë të hapur mundësinë edhe të kandidimit si forcë politike më vete, nëse nuk arrihet një marrëveshje me forcën politike, që sipas ish-Presidentit ka pika të përbashkëta me programin dhe vizionin e kësaj partie.

“ Vetëm për Tiranën, faktori Fryma e Re Demokratike është deçiziv, sepse votat janë në terren. Edhe sikur të merret në konsideratë vetëm pjesa zyrtare e çertifikuar nga komisioni qëndror i vjedhjeve të votës, aq më shumë Tirana sot ridimensionohet sipas ndarjes së re territoriale, votat e FRD-së do të jenë deçizive për zgjedhjen e kryetarit të bashkisë të Tiranës, të Durrësit, të Shkodrës, të Korçës, Elbasanit etj.

Ne kemi pasur oferta shumë të forta në 2013, por i kemi refuzuar për një arsye. Në rast se ti del si një forcë e re politike tek një program që nuk ka kompatibilitet në programin e të tjerëve, madje ka shumë probleme të cilat ne i shohim në optika të ndryshme, kemi vendosur që të strukturohemi, të forcohemi. Zgjedhjet lokale janë zgjedhje administrative”, thekson Topi

Referuar zgjedhjeve të fundit parlamentare dhe rezultateve të çertifikuara nga KQZ-ja, FRD në zgjedhjet parlamentare të 2013 për Qarkun e Tiranës ka marrë 10062 vota, ndërsa në Durrës 4540 vota. Po kështu në Qarqet Shkodër, Fier, Elbasan, Shkodër apo Dibër, Fryma e Re Demokratike ka marrë mbi 2500 vota për secilin Qark, ç’ka mund ta kthejë në një faktor përsa i takon rezultateve rezultatit për zgjedhjen e drejtuesve të rinj vendor, por edhe përsa i përket përbërjes së Këshillave Bashkiake në raste decizive.

Referuar këtyre rezultateve të çertifikuara nga KQZ, FRD në zgjedhjet e fundit parlamentare ka mundur të mbledhë shumë më tepër vota se subjektet që përbëjnë koalicionet të drejtuara nga PS e PD, përjashtuar këtu LSI apo PBDNJ-në, kjo e fundit në zonat jugore të vendit.

Bashkia e Durrësit

Duket se në zgjedhjet vendore të 21 Qershorit, për Bashkinë e Durrësit, ndër më të rëndësishmet dhe të mëdhatë në vend, nuk do të ketë një përballje të drejtpërdrejtë mes emrave të përzgjedhur nga PS e PD. Opozita e kryesuar nga PD ka si alternativë kryesore të saj në këto zgjedhje për këtë bashki deputetin republikan Agron Duka.

Në anën tjetër, LSI, partia e dytë më e madhe në koalicionin qeveritar të drejtuar nga PS, pritet të kërkojë mbështetjen e socialistëve për të drejtuar Bashkinë e Durrësit përmes një kandidature të përzgjedhur prej saj. Burime nga LSI konfirmojnë se emri që do të propozohet është Lefter Koka, ministër i Mjedisit, por që në 2003-2007 ka drejtuar Bashkinë e Durrësit.

Përballë emrave që përfliten nga dy kaolicionet, FRD duket se do të propozojë Gazmend Oketën, një nga figurat qendrore të kësaj partie, i cili në 2005 u zgjodh si deputet i PD-së në Qarkun e Durrësit. Por emri i Oketës, duket se ka tunduar dy koalicionet. Oketa merr vlerësime nga demokratët, por sipas tyre mbështetja kushtëzohet nga koalicioni.

Referuar përplasjeve dhe akuzave që janë shkëmbyer mes ish-Presidentit Topi dhe ish-Kryeministrit Berisha, i cili ka një vendimmarrje thelbësore në partinë Demokratike, duket se koalicioni mes FRD dhe PD është i pamundur, çka favorizon mundësinë e përfshirjes së kësaj partie në një koalicion të drejtuar nga socialistët e drejtuar nga Kryeministri Rama.

Por nëse ky koalicion do të mund të realizohet dhe FRD do të këmbëngulë për kandidimin e Oketës për Bashkinë e Durrësit, atëherë PS duhet të zgjidhë ngërçin që mund të krijohet me LSI-në, nëse partia e drejtuar nga Ilir Meta do të këmbëngulë për të pasur kandidaturën e saj për Bashkinë e Durrësit.

Gjithsesi edhe nëse nuk arrihet koalicioni, duket se për këtë bashki do të ketë një përballje mes emrave të propozuar nga 3 forca politike të konsideruara të vogla, PR, LSI dhe FRD. /gj.k/

 

 

6 komente në “Aleancat e pritshme për zgjedhjet vendore/ Oketa për Durrësin? Tundohen PS e PD”

  1. anannananan says:

    Filloi TEMA sherbimet elektorale!

  2. Naftetari says:

    Agron Duka repubilano socialist balliso zogizt komunist hahahahahh ca palaco ka ky vend.

  3. TR says:

    Une si socialist votoj per Oketen,djale i ri,i drejte dhe i ndershem.

  4. demokrat says:

    Edhe pse jam me PD, do preferoja Gaz Oketen. eshte djale qytetar dhe durresi e meriton nje kryebashkiak te tille. Vlerat njerezore dhe kapacitetet mbi te gjitha.

  5. Po po te gjithe ne socialistet per oketen do votojme…

  6. Gerond says:

    Nuk do ky vend djem te mire si Oketa.Ky vend do vetem intrigante qe nuk dine te punojne.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje