Kryetari i Parlamentit suedez Urgan Ahlin nuk ka nguruar të shprehë arritjet dhe ndryshimet që kanë ndodhur në Shqipëri prej fillimit të viteve ’90, kohë kur ai zhvilloi vizitën e parë në Tiranë. Sot pas 20 vitesh nga vizita e parë e kryer në Shqipëri, Ahlin tha se nuk do t’i kishte besuar ndryshimet që ka pësuar vendi ynë me liberalizimin e vizave, anëtarësimin në NATO dhe marrjen e statusit kandidat për në BE.
“Suedia do të mbështesë më shumë nga të gjithë anëtarësimin e Shqipërisë dhe hapjen e negociatave”, tha Ahlin.
Kryeparlamentari suedez theksoi se vendi i tij nuk është skeptik përballë anëtarësimeve të reja duke shtuar se qëndrimi i Suedisë është i qartë: Zgjerimi i BE-së është pasuri për Evropën.
Ahlin tha se Suedia nuk është vend skeptik sa i përket zgjerimit të mëtejshëm të Bashkimit Evropian, por se vendet aspirante duhet të përmbushin kriteret.
“Suedia nuk është pjesë e vendeve skeptike. Një shumicë e madhe në Suedi mbështet faktin që zgjerimi i BE-së është pasuri për Evropën.
Ne nuk kemi kufizime për këtë, duam vërtetë ta shohim Evropën të zgjeruar. Por anëtarësimi nuk vjen lehtë, duhen përmbushur kushtet.
Në krahasim me kur isha këtu para 20 vjetësh, Shqipëria ka bërë shumë arritje. Suedia do të mbështesë më shumë nga të gjithë anëtarësimin e Shqipërisë dhe hapin e negociatave”, theksoi Ahlin.
Këto vlerësime Kryetari i Parlamentit suedez i shprehu në konferencën e përbashkët për mediat me Kryetarin e Kuvendit Ilir Meta, pas takimit të zhvilluar në Tiranë.
Referuar situatës së krijuar në BE rreth skeptikëve ndaj zgjerimit, Kryeparlamentari Meta përdori një batutë kur tha se “urojmë që të gjitha vendet të jenë skeptike si Suedia”.
Meta tha se e njohu homologun e tij me vendosmërinë për të përmbushur 5 prioritetet e Bashkimit Evropian dhe për të forcuar zbatimin e ligjit në luftën kundër krimit të organizuar.
Kryetari i Kuvendit u ndal veçanërisht në realizmin e reformën në drejtësi.
“Suedia është një vend tejet demokratik, duke iu referuar deputetit me origjinë shqiptare që ndodhet në parlamentin suedez. Suedia i jep mundësi të gjithëve pa asnjë paragjykim, jo vetëm për të zgjedhur por edhe për tu zgjedhur”, u shpreh Meta.
Sipas tij, Shqipëria mirëpret investimet suedeze, ndërsa në fokus të bisedimeve u vendos edhe rëndësia e projekteve në rajon, në kuadër të forcimit të rolit të Shqipërisë për stabilitetin në rajon . /gj.k/