Burrimi i urrejtjes

23 Mars 2015, 17:59Blog TEMA

Nga Ferdinand Agalliu

 

Duhet pranuar, se, në ambjentin shoqëror, urrejtja e verbër politike është bërë me të vërtetë e padurueshme. Por, me sa duket, politikanët tanë kjo i zbavit shumë. Për ta është i pakuptimtë shërbimi ndaj vëndit dhe shoqerisë. Një mendimi të tillë ata i druhen shumë dhe do ta trajtonin në këtë rast vehten thjesht si cdo i semurë që ka nevojë për ndihmë. Kuptohet, thjesht interesi vetjak i bënë skajshmërisht jo shoqeror në sjellje. Ineresi i tyre është pushteti dhe ky me te vetmin qellim, të fitojnë sa më shumë.

Sjellja e tyre mund të përmblidhet fare shkurt në thënien : “ paraja dhe miqësia rrinë bashkë aq sa edhe vaji me ujin.”

Sidoqoftë, mendoj, vec dëshirës për të zhvatur, urrejtja ka edhe një burim tjetër. Janë normat morale që kanë sunduar dhe vazhojnë të sundojnë tek ne ato që e ushqejnë dhe mbajnë gjallë atë..Dhe për ta konkretizuar sadopak këtë, po paraqes një diskutim në ambjentin tim familjar shumë vite më parë …

Bisedonim në kuzhinën dhomë – pritje për dëmet e pallogaritëshme që sjell pirja e duhanit. Kuptohet, pinim duhan dhe diskutimi sa vinte e bëhej më i zjarrtë. Të gjithë sillnim në bisedë argumeta për tmerret që buronin nga duhanpirja.

Xhaxhai ynë, gjuhëtar, pedagog universiteti, i ardhur për vizitë tek ne, na dëgjonte me vëmëndje dhe nuk fliste fare. Në një moment, për ta përfshirë edhe atë në diskutim, e pyes: po ju cfarë mendimi keni? Mbaj mënd, pasi lëvizi pak nga vëndi, na u drejtua pak a shumë me këto fjalë:

-Dëgjoni, çuna, po ju dëgjoja me vëmëndje dhe të them të drejtën nuk e dija se paskeni qënë me të vërtetë budallenj. Çfarë kujtoni ju, se me ato që keni lexuar tek “Shkenca dhe Jeta” do të mund të arrini të lini duhanin? Gjepura.

– Për këtë ju pyetëm, ju çfarë na sugjeroni?- vazhdova unë.

– Së pari, ju pyes seriozisht, doni ta lini duhanin, apo jeni përfshirë në këtë diskutim thjesht të kaloni kohën?

– Ç’kuptim ka kjo, ju e shikoni që ne kemi dy orë që luftojmë të gjejmë argumenta për ta shmangur këtë të keqe që na ka zënë. Pse duhet të dyshosh në sinqeritetin e synimit tonë?- u hodh e tha njëri nga diskutantët. Xhaxhai, i ndritë shpirti atje ku është, një antikomunist i vendosur, i cili qysh në moshë të re dëgjonte fjalimin sekret të Hrushovit në valët e “Evropa e Lirë” dhe burimet e informacionit i merrte në jo më pak se pesë gjuhë, pasi mori frymë thellë, tha:

– Dakord. E kuptoj se qënkeni në prag të marrjes së një vendimi që ju bënë nder. Por lënia e duhanit, e këtij vesi të pamëshirshëm, është dicka tmerrësisht e vështirë. Për këtë arsye, kërkoj prej jush të jeni plotësisht të vëmëndshëm në ato që do t’ju them. Dhe pasi u bind se përqëndrimi ynë ishte në shkallën e nevojshme vazhdoi:

-Duke ditur se sa e vështirë është të lësh duhanin, gjëja e parë që ju duhet të bëni, pra kushti themelor është: ju duhet ta shpallni atë medoemos ARMIK. Ju duhet ta urreni atë, dhe pa e shpallur si të tillë, as që mund të pretendoni për sukses. Por, kuptohet, kjo nuk është e mjaftë. Sepse, ashtu sic edhe e dini, gjermanët, rusët, polakët, anglezët, francezët, e shumë popuj të tjerë, gjatë luftës së fundit u përleshën si armiq të betuar, por pasi lufta mbaroj, u bënë përsëri miq. Kështu mund të ndodh edhe me ju. Mund ta lini përkohësisht duhanin dhe më vonë ta rifilloni pirjen e tij. Kjo muk mund te quhet lënie. Ndaj po ju them, i vetmi burim, ku ju të mund të siguroni një urrejtje të përjetshme për duhanin, ose më sakt, që urrejtja për të t’u bëhet dicka organike, pjesë e shpirtit, është të lexoni dhe rilexoni me vëmëndjen më të madhe kapitullin e luftës së klasave në veprën e “ndritur” të shokut Enver. Ky kapitull të pais me një urrejtje të hatashme për armikun. Një urrejtje e vrazhdë që do t’ju shoqëroj kudo, ditën, natën, në të ftohtë apo vapën përvëluese, në ëndërr apo zhgjëndër, punë, pushim apo festa. .Ju ndoshta mund të mendoni se urrejtja që buron nga studimi i këtij kapitull mund të ketë efekt vetëm në urrejtjen e njeriut për njeriun, por gaboni rende. Është një urrejtje efektive për cdo gjë , pra si t’ju them, një urrejtje me spektër të gjërë, kolerë e vërtetë. Edhe sikur të dilte shkencërisht që duhani jo vetëm nuk të dëmton, por, përkundrazi, të bënë mirë për shëndetin, ju do të vazhdonit stoikisht ta urrenit dhe as që do t’ju shkonte ndër mënd për t’u pajtuar me rezultatet e reja qofshin ato thellësisht shkencore. Ndaj nguleni mirë në kokë, burim tjetër për të urryer përjetësisht nuk ka…

Kaq tha. Mbaj mënd, për pak sekonda, pllakosi heshtje. Pastaj filluam të buzeqeshnim dhe në fund ja plasëm gazit.

Atëherë ne qeshëm me të madhe me ironinë e atyre fjalëve. Qeshnim, sepse si te rinj që ishim, sinqerisht besonim se burimi i urrejtjes një ditë do të shteronte. Dhe kishim kurdoherë shpresë për ditë më të mira. Por nuk kishim të drejtë. Këtë po na e vërteton më së miri koha ku jetojmë. Ndaj pa mëdyshje mund të thuhet, se pa qërimin nga kjo botë të brezit tonë, as që mund të pretendohet për dicka ndryshe. Brezi ynë, pra ne dhe vetëm ne jemi helmi i kësaj kohe. Po nuk u tërhoqëm ne mënjanë, as që mund të shpresohet për mirësi në këtë vënd.

5 komente në “Burrimi i urrejtjes”

  1. Suferina says:

    Nje meditim i shkelqyer i ketij kuadri qe aq shume i dha demokracise e cila ia shperbleu vetem me pabesira e cgenjime te renda

  2. tfgs says:

    nuk eshte urrejtie politike,por urrejtie mes nje shqiptari dhe nje suniti shqipfoles ………………

  3. Pilo Lala says:

    Xhaxhai i ketij, ishte aq Antikomunist, sa degjonte fjalimet e nje Komunisti si Hrushovi.
    Po ato 4 gjuhet e tjera qe dinte per cfare i duheshin?
    Doni me per Belulin, Agalliun, dhe xhaxhane e tij multilinguist?
    Ky vazhdon akoma te thote ne kafe: Kam qene nxenes shume i mire ne Gjimnaz.
    Keta kane ngelur akoma ne bangat e Gjimnazit.

    1. autori says:

      Pilo, c’ke qe shqetesohesh, o shpirt, nuk eshte ushqim per stomakun tend ky.

  4. Gjon Gjini says:

    Booo-bo, po pse e tregove sekretin more burrë i dheut?! Tani që e mësuan edhe ata që janë shkaku do bëjnë çmos të ngjallen lugat. Më shumë prishe punë se sa ndreqe me ndriçimin e kësaj meseleje.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje