Kurthi kushtetues

31 Mars 2015, 16:13Blog TEMA

Nga Ledian Droboniku

 

Shqiptarët sot gjenden brënda një Kushtetute që nuk është ajo që ata votuan në vitin 1998. Kushtetuta është ndryshuar disa herë nga krerët e politikës, pa dënjuar të marrin parasysh as pëlqimin e qytetarëve as atë të opinionit publik apo atij akademik. Ndryshimet kushtetuese dhe ato ligjore që pasuan, shkojnë nga një anë drejt përqendrimit të pushtetit në pak duar dhe nga ana tjetër drejt mbylljes të sistemit për qytetarët.

Hartuesit e Kushtetutës dhe miqtë e Shqipërisë, të ndërgjegjësuar për papërgjegjshmërinë e klasës politike që solli kolapsin e vitit ’97 ku u desh ndërhyrja e ushtrive perëndimore për të sjellë paqen në vend, kishin vetëm një merak: evitimin me çdo kusht që pushteti të binte në pak duar në mënyrë që ai të ngrihej mbi baza konsensuale dhe i kontrollueshëm nga qytetarët.

Institute si zgjedhja konsensuale e Presidentit të Republikës do ishte garanci e një Magjistraturë dhe institucione të tjera të pavarur; ligjet më të rëndësishme do kalonin me shumicë të cilësuar; sanksionimi i transparencës si një parim i rëndësishëm kushtetues; mundësia e referendumeve dhe nismave ligjvënëse si mundësi që qytetarët të angazhoheshin kundër inercisë së legjislatorit.

Zgjedhja e Presidentit nga partia e radhës i dha lamtumirën “shpresës” për konsesus politik dhe bashkë me të ëndrrës për ndarje të pushteteve, pavarsi të gjyqësorit, universiteteve, diplomacisë, ushtrisë etj.

Flirtimi i radhës i dinosaurëve të politikës, polli brënda natës ndryshime kushtetuese që paralizonin proçeset demokratike në vend. Hartimi i listave të mbylluara për kandidatët rriste akoma dhe më shumë autoritarizmin ekzistent në ato parti diregjenciale që nuk u bënë kurrë demokratike. Dekonstitucionalizimi i KQZ-së dhe militantizmi i saj, hartimi i një kodi zgjedhor përjashtues ishin pjesë e të njëjtit vizion, goditjen e pluralizmit në vend, dhe marrjen në kontroll të gjithë format e pushtetit.

Pjesë e këtij vizioni autokratik është në radhë të parë përjashtimi i qytetarëve dhe nismave të tyre nga proçeset vendimarrëse apo kontrolluese. Vështirësia titanike proceduriale përveç atyre ligjore dhe financiare, për mbledhjen e firmave për referendume apo kandidatë të pavarur ka për synim të dekurajojë çdo zë ndryshe që nuk dëshiron të kooptohet prej klasës politike të tranzicionit. Mospasja e një ligji për referendumet, nismave ligjore popullore, peticioneve apo ligji gjysmak dhe i pazbatueshëm mbi transparencën i aktivitetit shtetëror është pjesë komplementare e këtij vizioni autoritar.

Po në këtë drejtim shkon dhe “harresa” për ligjin për votimin e emigrantëve. Shqiptarët jashtë Shqipërisë nuk duhet të votojnë megjithëse përbëjnë gjysëm e sovranitetit popullor dhe kontribuojnë financiarisht, thjesht sepse përbëjnë rrezik për status-quon e politikës, sepse për nga natyra janë më kritikë ndaj sistemit ngaqë bëjnë lehtë krahasimin me vendet ku jetojnë; nuk bien pre as e propadandës së përditshme as dhe frikës së vendit të punës apo joshjes në kushtet e mbijetesës.

Klasa politike shqiptare vuan reminishencën e regjimit monist ku e sheh të drejtën dhe Kushtetutën si një lojë që luhet brënda pallatit të pushtetit dhe jo si një metër legjitimimi para qytetarëve. Ndërsa mentaliteti totalitar komunist trajtonte individët si nënshtetas, demokratura e tranzicionit i trajton njerëzit si spektatorë dhe jo si qytetarë. Rezultati është i njëjtë, qytetarët mund të “llomotisin” por nuk duhet të kenë instrumenta për të kontrolluar dhe influencuar politikbërjen në vend.

Ky proçes de-demokratizimi i shtetit shqiptar ka si qëllim kryesor kontrollin e çdo mekanizmi llogaridhënës të politikës para qytetarëve. Të drejtat politike të qytetarëve asgjësohen kur ato nuk arrijnë të organizohen dhe të formojnë trupa të ndërmjetme midis superpushtetit shtetëror dhe lirive të individëve. Pushtetmbajtësit e Republikës së tranzicionit ndërsa nuk ndalojnë dot liritë individuale, si është e drejta e fjalës dhe shprehjes së mendimit, “përkujdesen” që ato të mbeten thjesht individuale nëpër kafene pa u transformuar në ide dhe presione ndaj politikës aktuale.

Kontrolli indirekt i medias private me favore të ndryshme politike dhe kontrolli direkt i medias shtetërore ka për qëllim uzurpimin e çdo hapësire publike mediatike, duke kontrolluar dhe pilotuar kështu qarkullimin e ideve në vend. Strukturat e pushtetit nuk duan të kenë asnjë formë kontrolli nga organizma të tjerë. Kjo bëhet ose duke delegjitimuar hapur organizma ligjorë si janë sindakatat, ose duke manipuluar organizmat e tjerë shoqëorë si është shoqëria civile. Krijimi dhe promovimi i dhjetëra OJQ-ve prej pushtetit, uzurpon kështu dhe atë hapësirë ku njerëz dhe ide alternative mund të përbënin rrezik për vazhdimin e status-quos.

Duke bllokuar këto kanale, qytetarëve nuk iu mbetet mënyrë tjetër për tu organizuar veçse partive politike. Kanal ky në kontroll të plotë të pushtetit, ku nuk diskutohen më ide, por lavdërohet njëshi dhe rekrutohen dishepuj dhe aspirantë të plaçkitjes publike. Në këtë mënyrë funksionimi antidemokratik dhe klientelist i partive injektohet në sistemin shtetëror duke përjetësuar këtë elitë politike.

Shqiptarët sot gjenden brënda këtij sistemi të cilin as nuk mund ta ndryshojnë dot, sepse janë përjashtuar nga mundësia për të ndryshuar Kushtetutën. Për këtë arsye, beteja për normalizimin e vendit nuk është thjesht betejë emrash me rotacion, por betejë për të ndryshuar këtë sistem që përjetëson tranzicionin antidemokratik dhe mban larg energjitë njerëzore për ndryshimin e vendit.

Historia botërore por dhe ajo shqiptare na mëson së nëse sistemi mbyll të gjitha kanalet e vendimarrjes, qytetarët herët a vonë ndërgjegjësohen dhe mund të organizohen në forma të tjera që jo gjithmonë janë paqësore dhe të pëlqyeshme për pushtetin.

9 komente në “Kurthi kushtetues”

  1. mira says:

    Si po behet edhe tani, jo vetem zorzopat e politikes por edhe mbeshtetesit analiste jashte politikes bien ne llumin e krijuar nga politika dhe Kushtetuta e “bere per veten e tyre” ku promovohen emrat e caktuar po nga politika dhe ne kete sistem te mbyllur keta riciklojne veten pafundesisht deri sa natyra tu mare kembe,dore e mendje.

    Me vinte keq tek degjoja Shpetim Nazarkon ne nje emision qe bente reklame per kandidaten e Bashkise te catuar nga Komandanti Rilindjes, dhe qe nuk do jete gje tjeter vetem nje kukell qe i shtyp butonat Rama.
    E them Nazarko me keqardhje sepse kemi patur besimin se ishte analist i paanshem dhe i pakompromis.

    Une jam popull qe ne 23 qershor votova Rilindjen me shprese se do behej SHTET, do reformohej Drejtesia, do mundohej te pakesohej korupsioni sidomos u premtua qe nuk do lejonin vazhdimin e shkaterimit te Tiranes.

    Sistemi i drejtesise vetem por katranoset me keq me dhallet dhe koset ne krye. Se cfare behet neper digastere nuk shohim gje po kur shohim se betoni po perpin hapesira te premtuara qytetareve, femijve dhe te moshuarve, dhe po i grabisin mafiozet e veshur me pushtet, kjo eshte maja e ajsbergut, cfare duhet te mendoj per te tjerat?
    Kushtetuta eshte ndruar si kostumet e politikaneve brenda nates dhe sipas interesave te tyre. Ku eshte populli?
    Prandaj po cirremi dhe po masturbohemi kemi 25 vjet qe hoqem diktaturen?
    Nuk kemi hequr asnjegje, kemi bere vetem makiazh te qelbur surratit.

    1. fatmiri says:

      mira, ti kujton se nuk te njohin. Ke futur vetem koken ne rere, por kujdes se do ta bluajne ate qe ke prapa si strucit. E pastaj do ngelesh pa hiç e nuk te do njeri. Ti ke votuar rilindje?! E habiteshme. Ti je dore e zeze e sali berishes.

  2. Erand says:

    Garancia e qytetarit pas revolucioneve demokratike ishte jo perqendrimi por kufizimi dhe kontrolli i pushtetit!
    Pse akumuloi pushtet Berisha dhe sot Rama?
    Kush e kontrollon sot Ramen?
    Partia e tij?
    Parlamenti?
    Magjistratura?
    Media?
    Akademiket?
    Artistet?
    Qytetaret pa asnje instrument ne dore?
    Apo nje opozite e inkriminuar?
    …. gjithcka tjeter eshte teater i shemtuar 25 vjecar….

  3. lume e det says:

    Shqiperin e mori turku, i vu zjarr, shqipetar mos ri po duku, shqipetar… Po s’vuri dore Zoti i Madh ketu, ska per tu bere kurre ky vend. Me kete popull qe nuk thote te zgjuhet nga frika e frikacakeve… Po ka dhe nje te drejte sepse i mungon “cobani “…perse valle po vonon!!!

  4. Evi says:

    Pushteti i sotem, por jo me pak dhe ai i djeshëm, nuk e kane fare problem izolimin, por edhe eliminimin fizik, te te gjithe zerave ndryshe. Keshtu qe edhe ata pak njerez qe jane vertet progresiste nuk iua mban te hapin gojen sepse ne nje fare menyre do goditen fort nga ky sistem i kalbezuar.

  5. Ishi says:

    Artikull leshi, ka ardhur momenti qe qytetaret ti përvishen punës e te shporrin njehere e pergjithmone funderrinat e tranzicionit, e mjaft me teori se boll degjuam per 25 vjet. Ka ardhur koha per veprim, sa me shpejt. Ndryshe krimbat e tranzicionit sofistikohen gjithmone e me teper, deri ne perfeksion

    1. Arber says:

      Fiks! Ke te drejte por Kete thote edhe artikulli po ta lexosh. Autori bashke me dhjetera intelektuale te tjere me formim perendimor i jane perveshur punes e po rrezikojne dhe vendet e punes. Levizja shqipON, nese nuk ke degjuar eshte sistemi nuk lejon keto ide te perhapen frikshem per pushtetaret e tranzicionit!

  6. ajlinda says:

    Ju pergzoj per kete artikull.
    Ne shqiptaret kemi nevoj te degjojme intelektuale qe trajtojne problemet dhe shqetsimet reale pa I zbukuruar. Un ju ndjek dhe tek levizja ShqipOn jam dakort dhe me rekomandimet qe jepni.
    Te faleminderit se shkrime te tilla na japin besim se ka ende njerez qe s’lepijne pjata e duan realisht mekembjen e vendit duke trajtuar ceshtjet ne thelb si dhe duke dhene zgjidhje.
    ? ?

  7. anannananan says:

    Artikulli, OK. Vetem se fjala “brenda”, shkruhet me “e” dhe jo me “ë”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje