Raul Gonzalez po përjeton një eksperiencë të re në radhët e Nju Jork Kosmos, ku përveçse aktivizohet në fushën e lojës, ka nisur një projekt për rigjallërimin e sektorit të të rinjve.
Edhe pse ai është pjesë e historisë së Real Madrid, nuk ngurron të kritikojë ish- klubin, të paktën në versionin “Galaktikë”:
“Nuk e kam kuptuar asnjëherë versionin e lojtarit mediatik dhe mekanizmat që duhet të funksionojnë për të fituar Topin e Artë. Në këtë sport më pëlqen futbolli dhe jo ajo që e rrethon. Unë jam përpjekur t’i qëndroj përherë besnik këtij versioni”.
Një sjellje kjo që ndoshta i kushtoi Topin e Artë, trofe që në vitin 2001 shkoi për Mikael Ouen dhe jo për idhujt e tij:
“Për mua Paolo Maldini është ndoshta një nga lojtarët më të mëdhenj të historisë. Është çmenduri që nuk u nderua asnjëherë me këtë çmim. Kam vlerësuar përherë edhe Gigs e Skolls. Sot fëmijëve të Kosmos u këshilloj të marrin shembull nga Ksavi apo Iniesta, por edhe nga Serxhio Ramos për agresivitetin dhe respektin”.
Një mbrojtës, që bashkë me Kasijas është sinonim i shpirtit mbretëror të Realit:
“Po flasim për kulturën e respektimit të kundërshtarëve. Nuk duhet t’i biesh gjoksit kur gjërat shkojnë mirë, por as të dëshpërohesh kur shkojnë keq. Është një shpirt që kërkon shumë ekujlibër, sepse mbi vete ke sytë e miliona njerëzve”.
Një shpirt ndoshta në kontrast me yjet si Kristiano Ronaldo dhe Mesi, që sipas Raul do të monopolizojnë edhe për shumë vite Topin e Artë.
Në vijim, ai del kundër stilit të Realit të Madridit që në të shkuarën ndërtoi një skuadër të mbushur me yje:
“Nuk e kam kuptuar asnjëherë termin Galaktikë. Nuk më pëlqen aspak. Unë pëlqej futbollin dhe futbolli nuk është i galaktikëve”.
Në intervistën dhënë për mediat amerikane, Raul zbulon edhe një prapaskenë të së shkuarës:
“Ëndrra ime ishte që të largohesha nga futbolli si lojtar i Realit, por pas 17 viteve në Madrid kisha dëshirë të provoja eksperienca të reja”
Raul Gonzales legjenda e Baletit te Bardhe.