Simeone: Dëmtimet, jo justifikim për Guardiolën

5 Maj 2015, 15:24Sport TEMA

Trajneri i Atletikos së Madridit bën analistin, teksa flet gjerë e gjatë në një intervistë rreth përballjes mes Barcelonës e Bajernit në Champions.

Diego Simeone pohon se kurrë nuk ka patur rastin të ndajë dhomat e zhveshjes me Pep Guardiolën, por e njeh mirë nga miqtë e përbashkët që kanë të dy trajnerët:

“Shumë lojtarë më kanë folur për entuziazmin dhe pasionin në punën e Guardiolës.

Ndeshja me Barcelonën do të jetë e veçantë për të sepse do të rikthehet në klubin ku u rrit si lojtar dhe ku ka shkruar shumë histori si trajner.

Fakti që njeh lojtarët e Barçës do ta ndihmojë shumë në përgatitjen e këtij takimi”.

Në ndeshjen e parë gjysmëfinale, bavarezët shkojnë me mungesa të shumta, megjithatë për Simeonen, ky nuk mund të përdoret si justifikim për Guardiolën:

“Bajernit i mungojnë lojtarë të rëndësishëm, por ky është një klub i madh, ndaj ka detyrën që të zbresë në fushë me një formacion sa më të fortë.

Dëmtimet nuk janë justifikim sepse lojtarët cilësorë nuk i mungojnë”.

Nga ana tjetër, Simeone vlerëson edhe Luis Enriken për punën e mirë që ka bërë te Barcelona:

“Po flasim për një nga skuadrat më të mëdha, që ka 3 apo 4 lojtarët më të mirë në botë.

Barcelonës nuk i mungon asgjë në sulm dhe po kështu është e fortë edhe në mbrojtje.

Enrike meriton vlerësime sepse e ka bërë ekipin më efektiv në mesfushë dhe më të fuqishëm në repartin ofensiv e atë difensiv”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje