Avioni i rrëzuar në Divjakë/ Prokuroria dërgon në gjyq pilotin Riformato dhe 6 persona të tjerë

8 Maj 2015, 19:56Kronika TEMA

Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundoi hetimet dhe dërgoi në gjykatë dosjen në ngarkim të shtetasit italian, Giorgio Riformato, i akuzuar për trafik droge, i cili drejtonte avionin që më 10 prill të vitit të kaluar u rrëzua në plazhin e Divjakës me 300 kg kanabis.

Së bashku me të për gjykim janë dërguar edhe shtetasit Sajmir Bajrami, Kleviol Ahmeti, Aurel Pupe dhe në mungesë shtetasit Mareglen Ymeraj, Kristian Demçe dhe Orgest Bilbili.

Në bazë të hetimit, ka rezultuar se shtetasit Sajmir Bajrami dhe Giorgio Riformato kanë hyrë nga Italia në Shqipëri pak ditë para ngjarjes dhe, nëpërmjet të pandehurve të tjerë, dyshohet se kanë siguruar lëndën narkotike, të cilat do ta trafikonin drejt Italisë nëpërmjet një avioni sportiv, të drejtuar nga piloti italian.

Avioni i drejtuar nga shtetasi Riformato është gjetur i ulur në zonën e plazhit të Divjakës, me një rrotë të thyer, në pamundësi për t’u ngritur. Pranë avionit, nga ana e forcave të policisë janë gjetur disa çanta, në përbërje të të cilave sipas ekspertizës së mëvonshme, rezultonte se ishin 94 kilogramë lëndë narkotike canabis sattiva. Në vijim të veprimeve policore, u arrit të zbuloheshin edhe disa çanta të tjera, në një rrugë në afërsi të vendit ku gjendej avioni, në automjetin tip Mitsubishi të drejtuar prej Sajmir Bajramit. Nga ekspertiza e kryer mbi lëndën e gjetur në këto çanta rezultoi se ishte lëndë narkotike canabis, me peshë 211.8 kg.

Pas veprimeve hetimore paraprake, është kryer arrestimi i shtetasve Giorgio Riformato dhe Sajmir Bajrami. Më pas, në vijim të hetimeve të zhvilluara nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, u arrit të identifikoheshin edhe bashkëpunëtorët e tjerë të këtyre dy personave, për të cilët po dërgohet bashkërisht kërkesa për gjykim. Ky procedim penal është ndarë dhe po vijojnë hetime të mëtejshme për persona të tjerë të përfshirë.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje