Presidenti Bujar Nishani priti të në një takim Madhërinë e Tij, Abdullah II-të, Mbreti i Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, në vizitën e parë zyrtare në Tiranë.
Gjatë konferencës së përbashkët për shtyp, Presidenti Nishani dhe Mbreti jordanez vlerësuan marrëdhëniet e mira mes dy vendeve, duke shprehur nevojën për intensifikimin e mëtejshëm të tyre.
Kreu i shtetit shqiptar dhe monarku jordanez vlerësuan bashkëpunimin për konsolidimin e paqes në rajonet respektive ku dy vendet bëjnë pjesë, Ballkanin Perëndimor dhe Lindjen e Mesme, ndërsa shprehën angazhimin për koordinimin e përpjekjeve të përbashkëta në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar.
Presidenti Nishani duke vënë në dukje marrëdhëniet e mira politike dhe miqësore që ekzistojnë mes dy vendeve, shprehu besim që vizita e Madhërisë së Tij në Tiranë, do të shërbejë si nxitje e fuqishme për krijimin e kushteve për një etapë të re në bashkëpunimin dypalësh.
“Kjo vizitë do të kontribuojë dukshëm në forcimin e miqësisë mes dy vendeve dhe dy popujve tanë, si dhe do të krijojë kushte për zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë”, u shpreh Nishani.
Gjatë takimit të sotëm, vijoi ai, vlerësuam se përtej marrëdhënieve të mira politike e miqësore mes dy vendeve tona, potencialet e bashkëpunimit në fusha konkrete janë ende të paeksploruara mirë.
“Mes dy vendeve ekziston relativisht një klimë e favorshme për zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe dhe besoj se kjo vizitë do të shërbejë si një nxitëse e fuqishme për konkretizimin e tyre në fusha konkrete, veçanërisht në ekonomi, arsim, shkencë, turizëm dhe fusha të tjera bashkëpunimi”, u shpreh Nishani.
Gjatë takimit, dy zyrtarët e lartë diskutuan dhe për bashkëpunimin në organizatat ndërkombëtare, sidomos në Kombet e Bashkuara, ku ka një eksperiencë të konsoliduar mes dy vendeve.
“Shqipëria ka qënë mes vendeve që ka mbështetur kandidaturën e Jordanisë si anëtare jo e përhershme në Këshillin e Sigurimit për vitin 2014-2015, dhe vlerëson rolin që Jordania, nën drejtimin e Madhërisë së tij Mbretit Abdullah i II-të, ka luajtur në këtë Këshill”, tha ai.
Presidenti shprehu besimin pozitiv për rolin e Jordanisë në OKB, në drejtim të ruajtjes së paqes, forcimin e sigurisë, veçanërisht në rajonin e Lindjes së Mesme, por jo vetëm.
Kreu i shtetit i shprehu Madhërisë së Tij mirënjohjen e shqiptarëve për njohjen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2009, duke vlerësuar qëndrimin që ky vend mbajti ndaj rezolutës për situatën në Kosovë, në Organizatën e Konferencës Islamike.
Në deklaratën e tij, Nishani veçoi dhe diskutimet me Monarkun jordanez për mundësinë e rritjes së koordinimit dhe angazhimeve të përbashkëta në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar, duke e konsideruar atë një sfidë të përbashkët dhe globale, që kërkon veprime të koordinuara dhe të vendosura.
Nga ana e tij, Mbreti Abdullah i II-të tha se si një vend me shumicë myslimane Shqipëria luan një rol mjaft të rëndësishëm në luftën kundër terrorizmit.
“Të gjitha vendet duhet të bashkëpunojnë për të zgjidhur një çështje të tillë. Edhe në Shqipëri, sikurse në Jordani, të gjitha komunitetet bashkëpunojnë me njëri-tjetrin, muslimanë dhe të krishterë”, u shpreh Madhëria e Tij.
Duke vlerësuar deklaratat e Presidentit Nishani për bashkëekzistencën dhe bashkëpunimin mes vendeve, në funksion të paqes, Mbreti Abdullah i II-të përcolli mesazhin e rëndësishëm të bashkëpunimit për t’i bërë ballë një problemi të tillë.
“Edhe në Jordani po bëjmë të njëjtën gjë, në mënyrë që të kemi vetëm paqe dhe të shpresojmë që të kemi një të ardhme sa më të mirë bashkë”, deklaroi Mbreti Abdulla i II-të.