Kuvend/ Betohen 8 deputetët e rinj

14 Maj 2015, 11:23Politika TEMA

Tetë deputetë të rinj të Kuvendit të Shqipërisë u betuan në nisje të seancës plenare, duke zëvendësuar deputetët e dorëhequr nga mandati, për shkak të kandidimit për kryetar bashkie, në zgjedhjet vendore të 21 qershorit.

Pesë nga deputetët e rinj janë femra, duke e çuar në 31 numrin e grave në sallën e parlamentit ose në 22% të anëtarësisë së Kuvendit.

Në fillim të procedurës, në emër të Këshillit të Rregullores dhe Mandateve, deputetja Vasilika Hysi paraqiti raportin përkatës, sipas të cilit, mandati i dhënë nga KQZ për tetë deputetët e rinj është plotësisht i ligjshëm dhe në përputhje me dispozitat e kodit zgjedhor.

Më pas, deputetët e rinj, katër nga maxhoranca dhe katër nga opozita, përsëritën tekstin e betimit, sipas rregullores.

Deputetët e rinj nga maxhoranca janë: Bujar Çela, Antoneta Dhima, Shkëlqim Troplini dhe Edlira Çekrezi, ndërsa nga opozita Arbiola Halimi, Mimoza Hajdarmataj, Irma Kopliku dhe Asllan Dogjani.

Deputetët që lanë mandatin janë: Armando Subashi, Miranda Rira, Majlinda Bufi dhe Artur Bushi nga maxhoranca, ndërsa nga opozita Ardian Turku, Besnik Dushaj, Voltana Ademi dhe Halim Kosova. /gj.k/

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje