Ligji për hapjen e dosjeve botohet në Fletoren Zyrtare, hyrja në fuqi pas 2 javësh

29 Maj 2015, 15:44Politika TEMA

Ligji “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit”, i konsideruar si ligji për hapjen e dosjeve është publikuar në Fletore Zyrtare, cka do të thotë se hyrja e tij në fuqi bëhet pas dy javësh.

Pas hyrjes në fuqi të ligjit, por brenda dy muajve, Qeveria duhet të miratojë aktet nënligjore për procedurën e kalimit në administrim të Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, të materialeve arkivore.

Brenda tre muajve nga fillimi i funksionimit të kësaj strukture, Ministria e Brendshme, ajo e Mbrojtjes dhe SHISH-i duhet të kenë kaluar në administrim tek Autoriteti të gjithë arkivin e ish-Sigurimit të Shtetit.

Neni 42 i ligjit përcakton ndër të tjera dhe kundërvajtjet administrative në raste shkeljesh, kur ato nuk përbëjnë vepër penale, dhe që do të dënohen me gjobë.

Ligji u miratua me 84 vota nga Parlamenti një muaj më parë, ndërsa në Kuvend u diskutuan dy drafte, një i propozuar nga Qeveria dhe tjetri i shoqërisë civile, por i mbështetur nga deputetët Mesila Doda dhe Shpëtim Idrizi.

Ligji përcakton rregullat dhe procedurat për të bërë të mundur ushtrimin e së drejtës nga çdo i interesuar për informimin mbi dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, ndërsa nuk parashikon procesin e lustracionit, i cili bie ndesh me Kushtetutën.

Fusha e veprimit parashikon zbatimin e ligjit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Ministrisë së Brendshme për periudhën 29 nëntor 1944 deri në ditën e krijimit të Shërbimit Informativ Kombëtar, 2 korrik 1991, të cilat disponohen nga të gjitha arkivat e rrjetit arkivor të Republikës së Shqipërisë dhe që lidhen me veprat penale politike të parashikuara në ligjin ne vitit 1991, “Për pafajësinë, amnistinë dhe rehabilitimin e ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë”.

Dokumentet që disponohen nga autoritetet publike, persona fizikë dhe personat juridikë privatë, do të konsiderohen si dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, vetëm pasi të verifikohet vërtetësia dhe origjina e prejardhjes së tyre nga fondi i ish-Sigurimit të Shtetit.

Kreu i II-të i ligjit parashikon statusin e Autoritetit, i cili përbëhet nga 5 anëtarë, të zgjedhur nga Kuvendi, sipas propozimeve të mëposhtme:

a) dy anëtarë të propozuar nga parlamenti;

b) një anëtar nga Këshilli i Ministrave;

c) një përfaqësues i propozuar nga shoqatat e të përndjekurve politikë, nga radhët e kandidatëve të mbështetur nga jo më pak se 28 deputetë;

ç) një përfaqësues i propozuar nga Shoqata për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, nga radhët e kandidatëve të mbështetur nga jo më pak se 28 deputetë.

Kreu i IV-të i ligjit përcakton mënyrën e informimit dhe vënien në dispozicion të dokumenteve të ish-Sigurimit. Neni 19 flet për kërkesën për informim, ku personave të interesuar iu njihet e drejta për t’u njohur me dokumentet, kur ai ka cilësinë e të prekurit, të palës së tretë, të bashkëpunëtorit apo të favorizuarit të ish-Sigurimit të Shtetit, ose është një përfaqësues me prokurë i këtyre të fundit.

Autoriteti mund ta kufizojë pjesërisht ose plotësisht garantimin e së drejtës për informim, kur të dhënat përbëjnë kërcënim real për Sigurinë Kombëtare.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje