Mirazhet ciklike ne "Bolero"

4 Qershor 2015, 14:19Kulturë TEMA

Enit Karafili Steiner*

Ndonjëherë të bien libra në dorë që s’duan në mënyrë absolute t’i nënshtrohen përmbledhjes. Jo vetëm përmbledhjes që ti si lexues je gati të kompresosh për një lexues të virgjër, por edhe shijes që kthen e rrotullon me vete pasi librin e ke mbaruar.

Të tillë qëndresë bën Bolero. Të duash ta përmbledhësh në kuptimin e ngjarjes është njësoj sikur një karuzeli kaleidoskopik – me figura të lëvizshme në tre dimensione, të ormisur me pasqyra shumëfishuese, reflekse, hije, muzikë – t’ia zhveshësh të gjitha këto e t’i lësh veç boshtin e shkretë si emërues përmbledhës.

Në kuptimin e zakontë të ngjarjes që nënkupton një sekuencë A e cila shkreh një tjetër B që përfundon një të tretë C, Bolero nuk ofron ngjarje. Mirëpo të thuash se në të nuk ndodh asgjë është të matarohesh me një tjerë lloj emëruesi përmbledhës. Në fakt në Bolero ndodh shumë dhe vështirësia, në mos mëkati, qëndron tek reduktimi. Imagjinoni sikur të zgjoheni një ditë të bukur e të mund të vini veshin mbi dyer e mendje që, për fatin tuaj të mirë, ju lejojnë një komunikim me valvul: domethënë ju keni mundësinë të dëgjoni biseda e mendime, pa qenë të detyruar të ofroni asgjë nga vetja juaj veç veshit a syrit. Kjo do të ishte dita e Boleros, ku do të kishit mundësi të përjetonit turpin brejtës të një provinciali që kapet gafil me një gazetë porno, të blerë në stacionin e metrosë; përhumbjen e një mashkulli që çdo mëngjes mendon se ka gjetur femrën e kërkuar Margarita, pa çka se kjo mëngjes për mëngjes i thotë që nuk mban këtë emër; tmerrin e avashtë e klimaktik të një tipi që përballon ndonjë udhëtim të rrallë në metro me dy grushta ilaçesh me vete, melheme për jo më pak se pesë fobira; andrallat e një magjistari softueresh që ve në provë vullnetin e lirë të COSIMËS, krijesë me intelligjencë artificiale; korrespondencën rrëqethëse, prej dy anëve të kundërta të globit, mes dy anonimësh që sillen sikur të ishin të fundit e vdekëtarëve; një çift që rreket të kuptojë, se si ka mundësi që njerëz krejtësisht të ndarë e pa kurrfarë kontakti të kenë kompozuar të njëjtën këngë origjinale; një grup meshkujsh, të ngujuar, në zgrip të dëshpërimit, në stacionin e metrosë; po në stacionin e metros, afresket e vandalizuara të një artisteje me emër, sepse këto paskan ndikim irritues për ata që s’ua kuptojnë teknikën; një shkrimtar që ndërton librin e karrierës së tij si një mori historirash të sendërgjuara mbi një event të vetëm – një aksident në Brooklyn; një tjetër çift në kërkim të një pikture të Magritte-it që vetëm një palë sy e kanë parë në muzeum. Ose duket se e kanë parë. Arena e përbashkët ku mbivendosen të gjithë këto tipa, kërkime, fobira, mendime, vullnete, pikëpyetje është platforma e një linje metroje ku trenat përkohësisht nuk qarkullojnë. Sikur kjo të kishte qenë dita juaj, a do thonit se atë ditë nuk ju kishte ndodhur asgjë? Sidomos kur ky univers ndodhish projektohet nga një tru erudit e lojëcak që pak çka e lë në mëshirën e rastësisë?

Dhe këtu fle bukuria e Boleros: lexuesit i ndodh shumë më shumë se personazheve, sepse tek ky akumulohen një sërë motivesh kyçe, të cilat personazhet i përjetojnë në izolim gati klaustrofobik, ndërsa lexuesi i takon e ritakon nga situata në situatë, të ngjashme por edhe të amplikuara, si një peizazh, i vrojtuar prej një shkalle spirale që ngrihet në lartësi, e shfaq gjithmonë e më qartë trupin e tij. Muzika përdor termin ostinato (i ngulmët, kokëfortë) për përsëritjen ciklike të motivit: Bolero-ja e Ravelit është kompozimi që i jep titullin librit. Ndoshta kur koha kalon dhe shumë detaje të ngjarjeve të përjetuara në roman zbehen, personazheve u humbet traja, emrat u harrohen, fjalët u ngatërrohen, shkurt, kur në kujtesë ngjarjeve iu hynë mola, ka disa motive, ostinati, që lexuesi do t’i kujtoj, madje kushedi edhe si pjesë të përhershme të bagazhit të tij.

Romani shtron para lexuesit një banket intertekstual, semiotikë e stilistik, ndërsa vetë struktura të grish të kërkosh motivet që krijojnë efektin “bolero”. Katër motive, ndër të tjera, ia vlejnë të veçohen: pasqyrat, pritja, identiteti, korrespondencat.

Motivi i pasqyrave përcjell idenë e përsëritjes ku një imazh replikohet herë i njëjtë herë i transformuar por gjithmonë i dallueshëm si replikim. Në Bolero gjallojnë pasqyrat në formën e kamerës që vëzhgon individin dhe ia përcjell të qenit e vet të kornizuar; në mirazhet e kujtesës ose të pandehmës se diçka është parë apo dëgjuar më parë (déjà-vu/déjà entendu, ju përshendet The Matrix); në ëndrrat që rrëshqasin në lëkurën e realitetit dhe realiteti që hedh lëvozhgën poshtë e metamorfozohet në ëndërr; në artistët e magjepsur nga korrespondencat e pafundësisë mes dy pasqyrave që përfaqin njëra-tjetrën; në artin e rrëfimit hipodiegjetik, rrëfimi që përsërit rrëfimin, si shembulli i shkrimtarit që do të përsërisë Queneau-në, jo duke e kopjuar, por duke transformuar lojën e pasqyrave të stilit të francezit në lojën e pasqyrave të motiveve. Në rastin paradigmatik të Bolerosë, përsëritja pjell përsëritje kur, i drithëruar nga parandjenja se “ca lexues të mençur, ca thjesht dinakë” do t’ia kuptojnë vallen e pasqyrave si plagjiaturë të Queneau-s, e mbase të tjerë do të përfshihen në valle, qoftë për ta kthyer librin e tij në një film “remake frënge e një filmi obskur shqiptar 10-minutash, të xhiruar me një kamerë në dorë në metronë e Varshavës”, shkrimtari meqë nuk i shpëton dot “tmerrit të kësaj bote, që na ka kapur të gjithëve në ciklet dhe rimarrjet e saj”, vendos ta zbus atë si një kafshë të egër, duke e rrëfyer (186-7).

E nga cili tmerr mund ta shpëtojë rrëfimi individin e ngërthyer në sahatin e sprovës urbane, në përsëritjen e programuar nga shenjat, shigjetat, dritat, ngjyrat, rrugëkalimet, rrugëndalimet, oraret, lajmërimet që e bëjnë të mundur të vegjetosh njëzetekatërorësh pas njëzetekatërorëshi në lakun e jetës aktive, ngjarjeve të parashikuara, binarëve të njohur të rutinës? Nga tmerri kur diçka mund të ndodhë: një aksident, një dhëmbëz e këputur në ingranazhet e metropolit dhe individi shtang para tmerrit sepse i duhet të presë, e më tmerrshëm akoma, të përballet me veten dhe me (pa)aftësinë e vet për të vendosur se ç’do të bëjë. Rrëfimi ndihmon, sepse ngjarjet e rrëfyera “nuk rrinë të presin, por transformohen edhe ato në kombinime të ndryshme, marramendëse” (186-7). Pritja duket frika më e madhe e Boleros, pritja “arti moral i nënvlerësuar” (141), momenti i së të vërtetës: a ka ekzistencë të vërtetë njeriu që pret? Në fakt çfarë i mbetet njeriut që s’vepron por pret, ose mendon se pret, sepse në fakt edhe mundësinë e pritjes ia jep thjesht gjuha, fjala pres?

Sa identitet ka brenda njeriut që mund të presë vetëm nëse gjuha ia implanton idenë e pritjes? Pritja është çasti i ballafaqimit, çasti Cartesian “a thua ekzistoj?”; “çasti kur mijëra mendje detyrohen të dalin prej mpirjes, transit, hipnozës, valëve beta dhe të vendosin çfarë të bëjnë” (90). Pritja është, për ta dhënë me metaforën e fantashkencës Matrix-ane, dalja nga labirinti i agjentëve Smith, çasti kur individi sheh se Matrica të mban të lidhur me tuba sa vrastarë edhe komodë. Por pas kësaj dalje sa ekzistencë ka?

Ekzistenca në Bolero është kërkimi për identitet, konceptin më të sulmuar, të fragmentuar, të flirtuar e pa ndërprerje të riformuluar prej shoqërisë moderne perëndimore (ku moderne përfshin të paktën pesë shekujt e fundit të perëndimit transatlantik). Ndaj identiteti nuk merr kurrë formë definitive: ai kërkon pasqyra, reflektime, përsëritje edhe në kuptimin e përpjekjeve të përsëritura për t’u fiksuar e marrë trajtë, e më fort nga të gjitha këto, kërkon ëndrrën, si provë jo të arsyes, por të ekzistencës apo shpresës së një ekzistence njerëzore. Brenda një universi si ky, motivi i ëndrrës intensifikohet nga fundi i romanit, i cili me çdo kapitull që avancon i ngjan një ëndrre në ëndërr. Dhe këtu ndjehet efekti “bolero”, në kreshendon e vegimeve, që lehtësojnë përkohësisht vetminë e individit në kërkim të identitetit, duke lënë pyetjen varur: A quhet identitet identiteti që përftojmë në ëndërr?

Një përgjigje e mundur të kthen tek të rrëfyerit: po, identiteti i ëndërruar quhet i tillë në çastin kur i rrëfehet dikujt dhe ky dikush (në Bolero dikushi që i përçon njeriut që pret vetveten është shpesh një femër, motiv ky kokëfortë edhe tek Baudelaire) konfirmon marrjen e rrëfimit, si një eko që provon prezencën e tjetrit dhe nëpërmjet tij edhe tënden, siç shkruan anonimi që pret në platformën e metrosë së ndërprerë: “shpirti im nisi të marrë trajtë që nga momenti, kur mora mesazhin e parë prej teje” (179) – një lloj ekoje këto fjalë të kërkesës ngulmuese të mbretit Hamlet: “Kujtomë.”

Janë fjalë të përmbajtura në një korrespondencë midis një femre e një mashkulli që nuk njihen, por motivi i korrespondencës, përtej kësaj përqasjeje literale (dy njerëz që shkëmbejnë mendime), ndërthur stilin me filozofinë e romanit. Në nivelin stilistik, Bolero, xhonglon korrespondenca që dëshmojnë forcën metaforizuese të imagjinatës: gjoksi i një femre që fle “ulet e ngrihet lehtë si ujët e lumit të kapur në bërryl”, blerësi që “pikon monedhat” në dorën e shitësit, dikush që fut dorën në koshin e gazetave të lagështa si “veterineri brenda lopës”, vetëdija e shumëzuar si “një tufë patash të palodhura që flatrojnë lart”, një femër “e shndritshme si sy”, frymëmarrja e burrit si ajo e “miut të paralizuar” (për një roman me temë urbane, në Bolero lëvrijnë shumë kafshë). Kjo forcë metaforizuese imaginative e kapërcen funksionin stilistik dhe kthehet në mantra filozofike të një botëkuptimi që sheh korrespondenca mes formave më të ndryshme të të ekzistuarit, edhe aty ku duket se ka shkëputje, si vetë kapitujt e Boleros. Jo rastësisht, epilogu i romanit mbyllet me idenë e metaforizimit, sëmundjes që ia mohon origjinalitetin, esencën gjithçkaje – përfshi edhe rrëfimit vetë.

Bolero e përqas rrëfimin si arkitip të artit dhe artin si kompromis mes pritjes dhe aktivitetit, si antidot ndaj rutinës mekanike dhe vegjetimit të instinkteve (kapitulli “Afresket” i kontemplon këto alternativa). Prandaj optimizmi i romanit duket më i lidhur pas kolonave (të metrosë) se, të themi, besimi romantik i Baudelaire-it se ekstaza e lumturisë i hapet njeriut që del prej qerthullit të reales. Në Bolero ka më shumë ngushëllim se ekstazë, sepse abandonimi i qerthullit çon në pritje. Dhe pritja është etikë e neglizhuar, e vështirë për një botë të përllogaritur, art që duhet mësuar e që mbase suportohet më mirë me art. Kështu akti krijues, jo aktivitet i mirëfilltë, utilitar por as jo-veprueshmëri, merr përmasat e spiritualitetit të sekularizuar, e një shpëtimtari pa Hyjni. E në një univers si ky, kisha gëlltitet prej muzeut: “Të shkojmë tek Guggenheim-i yt” është ftesa mbyllëse e personazhit të fundit të romanit (219).

Spiritualiteti i esëllt i Boleros nuk duket se synon për majat ngashënjyese të artit që blaton pavdekësi; për këtë, etika post-humane (lexoni kapitullin “Inteligjenca Artificiale”) është e gjithëpranishme, ëndrra monopol jo i sigurtë i njeriut, dyshimi edhe më cinik se ai i Hamletit pikërisht sepse jo aq purist, në kuptimin se ka më shumë ironi në cinizmin e Boleros, ku krijesat janë gati të lëshohen qoftë për një çast në djepin e iluzionit, çka flet për presencën e J. L. Borges jo vetëm në motivet e pasqyrave, ëndrrave e labirinteve, librave dhe artistëve imagjinarë (kapitujt “Interaktivetet”, “Efekti kuantik”, “Një ëndër jo aq e pafajshme” dhe “Rrethprerje” mund të lexohen edhe si kreshendo iluzive). Joshja sa edhe kritika ndaj artit krijues si akt shëlbyes origjinal e identitar gjurmon etikën e Boleros dhe artistin që habitet me veten e tij e thotë: “Por çfarë iluzioni i vjetër dhe kokëfortë është ky, që na bën ta mendojmë pavetëdijen si ‘tonën’, ta trajtojmë si të ishte prona jonë … dhe pastaj ta plagjiarizojmë, siç bëjmë ne artistët, të gjithë” (137).

Cituar nga: Ardian Vehbiu, Bolero, Tiranë: Dudaj, 2015.

*Dr. Enit Karafili Steiner, maître assistante (Lecturer)
English Department, University of Lausanne
http://people.unil.ch/enitsteiner/

2 komente në “Mirazhet ciklike ne “Bolero””

  1. Arif Gjongjini says:

    Çfarë shkrimi! “Erudicion” plot idiotësira. Pa vini re ç’shprehje!… “…Jo vetëm përmbledhjes që ti je gati të kompresosh për një lexues të virgjër… Në fakt Bolero ndodh shumë, në mos nga mëkati, qëndron te reduktimi ” Lexues të virgjër!… A thua se ka edhe lexues të çvirgjëruar (po si? në ç’mëyrë? me ç’mjete?…) dhe se mund të ketë edhe lexues që nga çvirgjërimi shkon në kurvëri!… Nejse, secili ka të drejtë ta shpallë ashtu siç di çvirgjërimin mendor të tij.

  2. Printemps says:

    Ky person eshte nje nder shqiptaret me te ditur e njerezor qe une kam patur fatin te njoh. Jam e vetedijshme qe vleresimi im ka pak rendesi se e kane vleresuar te tjere me te arritur se une, megjithate une kisha deshire te shprehja thjeshte nje mendim timin. Cfare rrjedhe ka kjo review, sa te lidhura idete njera me tjeren, shkruar me ate pasion qe prof. Steiner tregon ne leksion e seminar, pasion ngjites. Kursi i saj “fictions of home & theory”, kursi me i mire ne programin bachelor te anglishtes ne universitetin e Lausannes. Sa kenaqesi qe e kexova profesoren edhe ne gjuhen tone te dashur. I lumte Temes qe ka botuar kete review!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje