Vota për Ketin, votë për komunitetin

8 Qershor 2015, 18:07Blog TEMA

Nga Agron Çela*

Keti është një shkodrane si ti, si unë. Eshtë shkodrane si nëna jote. Që ka punuar me nder, djersë dhe dinjitet si ajo dje. Por që ka fituar shumë më shumë se ajo. Për shkak të epërsisë së sistemit. Për shkak të avantazhit që i jep punës së mençur demokracia. Për shkak të aftësisë së individit. Keti ka fituar vetë dhe ka ndihmuar të fitojnë bukë të ndershme dhe me dinjitet duke u shërbyer shumë nënave të tjera. Grave dhe vajzave të reja që e kanë edhe si shembull. Si një model që duhet ndjekur. Modeli i njeriut që kur rrëzohet nxiton të ngrihet përsëri. Modeli i njeriut që kur ngrihet, nuk harron se dhe tjetrit i dhemb rrëzimi. Modeli i njeriut që i jep dorën të rrëzuarit.

Keti është një shkodrane si ti, si unë. Si shumë nga ata që kanë provuar diktaturën në shpinë. Në fëmijërinë e saj ka njohur burgun e të atit. Atëherë kur Shkodra si gjithë Shqipëria ishte në kafaz. E mbyllur. E izoluar. E varfër. Pa këmbanoret e kishave dhe pa zërin e Myezinit. Pa shumë bukë, por me buzë gjithmonë të qeshur. Për ta kaluar dhembjen po me të qeshur. Me humor. Ndaj Shkodra ishte e lirë edhe atëherë kur shumëkush nuk i shihte prangat.

Keti është një shkodrane si ti, si unë. Shkodrane si ai burri që punon me gjithë familjen në biznesin e vogël të tij. Që zgjohet që në orën pesë të mëngjezit, që blen furnizimin e ditës për ta rishitur pak nga pak deri në natën e thellë. Që numëron qindarkat dhe ndan veç ato të bukës, veç ato të ilaçeve për nënën e sëmurë, veç ato të kredisë për bankën e veç paratë e librave të shkollës së fëmijëve.

Eshtë shkodrane si ai që shëtit i ngeshëm në Piacë, si ai që pret me ankth punë të re, si ai që kërkon të ikë nga ky vend, si ai që beson fort se vetëm në këtë vend mund të ketë të plotë dinjitetin e tij si qytetar.

Keti është edhe e djathtë, edhe e majtë. Eshtë PS&LSI&PD e plot sigla të tjera partiake, nën një sigël të vetme të qytetarisë. Eshtë kapitalistja me zemër në të majtë. Eshtë administratorja e buzëqeshur që i propozohet një qyteti që ka vuajtur shumë nga arroganca. Nga ndarja në andej të këqinj dhe këtej të mirë. Çfarë ndarjeje deri tash!!! Dhe ku? Në Shkodër! Në Shkodër edhe lumenjtë e shohin të udhës të bëhen bashkë, por politika e marrë dhe marrëzitë e politikës që eksportonte Tirana këtej kalasë së Rozafës, kërkonin të ndanin vëllain nga vëllai, motrën nga motra pikërisht për shkak të politikës.

Shkodra ka provuar pafund urrejtje. Dje dhe sot. Urrejtja e djeshme duhet kujtuar sepse gjithçka që mund të harrohet, i ka të gjitha shanset të përsëritet.

Sot qyteti ka nevojë për dashuri. Ka nevojë për qytetarë si Keti që kërkojnë të shërbejnë dhe të bëjnë shërbesë. Sepse Keti është një qytetare si ti!

Keti është një ofertë e trefishtë. Duke votuar atë, ke sjellë në Shkodër edhe Ramën si kryeministër, edhe Metën si kryetar Kuvendi, edhe Rama-Metën si dyshen qeverisëse të këtij vendi.

I pari edhe si një shkodran nga origjina.

I dyti si një shkodran i rilindur aty mbas moshës së pjekurisë së tij.

Në Shqipëri, rregullisht nuk është votuar pothuaj kurrë pro. Eshtë votuar gjithmonë kundër. Sepse pothuaj asnjëherë nuk ka pasur një alternativë të mirë për të zgjedhur alternativën më të mirë. Ka pasur shumë shpesh zgjedhje mes dy të këqijave. Ka pasur zgjedhje të së keqes më të vogël. Fatmirësisht ky nuk është rasti i zgjedhjeve të këtij viti në Shkodër. Këtu gjendet një alternativë më e mirë, të cilën PS & LSI dhe një varg i madh partish aleate e kanë propozuar për Shkodrën me bindjen se Shkodra meriton gjithmonë më shumë.

Keti është një shkodrane apo një shkodran si ti. Dhe një model i tillë mund të votohej me lehtësi në Tiranë, në Korçë, në Elbasan apo Vlorë. Mund të zgjidhej kudo ku etja për ndryshim, për ecje më të shpejtë drejt progresit, për projekte të qarta e konkrete, për qetësinë dhe dashurinë, është nevojë e çdo qytetari. Pra, kudo në Shqipëri. Sepse vota për Ketin është vota në drejtimin dhe në kutinë e duhur. Sepse vota për Ketin është votë për Komunitetin.

*Deputet, LSI

9 komente në “Vota për Ketin, votë për komunitetin”

  1. akil ylli says:

    Telumt zoti Agron!

  2. xhabisjani says:

    po kur u bere edhe ti more kriminel te shkruash?????? para se gjithash ty dhe rracen tende te qelbur e njeh gjithe shkodra , ti njohin vellezerit vrasjet, grabitjet, vjedhjet, cdo poshtersi qe keni bere keto 25 vjet ti edhe vellezerit tuaj. keti bazhdari prandaj do humbase se ka shitur shpirtin te njerez si puna jote. Memecit i erdhi goja.

  3. Ira says:

    Keti nuk eshte kandidatja me e mire qe ka nxjerre e majta ne gjithe keto vite ne Shkoder, por kjo nuk perben ndonje problem te madh, sepse ajo, nese do te fitoje, nuk do punoje e vetme. Problemi kryesor eshte bashkepunimi i ngushte i saj me LSI-ne, ne kete qytet. Ajo duhet te distancohet nga LSI, keshtu do te kete mbeshtetje shume me te madhe nga elektorati, i majte dhe ai jo i angazhuar, apo gri siç quhet. Keti deklaro fuqishem kudo qe shkon se je kandidate e propozuar nga PS, falenderoje me zemer PS si ne qender ashtu edhe PS e Shkodres. Edhe e djathta sot nuk e do bashkepunimin me LSI, nuk do ta doje edhe ne keshillin bashkiak. Jam i sigurte se nese fiton, do te te mbeshtese ty, por jo me LSI-ne.

    1. sefer ziu says:

      Ira, po ta keshe megjithemend ate qe shkruan, vetem nje gabim te vockel ke: po fitoi s’ke se çfare te mbeshtesesh, ndersa ik nga lsi se une atehere te dua, duket qe nuk e do, po diçka tjeter ke. Eshte e vertet qe syte te tradhetojne me shume se fjala, por kesaj radhe ke dale zbuluar dhe me fjalen.

  4. Nardi says:

    Ej Tema ku e keni ate spotin e LSI per voten se ishte nje tallje e papare. Ups. Autogol…

  5. Ira says:

    Sefer Ziu, nuk e ka kuptuar se çfarë kam shkruar, mbase nuk e di se ka edhe këshill bashkiak, vendimet e të cilit i ekzekuton bashkia, me Kryetaren. Mua nuk më tradhëtojnë, për problemin konkret, as fjala, as sytë, as zëri. Dua të fitojë kandadatja e PS dhe mos të varet aspak nga LSI, po e quaj varësi, sepse në fakt LSI të merret peng, për interesat e saj, që nuk janë të votuesve, të qytetarëve. Nuk e di a e njeh apo jo LSI-në. Gjithë mëkatet e saj, deri më sot dhe më pas i mban mbi supe PS. Ndoshta, fillimisht jemi më pak në numër, por pa diskutim jemi më të mirë, më kohëgjatë në pushtet, nëse jemi pa LSI-në.

  6. arben says:

    Uhaaaa, ne kishim frike ta shihnim ne rruge sepse ky deputeti ketu njihet ne Shkoder si vagabond plus hajdut plus vrases. Demokracia na e beri dhe kete deputet. Tani duhet dhe te lexojme. Po ky nuk ka as shkolle. nese ka ndonje e ka bere universitetin e kristalit por I ka mbetur pa bere e mesmja mbase dhe fillorja. Leket I beri nga kontrabanda te ndryshme.

    Ne nje pike donte dhe ti pastronte. Filloi te shiste ar pastaj mori lulishten e vetme te qytetit dhe e beri hotel dhe bar dhe pastaj u hap drejt Velipojes. Une kam vetem nje koment -Te shkretit ne cfare na ka gjetur. Vagabontet hajdute ne parlament dhe na japing leksion qe nje person eshte si ai e si une. Ti je kriminel, dhe une nuk pranoj te jem si ti apo te vihem ne nje rresht me ty. Eshte tek kjo pike qe stonon me te madhe Rilindja dhe Keti. Njerezit jane te lodhur prej PD-se por si mund tja japing votes nje personi qe mbeshtetje ka kriminelet e LSI-se? Kjo eshte dilemma e madhe ne Shkoder.

  7. laramani njengjyresh says:

    Aman, nje shperblim ka zoti Mero nqs na tregon se kush e ka shkruar “editorialin” e zotit Qela apo Cela….apoooo e ke shkruar vete o Mero qerretai se Gon qurrci nuk di te fshije as qurret e jo te mbaje fjalime

  8. KOZi says:

    Per koicidence kandidati i majte per Kryetar Bashkije ne Shkoder me i suksesshmi ka qene Znj. Esmeralda Uruci.
    Ne lidhje me artikullin. Znj Keti Bazhdari nuk ka provuar te jetoje me baba ne burg.Babai i saj Ndreke Bazhdari e ka kryer denimin shume perpara se te martohej.
    Keti ka lindur ne 1980 dhe nuk ka njohur pjesen e persekutimit te Klerit Katolik kjo per aresye moshe.
    Pikerisht keto raste kur,je i persekutuar zyrtarisht por nuk ke jetuar pjesen e persekutimit jane rastet me pa percaktim prandej Keti eshte e majte.
    Te kishte lindur Keti 10 vite perpara se babai i saj te hynte ne burg dhe te arrinte te kryente gjimnazin dhe te behej 20 vjece me baba ne burg do shihnit juve se a do ishte e Majte. Tung

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje