Një autokrat idhnak

5 Qershor 2015, 19:19Blog TEMA

Duke ua mbyllur dyert gazetarëve dhe duke i akuzuar ata, Isa Mustafa po jep shembullin më të keq të jotransparencës dhe qasjes ndaj lirisë së shprehjes. Ai e meriton të bojkotohet nga mediat derisa ta kuptojë se kjo nuk është rruga e duhur e qeverisjes dhe s’ka të bëjë me demokracinë.

Nga Imer Mushkolaj

Jo demokrat, por autokrat dhe idhnak është treguar Isa Mustafa në procesin e rizgjedhjes së tij në krye të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në përpjekjen e tij për të qëndruar me çdo kusht në krye të partisë, ai nuk ka zgjedhur mënyrë as mjete, duke bërë çmos që zërat kundër dhe kritikë t’i heshtë dhe t’i përjashtojë.

Me logjikë dhe mendësi aspak institucionale dhe arrogancë provinciale, ai iu turr edhe mediave e gazetarëve, duke i akuzuar se kanë organizuar fushatë kundër tij. Paraprakisht ai ua mbylli dyert gazetarëve dhe nuk i lejoi ta përcjellin kuvendin, duke bërë kështu një veprim që më së paku ka të bëjë me transperencën e lirinë e shprehjes, edhe pse formalisht është zotuar se do të punojë që t’i kultivojë dhe avancojë ato.

Isa Mustafa mbylli dyert e kuvendit të partisë së tij thua se LDK’në e ka në pronësi private. Ai harroi se kjo parti, sikurse edhe të tjerat, financohen majmë nga buxheti i Kosovës, nga paratë e qytetarëve që ua mohoi të drejtën për të ditur se çfarë po ndodhte në mbledhinë e partisë së dytë më të madhe në vend. Në këtë mënyrë, Mustafa e klika e tij treguan gjithë papërgjegjshmërinë, inatin e arrogancën që i karakterizon, treguan sa shpirtngushtë janë, treguan se aspak, ama aspak nuk dallojnë nga rivalët e tyre politikë që i kritikojnë, treguan se në LDK pakgjë ka mbetur demokratike.

Duke shfryrë në akuza për gazetarët të cilët, natyrisht, mund ta kenë të drejtën e mbështetjes së njërit ose tjetrit kandidat për kreun e cilësdo parti, Mustafa tregoi se ata i konsideron jo partnerë, por armiq.

Dhe nuk ka faj, sepse gazetarët janë ata që ia kujtojnë deklaratat skandaloze dhe premtimet e pambajtura, ia kujtojnë zotimet “kurrë me PDK’në”, ia kujtojnë edhe aktivitetin e viteve ’90 në diasporë. Andaj ai hakmerret në gazetarë, andaj ai iu shpall luftë atyre.

Kur ua mbylli dyert të dielën, më e pakta që do të mund ta bënin gazetarët do të ishte bojkotimi i Isa Mustafës dhe LDK’së. Madje bojkotimi edhe i aktiviteteve të Qeverisë. Sepse Mustafa ka përgjegjësi institucionale dhe qasja e tij ndaj gazetarëve tregon edhe qasjen e qeverisë në krye të së cilës është.

Ai dëshiron që gazetarëve kritikë t’ua mbyll gojën dhe të udhëheq i lumtur LDK’në bashkë me klikën e tij – dhe të qeverisë i lumtur vendin, bashkë me Hashim Thaçin. Ai dëshiron që mediat të mos ia sjellin ndërmend ato që ka thënë e që ka bërë. Ai dëshiron që mediat të jenë në një linjë me të. Ai nuk i duron gazetarët që ia prishin terezinë, nuk i duron ata që e kanë guximin t’i thonë gjërat hapur, ata që përpiqen t’i tregojnë të metat e tij si kryetar dhe të partisë, të metat e tij si kryeministër dhe të Qeverisë. Ai lakmon autokracinë.

Gazetarët nuk kanë mundur të sillen thua se s’po ndodh asgjë kur haptazi vëreheshin përpjekjet për eleminimin e gjithë kundërshtarëve të Mustafës gjatë procesit zgjedhor.

Gazetarët nuk kanë mundur t’i mbyllin sytë dhe gojën kur ai bashkë me sejmenët e tij përgatitnin terrenin që të vazhdonin ta mbanin në dorë partinë, në një proces të cilit qysh në fillim i dihej fundi.

Duke zgjedhur që të konfrontohet me gazetarët nëpërmjet akuzave, e jo me kundërshtarë të tij brenda partisë nëpërmjet ideve, Mustafa vetëm sa ka treguar se është një idhnak i papërmirësueshëm që refuzon të ballafaqohet me fakte.

Mbase kjo do të ishte normale në një tjetër sistem, pjesë e të cilit ka qenë dikur, por jo tash dhe jo duke u thirrur ne demokraci dhe vlera demokratike. Jotransparenca dhe sulmet ndaj gazetarëve nuk kanë të bëjnë asgjë me këto vlera dhe Mustafa është ai që më së paku po i promovon ato.

Nuk është hera e parë kjo që Isa Mustafa tregon padurueshmëri ndaj gazetarëve dhe mediave. Të njëjtën qasje ai e ka që nga fillimi i mandatit të tij në krye të Qeverisë. Por, jo vetëm ai e gjen fajin te mediat. Para pak javësh deputetja e LDK’së, Teuta Sahatçiu gazetarëve ua mveshi epitetin “spiunë”. Edhe atëherë, edhe tash, gazetarët do të duhej të bojkotonin aktivitetet e Mustafës, duke i dhënë leksion se çfarë raportesh duhet krijuar me mediat në një sistem demokratik. Sikurse është dashur të bojkotohet edhe Sahatçia që nuk zgjedh fjalë për të përshkruar gazetarët dhe punën që ata bëjnë.

Njerëzit si këta do të duhej të ishin model i mirë i qasjes ndaj gazetarëve, e jo të kthehen në ofendues e mosmirënjohës. Duke akuzuar gazetarë, media e shoqëri civile, Isa Mustafa ka zgjedhur rrugën më të keqe të mundshme dhe po ia vështirëson vetes punën edhe më shumë. Atij gazetarët nuk i ka faj as për partinë, as për Qeverinë. Një ditë gjithçka do t’i kthehet si bumerang.

REMOTE_ADDR:[]

1 komente në “Një autokrat idhnak”

  1. vero says:

    Cdo dite qe vjen ne ate vend ,po behet me keq . Mustafen duhet populli me cdo kusht ta flaki jashte .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje