Frank Hantke: Shit-blerja e votës, "shuplakë për integrimin e Shqipërisë. Problemi i korrupsionit, është se gjithnjë kapen peshqit e vegjël

14 Qershor 2015, 14:36Politika TEMA

Nga Luljeta Progni

Blerja e votës mund të ketë një impakt negativ në hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. Drejtori i Fondacionit “Friedrich Ebert”, Frank Hantke, në një intervistë për Tema Tv, u shpreh se nëse vërtetohen akuzat mes forcave politike për shit-blerjen e votës, atëherë kjo do të ishte një shuplakë për Shqipërinë, në rrugën drejt Bashkimit Europian. Më tej Hantke u ndal edhe tek lufta kurndër korrupsionit, për të cilën tha se Shqipëria ka bërë progres., por problem mbetet mosndëshkimi i kokave.

 Duhet dhe një javë për të mbërritur në ditën e zgjedhjeve të 21 qershorit. Po zhvillohet një fushatë e qetë, ose më saktë e tillë është cilësuar nga forcat politike. A keni vënë re ju ndonjë detaj që e prish këtë imazh?

Nuk mund të them që ka pasur gjëra jo demokratike. Megjithatë po t’i referohem pikëpamjes sime europiane mund të ngre disa pikëpyetje. Në radhë të parë përdoret një slogan i njëjtë nga të gjitha partitë politike në rang kombëtar dhe kjo për mua nuk është e saktë. Pasi problemet e secilit komunitet janë të ndryshme. Kjo të bën të mendosh se fushata nuk lidhet me nevojat specifike të komunitetit, por më shumë më një luftë në nivel kombëtar mes dy blloqeve politike. Gjithashtu do të doja të shtoja faktin në mënyrën sesi janë përzgjedhur kandidatët në këtë fushatë elektorale. Ndryshe nga sa duhej të ishte, ku qytetarët do të duhet të zgjedhin këta lloj kandidatësh, duket se ka një hierarki nga lartë poshtë, nuk është vetë komuniteti por më shumë krerët e partive që kanë bërë përzgjedhjen e këtyre kandidatëve. Kjo flet për një diferencë shumë të madhe, sepse ka raste kur komuniteti nuk i njeh këta kandidatë.

Ju jeni duke thënë se kjo është një fushatë më shumë politike, një garë sloganësh, një garë politike mes liderëve dhe se kjo dëshmon për mungesën e një demokracie të brendshme të partive politike dhe mungesën e llogaridhënies ndaj popullit?

Si do që ta quajmë rezultati është se kjo lloj përzgjedhjeje nuk është në interes të qytetarëve. Pra me pak fjalë mund të themi se ka ende shumë gjëra për të bërë, në mënyrë që tu japim qytetarëve fuqinë e vërtetë. Fuqinë që ata mund të zgjedhin kandidatët e tyre. Kjo do të mundësonte dhe një lidhje më të mirë të komunitetit me politikën dhe jo të ndiheshin të varur nga vendimet që merren në nivel kombëtar nga një qytet tjetër larg realitetit të tyre.

Megjithatë ka shumë premtime nga liderë të partive politike si dhe nga kandidatët. Në raport me zgjedhjet e shkuara, ju besoj e keni ndjekur atë, si e vlerësoni këtë përsëritje të premtimeve përballë një mungese llogaridhënie për premtimet e dhëna në fushatën e parë?

Në fakt është një truk i vjetër i politikanëve të bëjnë premtime. Madje këto premtime i konsiderojnë votuesit disi budallenjë. Por unë mendoj se shumica e shqiptarëve nuk i besojnë më këto premtime. Në fakt nuk ke sesi të premtosh ti si kandidat 10 mijë vende pune, sepse është e pamundur që një kandidat t’i krijojë këto vende pune. Ata maksimumi mund të krijojnë të gjithë paketën ligjore ligjore që këto vende pune mund të zhvillohen. Sigurisht nuk mund të flasë për vendet e punës që krijohen në administratë publike, e cila për mua është një situatë e papëlqyeshme. Pasi cilido nga kandidatët që vjen këto vende pune kërkon t’ia japi elektoratit të tij, por që në tërësi sjell një ulje kompetence për të gjithë administratën. Siç e përmenda unë vazhdoj të them që shqiptarë nuk u besojnë këtyre premtimeve më dhe ideale do të ishte që ata të fillojnë të kontrollojnë se çfarë premtimesh po bëjnë politikanët e tyre. Duhet të ketë një sistem ku pas katër vjetësh ata të shohin se çfarë është bërë plotësisht, çfarë nuk është bërë, çfarë është lënë përgjysëm. Këto premtime janë aq të mëdha sa askush nuk ka më vullnetin t’i kontrollojë, sepse janë jashtë çdo realiteti. Unë me zor pres ditën që një qytetar i çfarëdoshëm në një nga gjithë këto takimet e shumta elektorale që po zhvillohen të bëjë një pyetje. Për shembull nëse një kandidat do të premtonte se do të hapte 3 mijë vende pune dhe qytetari të ngrinte dorën dhe të thoshte më fal, por në këtë sektor mund të krijohen maksimumi 2265 vende. Pra të kundërshtojnë çdo gjë që nuk është realiste. Sepse shumica e premtimeve duket sikur janë thjeshtë numra në ajër. Pasi ata vërtetë i premtojnë por as vetë nuk mund të vërtetojnë potencialin për t’i krijuar këto gjëra. Pra në tërësi unë mendoj se ka nevojë për një qytetari më shumë aktive, një qytetari që të vërë në dukje gjërat që nuk kanë kuptim. Me pak fjalë jam duke thënë se se qytetarët janë edhe vetë fajtorë për të gjitha këto premtime që po bëhen, sepse nëse qytetarët do tu thoshin kandidatëve ju lutem ndaloni këto ptremtime ndoshta ata do të ndalonin përqasjen e tyre dhe premtimet e tyre do të ishin më realiste.

Çfarë duhet të ndodhë, cila është rruga, duke pasur parasysh dhe faktin se nuk ka një aktivizim real të shoqërisë civile në Shqipëri, e cila do të mund të bënte këtë kapërcim, pra qytetarin që kërkon llogari?

Në fakt kjo është një pyetje e vështirë, për të cilën do të na duhej një ditë e tërë për ta diskutuar. Por përgjigja në këtë rast do të ishte edukimi për demokracinë. Sigurisht që ju në vendin tuaj mund të bëni një kushtetutë të re, një parlament të ri, zgjedhje shumë të mira, por a mendoni ju të bëni menjëherë në një çast një klik në trurin e qytetarit. Qytetarët në Shqipëri përgjithësisht nuk janë të mësuar me demokracinë, ata nuk janë të mësuar të kenë një shtet që ka ligjet e veta, në mënyrë që të krijojnë identifikimin e tyre me shtetin. Shqiptarët thonë se janë krenarë me vendin e tyre, e megjthatë unë besoj se nëse ata do të ishin të tillë, do të duhet të respektonin ligjet e vendit të tyre, do të duhej të mos hidhnin plehrat kudo nëpër ambient etj, për të treguar se ata vërtetë e duan këtë vend dhe kjo për mua është pika numër një. Ndërkohë pika numër dy është lloji i edukimit që ofrohet. Lloji i edukimit në Shqipëri sipas mendimit tim është statik dhe hirearkik. Ndërkohë që në europën perëndimore ne jemi mësuar që të studiojmë procese, ndërsa këtu studiohen fakte. Në Europën perëndimore studiohen fakte që ne nuk i dimë akoma se si t’i përqasim gjërat e reja. Ndërkohë në Shqipëri studiohen fakte të së kaluarës, ndërkohë që nuk studiohen këto gjetje se si ne mund t’i përmirësojmë në të ardhme. Mendoj se ky edukim hierarkik sjell dhe një sjellje hierarkike, atë lloj sjelljeje që ne kujt do që është eprori i themi po zotëri ti ke të drejtë. Unë mendoj se ka nevojë për një nivel edukimi horizontal i cili bazohet gjithmonë në respekt. Pra politikanët duhet ti respektojnë qytetarët dhe jo ti marrë ata për të mirëqenë. Në mendimin tim ky është një proces që do më shumë se 25 vjet, mund të marrim edhe shembuj të tjerë të shoqërive në tranzicion. Mund të marrim edhe vetë shembullin e Gjermanisë, ku edhe sot ka diferenca mes pjesës lindore dhe perëndimore në Gjermani. vërtetë duhet më shumë kohë, por duhet edhe më shumë punë, dhe sigurisht që do të shohim shumë shpejt edhe veprimtarinë e shoqërisë civile.

Por ka një detaj të përgjigjes tuaj, bëhet fjalë për zbatimin e ligjit nga qytetarët. Ka një përpjekje të kryeministrit dhe qeverisë së tij për të vendosur ligjin në Shqipëri, është fjala për arrestimet e shumta që janë bërë për vjedhjen e energjisë elektrike, ndërtimet pa leje edhe pse ato mund të shkaktojnë kosto elektorale për mazhorancën. A e keni parë ju pozitive këtë përpjekje të qeverisë Rama?

Po në përgjithsi mund të them se ky ka qenë vendimi i duhur që çon në fakt në drejtimin e duhur. Megjithatë personalisht do të kishte pasur raste kur nuk do të isha treguar kaq i ashpër për disa kategori të shoqërisë. Megjitahtë unë mendoj se në planin afatgjatë do ta bëjë komunitetit që ai duhet të kontribuojë. Pra komuniteti ndaj shtetit ka dhe detyra jo vetëm të drejta. Besoj se kjo lloj strategjie do të bëjë qytetarët të kuptojnë se të kesh një shtet do të thotë të kesh bashkëpërgjegjësi. Përgjegjësia nuk mund të vijë vetë nga politikanët por dhe nga qytetarët që duhet të kontribuojnë. Pra qytetarët duhet të marrin përgjegjësi që të paguajë taksat, energjinë elektrike në mënyrë që komuniteti të funksionojë. Pra në këtë mënyrë për mendimin tim kjo do të thotë të duash vendin duke respektuar ligjet.

Sa ka avancuar qeveria Rama sipas jush, a ka luftuar qeveria Rama korrupsionin?

Për mendimin tim të paktën është një gjë e mirë që këto lloj problematikash tashmë po diskutohen çdo ditë dhe kjo mendoj se është pika më pozitive. Dua të përmend ambasadoren e BE-së, zonjën Vlahutin, e cila në një takim përmendi çështjen e korrupsionit në Kroaci, e cila deri pak kohë më parë ka pasur të njëjtat problematika si këtu, por gjendja ndryshoi kur Prokurori i Përgjithshëm i vendit kapi një nga këta kokat e mëdha. Ndërkohë në Shqipëri ajo që ndodh ështe se gjithmonë arrestohen peshqit e vegjël dhe jo ata të mëdhenjtë që drejtojnë, besoj se ky është problemi. Situata nuk do të arrijë të funksionojë nëse do të arrestohen vetëm personat që ndodhen poshtë dhe jo ata që ndodhen lart në hierarki. Sepse sistemi në të vërtetë duke arrestuar vetë ata që ndodhen poshtë nuk do të shkatërrohen, sepse ai që ndodhet lartë do të ketë gjithmonë imunitet. Atëherë pikëpamja e qytetarëve në këtë rast, do të jetë pse unë duhet të jem i pakorruptuar kur ai që ndodhet lart dhe ka imunitet  nuk dënohet. Kur këto persona të dënohen vërtetë për veprimet e tyre, atëherë besoj se edhe përqasje e qytetarëve do të ndryshojë, dhe ata në punët e përditëshme do të jenë më pak të korruptuar. Shumica e qytetarëve këtu janë lindur dhe rritur në një situatë korrupsioni, por kur ata të shohin që situata po ndryshon ata do të kuptojnë dhe do të përqasen. Dua të jap një shembull me trafikun, nëse personat që ndodhen në trafik, janë duke parë që një mercedz i madh i zi kalon me të kuqe dhe ai nuk dënohet, atëhere edhe përqasja e qytetarëve do të jetë: le t’i thyejmë rregullat se nuk dënohesh. Por nga ana tjetër nuk është se qytetarët nuk dinë t’i respektojnë rregullat, sepse shqiptarë ka në të gjithë botën dhe po ta vëmë re, ata kudo që janë në një vend tjetër, dinë t’i respektojnë shumë mirë rregullat. Pra unë mendoj se nëse qytetarët do të shohin që ky mercdez i zi do të dënohet atëhere dhe ata do të fillojnë të reflektojnë dhe të ndryshojnë dhe përqasjen e tyre.

Gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të kaluara, Edi Rama premtoi solemnisht se do të çojë në burg ata që zhvilluan korrupsionin gjatë qeverisë Berisha, më saktë e kishte fjalën për Sali Berishën. Ka pasur një artikulim të zonjës Vlahutin pikërisht për këtë. Por kjo nuk ndodhi …?

Në fakt unë do të preferoja që të mos flisja me emra konkret, pasi unë nuk kam asnjë dijeni rreth fakteve apo rrethanave, kështu që nuk kam asnjë bazë për ta akuzuar atë. Megjithatë atë për mendimin tim të gjithë politikanët pavarësisht se cilës parti i përkasin nëse janë të korruptuar ata duhet të dënohen. Besoj se kjo është ende një nga premtimet jo të mbajtura suksesshëm nga qeveria Rama, por është mjaft pozitive që ne jemi duke folur vazhdimisht për këtë çështje. Por pavarësishst diskutimeve njerëzit janë duke pritur të ketë rezultate, ata po presin të ndodhë diçka, nëse këto premtime janë false apo të vërteta. Njerëzit kanë nevojë të dinë nëse ata janë gënjyer kur politikanët kanë paditur njëri-tjetrin. Njerëzit po presin të kuptojnë se nëse kanë qenë jo të vërteta, atëherë politikanët tu thonë që akuzat kanë qenë të pavërteta kemi gënjyer gjatë 10 viteve të fundit. Por nëse është e vërtetë njerëzit kanë pritshmërinë që këta persona të dënohen dhe të marrin dënimin respektiv për atë çfarë kanë bërë. Mendoj se jemi në situatën për të parë se çfarë do të ndodhë, por patjetër diçka duhet të ndodhë.

Një tjetër çështje e diskutuar gjatë muajve të fundit është edhe ajo e dekriminalizimit të politikës. Është bërë një marrwveshje mes palëve në politikën shqiptare, dhjetorin e vitit që shkoi, por ende nuk kemi një proces dekriminalizimi. Pavarësisht këtij problemi kemi në listat e kandidatëve për kryetarë bashkie emra që fliten si të inkriminuar. A ka një mungesë të seriozitetit apo është diçka më shumë, nevojë e politikës për të qëndruar e kriminalizuar?

Unë mendoj se janë të dyja opsionet që ju përmendët. Ky nuk është i vetmi ligj që është shumë mirë i mirëshkruar, por në fakt i mungon inplementimi i tij. Duket sikur politikanët shqiptarë janë mësuar që të ndërtojnë këto dritaret  bukura me ligje të mirëshkruara për të ruajtur, por besoj se kjo nuk është e mjaftueshme. Pasi sa më pranë që ne i shkojmë BE-së, do të kuptojmë se europa do të kërkojë llogaridhënie për implementimin reale me atë se çfarë po bëhet dhe jo për fletë e bukurshkruara. Nga ana tjetër unë nuk i lexoj dot gazetat shqiptare, por kam lexuar se një anëtar i një partie pretendonte që ti ktheheshin mbprapsht 400 mijë euro nga partia që ai i kishte investuar në fushatë, pasi emri i tij nuk u vendos në një nga listat për zgjedhjet elektorale. Kjo tregon se partitë politike janë ende të varura nga paratë që vijnë nga jashtë partisë dhe janë para të padeklaruara. Dua ti referohem një fjalie që Rama tha në rastin Doshi, kur ai tha se ne duam që bëhemi të pavarur nga paratë që vijnë nga jashtë. Pra po ta analizojmë fjalinë, tregon se partitë politike janë ende të varura nga paratë që vijnë nga jashtë, dhe se urojnë të jenë të pavarura në të ardhmen. Unë mendoj se buxheti i partive politike duhe të bëhet transparent, ku të tregohet se ku janë paratë nga vijnë paratë dhe për çfarë janë përdorur ato dhe kjo jo vetëm për anëtarët e partisë por për publikun e gjërë. Ashtu  siç ndodh në europë, ku forcat politike janë të detyruara të tregojnë çdo shpenzim çdo euro të tyre për publikun e gjerë.

A do të jenë zgjedhjet e 21 qershorit një test për Shqipëri në rrugën e saj drejt integrimit dhe konkretisht në procesine hapjes së negociatave?

Në fakt nuk e shoh kështu dhe pse duhet të jetë kështu. Hapja e negociatave me BE-në ka kërkuar disa pika të mirë përcaktuara, pika të cilat mund të jenë të lidhura me zgjedhjet, por jo detyrimisht. Unë mendoj që jo detyrimisht këto zgjedhje do ta bëjnë shqipërinë të shkojë një hap para apo një hap pas në lidhje me hapjen e negociatave, por mendoj se këto zgjedhje sa më demokratike të jenë, do të jenë një pikë favoruizuese, por jo një mbështetje e drejtpërdrejtë.

Ndërkohë ambasadori amerikan ka nisur një fushatë kundër blerjes së votës. Nisur nga disa sinjale që vijnë për shitje të votës nga disa shqiptarë, e keni ndjekur ju këtë fushatë, e keni ndjekur këtë debat për shit-bjerjes së votës në Shqipëri?

Të jem i sinqertë unë nuk kam parë asnjë rast të shit-blerjes së votës, por as nuk kam dosjet që ambasadori amerikan posedon. Por kam dëgjuar se ky është një fenomen i  mirënjohur në shoqëri, ku të gjithë janë koshientë se vota mund të shitet ose mund të blihet. Ajo që mua më surprizon për mirë sigurisht, është se kjo është bërë një çështje dhe po diskutohet. Me siguri shitje dhe blerje vote ka pasur dhe në zgjedhjet e mëparshme, por ama nuk është bërë një diskutim i tillë. Ky është një diskutim shumë i mirë një diskutim që po bëhet dhe na prek të gjithë neve. Mendoj se nëse vërtetohet se kjo situatë ndodh, kjo nuk do të jetë aspak ndihmuese për hapjen e negociatave në BE. Pra nëse vërtetohet blerja e votës kjo do të jetë padiskutim një shuplakë për integrimin në BE.

 

 

4 komente në “Frank Hantke: Shit-blerja e votës, “shuplakë për integrimin e Shqipërisë. Problemi i korrupsionit, është se gjithnjë kapen peshqit e vegjël”

  1. arbi says:

    Po Ca peralla na thote ky zoteria blerje ka patur ka dhe do te kete..edhe ndodh ne europe e ne amerike ,Po ke è keta fukarenj jane gjithnje e me pak

  2. Argita_B says:

    Pö si ju a merre mendja se katnaret e Vores qe kerkojne te behen kryetar bashkie nuk e ze gjumi nates se pengojne Shqiperine te integroje Evorpen!!!
    Po keta barjderra jane mesuar vetem te bajne matraopazlligje, te bejne hile, te shkelin çdo lloj ligji qe munden me te vetmin qellim, te sigurijne jeten e tyre dhe te femijeve te tyre, te shoqerise dhe klanave qe i sherbejne.
    Ne politiken shqiptare sot kemi faren me te keqe qe ka pjelle populli shqiptar prej shekujsh, njerez te babezitur, qe kane qene barkthare e sot jane duke eskplozuar nga teprica, njerez qe vjedhin e plaçkisin, njerez qe i varen jarget nga goja sipersonazhet e Viktor Hugo te “Te Mjeret”.
    Deri sa populli shqiptar arrin ti duroje mbi kurriz keta parazite, asgje ska per te ndryshuar.

  3. taso kume says:

    DHE NE NAPOLI votat blihen me nje pice,nuk na thua ndonje gje te re vetem ne qoftese i perdorni per te vene bastunin ne rota z,HANTKE.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje