DEBATET/Tërheqja e Altin Biba, KQZ nuk pranon kërkesën e PD

15 Qershor 2015, 15:12Politika TEMA

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk pranoi sot kërkesën e koalicionit të djathtë “Aleanca Popullore për Punë dhe Dinjitet” për tërheqjen nga gara e 21 qershorit të kandidatit për kryetar bashkie, Altin Biba, në bashkinë Kurbin.

Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Ivi Kaso i kërkoi KQZ-së të pranojë dorëheqjen e kandidatit Biba, duke iu referuar nenit 67 të Kodit Zgjedhor.

Kaso iu referua dhe jurisprudencës, sipas së cilës nuk mund të ketë interpretim ligjor të dorëheqjes së kandidatit, në këtë rast të konkurentit për bashkinë Kurbin.

Përfaqësuesi i PS-së në KQZ , Eridian Salianji u shpreh për rrëzimin e kërkesës së opozitës dhe lejimin nga PD të kandidimit të Altin Bibës.

“Institucioni i tërheqjes njihet deri në momenti që t’i nuk je kandidat, por kur vendos të kandidosh nuk mund të ketë tërheqje mbrapa, dhe ky është garanti i zgjedhjeve. Kjo kërkesë e fut procesin në një rrugë pa zgjidhje. KQZ i ka dhënë njëherë përgjigje një kërkese të mëparshme të PD-së për këtë çështje”, tha Salianji.

10 ditë pasi Kolegji Zgjedhor rrëzoi ankimimin e PD-së që kundërshtonte vendimin e KQZ-së për dorëheqjen nga gara e 21 qershorit të kandidatit Biba dhe regjistrimin në vend të tij të Ilir Pjetrajt, sërish PD iu drejtua Komisionit Zgjedhor, duke këmbëngulur në tërheqjen e kandidatit të parë.

Vendimi i marrë nga trupa e Kolegjit më 5 qershor la në fuqi vendimin e KQZ-së, sipas të cilit Altin Biba do të ishte kandidati i opozitës në Kurbin.

Debatet

Ivi Kaso : “Kjo kërkesë është rrjedhojë e vendimmarrjes suaj dhe e kolegjit zgjedhor që në mënyrë paradoksale nuk pranoi një dorëheqje të parevokueshme, nuk kam dëgjuar të ndodhë, në rastet e dorëheqjeve institucioni nuk mund të diskutojë ligjshmërinë ose jo të dorëheqjes por duhet vetëm të zgjidhë pasojat. Një vendim të vetëm ka dhe nuk është në linjë as me vendimmarrjen që ka marrë KQZ-ja as në vendimmarrjen e kolegjit. Është vendim i kolegjeve të bashkuara të Gjykatës së Lartë.

Denar Biba : “Zoti Kaso, duke qenë se precedenti i vetëm të cilit ne mund t’i referohemi, me të cilin do të përballemi është rasti i Këlcyrës ku u bë e qartë nga vendimi i KQZ-së që motivi dhe i vetmi argument  për pranimin e kërkesës suaj për çregjistrimin e kandidatit tuaj në Këlcyrë ishte dekriminalizimi. Pyetja ime është e drejtpërdrejtë, e keni kriminel edhe këtë të Kurbinit? Nëse do më jepni argumente të ngjashme me atë të Këlcyrës, realisht do ta mendoj pro jush votën time”

Ivi Kaso : “Përsa i përket pjesës që pyesni nëse e keni kriminel edhe këtë zotërinë, dua të saktësoj që, koalicioni që unë përfaqësoj nuk ka kriminelë dhe pikërisht për të gjitha këto arsye ka vendosur një standard, ta bëjmë të qartë të kristaltë: Neve nuk kemi kriminelë! Nuk kemi dhe nuk duam të kemi kriminelë”

Denar Biba: “Po thoni që na keni futur në rrugë të gabuar me rastin e Këlcyrës? I vetmi precedent yni është Këlcyra. Dhe në rastin e Këlcyrës qartësisht e dhamë pëlqimin tonë për shkak të dekriminalizimit. Pyetja është a ndodhemi në të njëjtën situatë? ”

Ivi Kaso:  “Po po ja atë të Kavajës, prisni se vjen nesër ajo e Kavajës”

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje