Teksa Skënderbeu pati fat në shortin e Nyonit për në Champions League, kjo gjë nuk mund të thuhet për Partizanin, Laçin dhe Kukësin në Europa League.
Goglat e Nyonit ishin të pamëshirshme me Partizanin që do të përballet me norvegjezët e Stromsgodset, të cilët sezonin e kaluar avancuan deri në raundin e dytë eliminator të Champions League, por edhe në Norvegji vitin e kaluar luftonin për titull.
Laçi do të ketë përballë Inter Baku, ekipin azerbajxhanas që ka investuar miliona dhe e mbylli në vendin e dytë sezonin këtë vit.
Kukësi mund të ndihet paksa me fat pasi do të ketë përballë FC Torpedo Zhodino, bjellorusët që aktualisht janë në vendin e tretë nga fundi në kampionatin vendas.
Ndeshjet e para do të luhen më 2 korrik dhe që të trija ekipet shqiptare do t’i zhvillojnë në shtëpi takimet e para, ndërsa pas 7 ditesh ato të kthimit në transfertë.