Inaugurohet "Tirana Business Park"/ Rama: Investimet gjermane kanë një vlerë të posacme. 10 mijë vende të reja pune

30 Qershor 2015, 13:15Ekonomia TEMA

“Tirana Business Park”, një “shtëpi” e përbashkët për bizneset,  u inaugurua me një ceremoni ku mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku i ri i Tiranës Erion Veliaj.

Duke e quajtur një projekt vizionar qendrën e madhe të biznesit të ngritur në Vorë, Rama tha se parashikimet flasin për të paktën 10 mijë të punësuar deri në vitin 2020.

“Duam pak minuta nga Tirana për të ardhur në Gjermani, kjo është arsyeja pse investimet gjermane kanë një vlerë të posaçme përtej vlerës financiare, vlerës së shtuar në punësim. Gjermanët kanë vlerë kulturore për mënyrën e të jetuarit në një hapësirë ku bëhet biznes, ku ofrohen shërbime, ku informohen qytetarë. Faleminderit që na keni sjellë një copë Gjermanie në Vorë.

Së dyti, investimet gjermane të këtyre përmasave kanë një tipologji të veçantë, ndryshe nga investimet e tjera evropiane, se janë investime familjesh që brez pas brezi trashëgojnë eksperiencën, dijen dhe rrisin ekonominë e tyre duke pasur një kontribut të posaçëm në rritjen e ekonomisë kombëtare, familja që ka përjetuar investim prej 100 milionë eurosh që do të shtrihet deri në vitin 2020 me të paktën 10 mijë të punësuar”, tha Rama.

Gjatë fjalës së tij, Kreu i Qeverisë nuk ka lënë mënjanë batutat.

“Është një nga ato histori suksesi të biznesit familjar në Gjermani që këtu ka vendosur të sjellë dhëndrin e njërës nga 4 vajzat. Një arsye më shumë për tu ndjerë të sigurt që do jetë sukses, se dhëndri nuk ka asnjë mundësi të ndahet nga vajza që ka marrë për grua duke dështuar në Shqipëri.

Po të ishte vajza vetë mund të kishte edhe problem se do thoshte nuk bëhet me shqiptarët baba po kthehem. Dhëndri nuk ka mundësi të kthehet se pastaj nuk gjen as vajzën. Fat që ky investim mori rrugë.

Një treg që sado i ngatërruar është një treg ku fiton cilësia e nuk ka sesi të jetë ndryshe. Tirana Business Park është një nismë e re në një drejtim të ri të kalimit të një oazi si një qytet i vogël brenda qytetit të madh që ofron jo vetëm çka aktiviteti i brendshëm përbën por edhe një vizion edhe një rrugë zbatim të një projekti infrastrukturor, urbanistik, miqësor me mjedisin”, u shpreh ai.

Kryeministri solli gjatë fjalës së tij një fakt të konfirmuar edhe nga ambasadori gjerman, lehtësitë që Shqipëria i ofron investitorëve të huaj.

“Është kënaqësi e veçantë, i mora leje ambasadorit nëse mund ta thosha dhe pasi ma konfirmoi po e them: Në atë librin e barcaletave që zoti Ulmer tha se mund të shkruajë me gjithë aventurën shumë-vjeçare të kësaj sipërmarrje në labirinthet e burokracisë, qeveria shqiptare nuk është pjesë e barcaletave. Kemi bërë gjithçka është e mundur të ndihmojmë kompaninë të zgjidhë të gjitha nyjet që i ishin bërë pengesë për këtë investim”, u shpreh Rama.

Gjithashtu, kryeministri Rama vlerësoi investimet gjermane jo vetëm për ndikimin financiar, por edhe për kulturën ndryshe të të bërit biznes që tejçojnë në vendin tonë.

Investimet gjermane sjellin një kulturë të të bërit biznes dhe të punuarit për të cilën ne kemi shumë nevojë. Pa pasur iluzionin që mund të bëhemi ndonjëherë gjermane se këtë s’e realizojmë dot. Ne jemi shqiptarë dhe do të mbetemi shqiptarë me të mirat dhe të këqijat tona, por duke u përpjekur të korrigjomë të metat me ndihmën e shembullit të marrë nga puna e gjermanëve”, tha Kreu i Qeverisë.

Sipas tij, historia e investimeve gjermane në Shqipëri, të cilat pas viteve ’90 llogariten në mbi 1 miliardë euro, ka treguar se aty ku financojnë gjermanët sistemet funksionojnë në mënyrë thuajse të përsosur, ndryshe nga të tjerët.

“Ata nuk financojnë vetëm për tulla, llaç e ngrehina por edhe për rritjen e kapitalit njerëzor dhe rritjen e cilësisë së burimeve njerëzore.

Miqtë e vërtetë janë ata që na njohin mirë që njohin mirë edhe difektet tona e megjithatë na qëndrojnë edhe në krah”. Nuk është e lehtë të kesh mik ambasadorin e Gjermanisë, sepse këta shikojnë çdo defekt e kur ka një defekt këta shohin një dramë që duhet të marrë fund”, tha Rama.

I pranishëm në ceremoninë e përurimit ishte edhe kryetari i sapozgjedhur i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

“Dua që t’ju ftoj publikisht, në atë që do të jetë këshilli ekonomik i Tiranës. Është në miniaturë dhe një strukturë e ngjashme me Këshillin Ekonomik Kombëtar, e ngjashme me atë që drejton kryeministri dhe që organizohet nga qeveria shqiptare”, tha Veliaj.

Gjatë fjalës së tij, Veliaj vuri theksin tek rëndësia e komunitetit të biznesit në zhvillimin e mëtejshëm të Tiranës.

“Ne besojmë se komuniteti i biznesit ka çfarë të japë për qytetin, dhe jo vetëm të jeni anëtarë të rinj të biznesit në Këshillin e ri Bashkiak, por duam që këshilli ekonomik i Tiranës të jetë forumi kryesor, i cili filtron të gjithë vendimmarrjen e bashkisë së madhe të Tiranës, përpara se këto vendime të shkojnë në këshillin bashkiak”, nënvizoi Veliaj.

Gjithashtu, Veliaj u bëri thirrje të gjitha bizneseve për të marrë pjesë në garën për fondin e nxitjes së punësimit, e cila tanimë do të zhvillohet edhe nga bashkia e re e Tiranës.

“Duam gjithashtu, që prej shumë prej kompanive pjesëmarrëse këtu, të bëhet një garë e shëndetshme me qeverinë kur vjen puna tek fondi i nxitjes së punësimit. Qeveria aplikoi një eksperiment të suksesshëm për fondin e nxitjes së punësimit, pra për të investuar në ato kompani që ofrojnë punësim për të rinjtë dhe gratë. Duam shumë që qyteti i Tiranës, të ofrojë një garë me qeverinë, duke shtuar fondin e nxitjes së punësimit por këtë herë nga bashkia e Tiranës”.

Veliaj vlerësoi edhe eksperiencën e bizneseve në fushën e ekonomisë, pasi vetëm në këtë mënyrë Tirana mund të jetë e hapur për të bërë biznes.

Tirana Business Park sjell një model të ri pune në vendin tonë, atë bashkë-funksionimit të bizneseve brenda një hapësire pune të përbashkët, një investim prej 100 milionë euro nga shoqëria gjermane “Lindner Group”.

7 komente në “Inaugurohet “Tirana Business Park”/ Rama: Investimet gjermane kanë një vlerë të posacme. 10 mijë vende të reja pune”

  1. the Punisher says:

    O burra se na i zune greket vendet e punes.

    1. Arti says:

      Hahhahhahahahhahahahhahaha fantastike.

  2. sokol says:

    Po ku jane tere keto vende pune? Perse nuk dalin ne asnje njoftim?

  3. Florian says:

    Kjo eshte hapur qe ne 2012. Filloi dhe ky me pre shirita si sorra e vjeter.

    1. Mezani Celo says:

      Jepi Cezarit ate qe eshte e Cezarit.
      Rama duhet falenderuar qe eshte i pari Kryeminister shqiptar qe nuk preu asnje shirit inagurimi ne fushate elektorale.

      Kjo gjeja jo vetem qe nuk eshte hapur ne 2012, por deri para ca muajsh aty punohej me vrull te madh.

      1. Lesheli says:

        Ke te drejte asnje shirit, thjesht na cau trapin duke shperndare tapi per ate qe ndertuan pa leje ne toke te tjetrit.
        Ik falenderoje dhe nga ana ime.

  4. arti says:

    si ato 550 vendet e punes qe u hapen ne librazhd (30 si perfundim ,550 ne perurim )….

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje