Shoqata Çamëria: Vizita e Kotzias i shërben zgjidhjes së cështjeve të mbetura pezull

14 Korrik 2015, 13:04Politika TEMA

“Ardhja e ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotzias në Tiranë është një moment kyç për marrëdhëniet dypalëshe dhe për të çuar përpara çështjet e pazgjidhura mes dy vendeve tona.

Diskutimi itë gjitha çështjeve të hapura mes nesh i shërben përmirësimit të marrëdhënieve dypalëshe.Dosja diplomatike shqiptarogreke është komplekse dhe të gjitha çështjet duhet të trajtohen me seriozitetit që meritojnë”.

Kështu shprehet Ardian Tana, Kryetar i shoqatës Camëria, duke komentuar vizitën e kreut të diplomacisë greke në Tiranë.

Përmes një deklarate, Shoqata “Çamëria” gjykon se takimet dypalëshe duhet të jenë gjithpërfshirëse.

“Hapi i parë në shtensionimin e marrëdhënieve do të ishte abrogimi zyrtar i ligjit të luftës, që Greqia e mban ende në fuqi, pavarësisht se vendet tona janë anëtare të NATO-s dhe mes dy vendeve është nënshkruar një traktat miqësie. Prania e këtij ligji absurd e bën të pasinqertë trajtimin e çdo çështjeje mes dy vendeve.

Trajtimi i çështjes çame, si një çështje që kërkon zgjidhje të drejtë dhe dinjitoze është pa dyshim elementi më i rëndësishëm i dosjes diplomatike shqiptaro-greke. Greqia vjen nga një betejë në Eurogrup, të cilën e ka cilësuar si betejë për dinjitet dhe drejtësi. Bazuar pikërisht në të njëjtën frymë, qeveria shqiptare duhet të kërkojë drejtësinë dhe dinjitetin për 300.000 shtetas të saj, ish shtetas grek, për çështjen e pronave, të drejtën e rikthimit, të drejtën e shtetësisë dhe të drejtat e pakicave, që së bashku përbëjnë çështjen çame. E gjitha kjo mund të nisë nga një ndjesë, që çdo komb i madh ka thënë, për padrejtësitë që ka kryer. Ndjesa ndaj shqiptarëve të Çamërisë është e vonuar, por tani është momenti për t’u thënë.

Zgjidhja e çështjes së ujrave, në respekt të plotë të vendimit të Gjykatës Kushtetuese, është një tjetër pikë e rëndësishme e dosjes diplomatike. Ajo duhet të zgjidhet me marrëveshje dhe në bazë të parimit të ndarjes së drejtë të ujrave, siç ka parashikuar Gjykata Kushtetuese.

Po ashtu, njohja e pavarësisë së Kosovës, ndalimi i financimit të strukturave që tentojnë asimilimin e shqiptarëve në jug të vendit, kryesisht të të afërmve të emigrantëve në Greqi, do të përbënin një hap të rëndësishëm për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe”, thuhet në deklaratë.

Shoqata “Çamëria” gjykon se deklaratat e deritanishme të Ministrit të Jashtëm Grek mbi çështjen çame kanë qenë të papranueshme e aspak dinjitoze.

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje