Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut miratoi në mënyrë unanime projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për kontrollin e lëndëve narkotike dhe zbatimin e ligjit”.
Marrëveshja ndërmjet qeverisë së Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për kontrollin e lëndëve narkotike dhe zbatimin e ligjit, është nënshkruar më 1 korrik 2015. Me anë të kësaj marrëveshjeje, qeveria e Republikës së Shqipërisë dhe qeveria e Shteteve të Bashkuara bien dakord për të krijuar dhe për të mbështetur një projekt të hartuar për të forcuar sektorin e drejtësisë shqiptare dhe kapacitetin e saj për të hetuar, ndjekur penalisht dhe gjykuar krimin, veçanërisht krimin e organizuar dhe korrupsionin, duke i siguruar mbrojtje për një proces të rregullt dhe standarde ligjore ndërkombëtare, duke nxitur zhvillimin profesional të zyrtarëve të sektorit të drejtësisë, si dhe për të siguruar ndihmë teknike në lidhje me reformat e duhura legjislative dhe përpjekjet për zhvillim të politikave. Për këtë qëllim, qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ofron një fond prej, 7 778 000 $ me qëllim realizimin e dy projekteve: “Zhvillimi i sektorit të drejtësisë penale” dhe “Zhvillimi i zbatimit të ligjit”. Marrëveshja u prezantua në Komision nga Ministri Tahiri, i cili në fjalën e tij theksoi.
“Unë besoj se gjatë kësaj kohe kemi intensifikuar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë, duke filuar me skanimin e problematikave dhe gjetjen e boshllëqeve qoftë në kuadrin ligjor qoftë në zhvillimin infrastrukturor e teknologjik të Policisë së Shtetit, dhe zinxhirit institucional të drejtësisë penale dhe bazuar mbi këtë vlerësim të situatës dhe hapat konkretë të bashkëpunimit që kemi patur gjatë kësaj kohe kemi konkluduar në këtë marrëveshje që është vërtetë një ndihmë substanciale jo vetëm financiare, por dhe vlera e ekspertizës që merr Policia e Shtetit dhe gjithë zinxhiri institucional i drejtësisë penale, në raport me luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionin.
Buxheti i parashikuar nga SHBA është për asistencë të kualifikuar lidhur me ekspertizën dhe hetimin e veprave penale, por edhe përmirësimin e tenkologjik të Policisë së Shtetit dhe institucionet e tjera që merren me dhënien e drejtësisë penale.
Paralelisht me marrëveshjen, kemi ecur paralel me draftimin e nevojave, që vjen nga analizimi i situatës, nga vlerësimi i boshllëqeve, dhe arrijmë sot në këtë marrëveshje.
Ajo do të fillojë të miratohet që nga shtatori, pas miratimit nga Parlamenti.
Është ndihmë mjaft e vyer për ne, sepse forcon kapacitetet tona substancialisht për të patur një sistem të drejtësisë penale, që edhe nëpërmjet kësaj ndihme, do bëjë të mundur hetime të thelluara, hetime të qëndrueshme dhe rezultate sodile në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit”, u shpreh ministri i Brendshëm.