Arturo Vidal te Bajerni, punë e kryer

16 Korrik 2015, 11:03Sport TEMA

Arturo Vidal është vetëm një hap larg Bajernit të Mynihut.

Gjatë orëve të fundit çështja e kilianit ka marrë një drejtim pa kthim, pasi Juventusi duket se i është dorëzuar ofertës së bërë nga drejtuesit e klubit gjerman.

Mesfushori ka rënë dakort me Matias Samer për një kontratë nga e cila do të përfitojë 6.5 milion euro në sezon, ndërsa Juventusi kërkon 45 milionë.

Por, vështirë se Bajerni mund të arrijë deri në këtë shifër, prandaj zgjidhja më e mundshme është ulja e pretendimeve të bardhezinjve deri në 35-40 milionë.

Largimi i Vidal nga Juventusi shihet si zgjidhja më e mirë e momentit për të mbajtur të paktën edhe një vit Pol Pogba.

Sipas mediave italiane, drejtori sportiv, Beppe Marota dhe presidenti Andrea Anjeli duken të kënaqur me ofertën 40 milionë, plus bonuset, pasi vlera e kartonit të Vidal mund të shkojë në total deri në 45 milionë, ndërsa bisedimet janë favorizuar edhe nga fakti se dy klubet kanë marrëdhënie të shkëlqyera.

Kjo nuk është hera e parë që Bajerni shfaq interes për kilianin, pasi në vitin 2011 tentoi ta transferonte nga Bajer Leverkuseni.

Por, mesfushori preferoi eksperiencën italiane duke ngjallur edhe zemërimin e drejtuesve të klubit gjerman, të cilët duket se kanë bërë një hap pas.

Në atë kohë, Karl Heinze Rumenige deklaroi se nëse Vidal do të ishte një njeri me moral, do t”u qëndronte premtimeve të bëra, por ai zgjodhi një klub të dështuar.

Në krahun tjetër, Juventusi reagoi menjëherë duke e lidhur zemërimin e Rumeniges me të shkuarën e tij si interist.

Gjithsesi, kjo duket një ngjarje e shumë viteve më parë sepse polemikat i ka mbuluar pluhuri i harresës.

Bajerni ka nevojë për një mesfushor që të mbulojë pozicionin e Shvainshtaiger, ndërsa Vidal është shprehur i gatshëm të korrigjojë vendimin e 4 viteve më parë./ SS

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje