"Tirana më mësoi të mos kem frikë"

18 Korrik 2015, 12:40Dossier TEMA

25 vjet më parë, më 13 korrik 1990, shqiptarët e ngjarjeve të 2 korrikut mbritën me tragete nga Durrësi në portin e Brindizit, Itali. Rreth pesö mijë vetë, burra, gra dhe fëmijë shkelën tokën e ëndërruar të Perëndimit të lirë duke kontribuar me largimin në fundin e shpejtë të regjimit komunist. Por si kishin qënë 10 ditët e tyre në ambasada, si hynë, kush i mbështeti, çfarë përballuan?

Jam ulur me Lothar Parzeller në kafenenë “Safran” në rrugën e Ambasadave. Në korrikun e vitit 1990 ai punonte si roje sigurie në ambasadën gjermane. Tani ndodhet në Tiranë, i ftuar nga ambasadori gjerman, Helmut Hoffmann, si aktor dhe dëshmitar i dorës së parö në përkujtimin e atyre ngjarjeve, që ambasadori gjerman i cilëson si “fillimin e një miqësie të madhe mes Gjermanisë dhe Shqipërisë”. Bisedojmë për atë kohë dhe përpiqemi të rakordojmë kujtimet tona.

“Kisha pak muaj që kisha ardhur në Tiranë. Isha 27 vjeç, jetoja në Hotel Tirana se Ambasada Gjermane ishte në përfundim e sipër. Lëvizja me biçikletë, shkoja shpesh tek pishinat pranë Liqenit Artificial. Nuk kisha kuptuar asgjë për represionin, mungesën e lirisë, varfërinë ku jetonin shqiptarët. Një ditë, në një kafene, iu afrova një grupi studentësh për të biseduar me ta. U ngritën menjëherë si me urdhër. Aty për herë të parë kuptova gjithçka,” thotë Lothar Parzeller.

Nuk do të vononte që ai të kuptonte shumë më tepër dhe të përfshihej në ngjarje të tilla që të ndryshojnë së brendshmi.

“Ishte një mbrëmje e nxehtë. Unë dhe gjithë rojet e sigurisë kishim lënë hotelin dhe flinim në ambasadë. Kisha mbaruar orarin e punës, kur në oborrin e pasëm të ambasadës katër burra kërcyen nga muri dhe hynë brenda.” thotë Lothar Parzeller.

E pyes: Sa ishte data, sa ishte ishte ora? Ai nxjerr nga xhepi një bllok të vogël shënimesh, ngjyrë blu, në formë drejtëkëndeshi dhe e shfleton.

“Ky është ditari im për ato ditë. Ja ta shoh…kam shkruar: “Në datën 1 korrik, në orën 20.00 të mbrëmjes katër persona hynë në ambasadë. Njëri ka një plagë të madhe në këmbë dhe ka humbur shumë gjak.” Më vonë, po atë mbrëmje, më tha se ishte qëlluar nga policët që ishin pas murit. Fola në telefon me kolegë të ministrisë sime në Gjermani se çfarë mund të bënim që të mos vdiste, se vazhdonte të humbiste shumë gjak.

Në orën 2 pas mesnate erdhi një doktor shqiptar. Të nesërmen në mëngjes që të katört i vendosëm në katin e fundit të ambasadës, që të mos dukeshin. Më kujtohet mirë frika që kishim se mos Sigurimi i shihte dhe futej në ambasadë që t’i merrte. Shpresonim se mund ata mund të mendonin që nuk i kishim pranuar” thotë Lothar.

Por mbrëmja e ditës së nesërme, 2 korrikut 1990 do ta përballte atë me diçka krejt të pazakontë.

“Po bënim zgarë me policët e tjerë gjermanë në pjesën e pasme të ambasadës. Kur dëgjojmë një zhurmë të madhe, murin përballë nesh të shembet dhe një kamion të ngarkuar plot me njerëz të hyjë në ambasadë. Nxitova të bëj fotografi, video që më pas bënë xhiron e botës,” – kujton ai.

Lothar hap përsëri ditarin dhe lexon me zë: “2 korrik, ora 16.00 pasdite. Një kamion i ngarkaur me 63 vetë hyri në ambasadë. Në kabinën e kamionit shoferi, me gruan dhe dy djem, njëri 5- 6 vjeç, tjetri bebe disamuajshe. Shoferi i plagosur rëndë.” Kam edhe një fotografi ku dukem unë dhe ai që po i mbyll plagën e madhe. Mbaj mend që i vendosa një krem në ngjyrë të kuqe për ta dezinfektuar dhe pastaj i fashova plagën. Kam edhe një fotografi tjetër ku të gjithë ata që hynë me kamion janë ulur përballë shkallëve të rezidencës së ambasadës” – kujton Lothar Parzeller .

Guximi që ushqen shpresa mund frikën nga vdekja

Ai më tregon sesi e çara që shkaktoi kamioni në murin e ambasadës bëri të mundur që njerëzit të vërshonin përmes saj dhe të futeshin në ambasadë. Nën plumbat e policëve, pikërisht tek e çara ku turrej turma që ulërinte.

“Nuk arrinim të shihnim ata që qëlloheshin para se të hynin përmes të çarës në territorin që i përkiste ambasadës sonë. Më kujtohet një djalë i ri që sapo kaloi të çarën u rrëzua. Nuk merrre dot frymë dhe ishte zbardhur, bërë si mehit në fytyrë. I hoqëm rrobat. Pamë se kishte dy vrima, një në anën e majtë të kraharorit, tjetrën në të djathtën. Vrima të vogla, pa gjak. Nga njëra, kur ai merrte frymë, dilte ajër. Bashkë me një polic të ambasadës e çuam në spital, në kirurgji. Mjekut i thamë që është nën kujdesin tonë. Ai e futi urgjentisht në sallë. Ne prisnim pas derës. Në një moment të caktuar në spital vijnë njerëzit e Sigurimit. Ishin civilë, një tip tjetër policësh nga ata që kisha parë deri atëhere në Tiranë, ishin trupmëdhenj, muskulozë, të shtinin frikën. Donin të hynin tek salla e operacionit dhe ta merrnin djalin. E vetmja armë që kishim ishte pasaporta diplomatike që e kishim marrë me vete. U thamë sigurimsave “ju nuk mund të hyni këtu”, duke u tundur pasaportat tona në fytyrë. Ndenjëm pa lëvizur për 48 orë para sallës së reanimacionit, kishim uri, etje por nuk lëvizëm. Pastaj erdhi një urdhër me radiomarrës që të ktheheshin në ambasadë. Sigurimi kishte bërë me dije se nuk do të merrej më parasysh pasaporta diplomatike dhe nëse nuk largoheshim do të shpalleshim “persona non grata”. U kthyem në ambasadë ku na prisnin të plagosur të tjerë. Më vonë, nga një doktor kubanez, që ndodhej në spital morëm vesh që Sigurimi e kishte marrë nga reanimacioni dhe nxjerrë në pavion. Më erdhi shumë keq, kur mora vesh që kishte vdekur…”

Ujë, bukë, djathë, fruta për 3.000 vetë

E çara e kamionit u mbyll. Ambasada gjermane duhet të ishte e sigurtë. Por njerëzit tentonin të kapërcenin murin, ku ishin vendosur copa xhami të thyer.

“Ndërkohë numri i njerëzve kishte kaluar 3.000 vetët. Mes tyre shumë të plagosur, të sëmurë, fëmijë dhe gra shtatzana. Madje një prej tyre lindi në ambasadë një vajzë. Kujdesesha për të sëmuret, kisha bërë një kurs për ndihmën e parë, që e bëjnë gjithë policët në Gjermani. Shumica i kishin duart dhe këmbët të plagosura, kaviljet e thyera. Ishte një lojë me vdekjen. Duhet të kapeshe tek muri me xhama dhe të hidheshe shumë shpejt matanë murit, që të mos të të kapnin plumbat. Burrat rrinin jashtë tek zona e parkimit, të sëmuret, grate dhe fëmijët në ambasadë. Sollëm një doktor nga Gjermania që të vizitonte të sëmurët” thotë Lothar Parzeller. Përballimi i të përditshmes, për më shumë se 3 mijë veta, në hapësirën e kufizuar të ambasadës gjermane nuk ishte i lehtë. Por ai u bë pothuajse një heroizëm kur Sigurimi preu furnizimin me ujë të ambasadës gjermane.

“Nuk e di as se kush arriti të sjellë ujë me autobote në obrrrin e ambasadës, as kush e pagoi. Ishte një domosdoshmëri për higjenën minimale dhe shmangien e epidemive. Çdo ditë dilnim me një furgon dhe shkonim në furrat e bukës së asaj kohe dhe kërkonim të blinim gjithë bukën, në ushqimore gjithë djathin, tek fruta–perimet gjithe frutat. Në sallën e ambasadës ku tani bëhen takime, koncerete dhe ku zhvilluam takimin përkujtimor për ngjarjet e 2 korrikut, shpërndanim sipas listave, që kishim përgatitur, racionet e përditshme: ujë, bukë, djathë, fruta .. për 3 mijë vetë!!!” thotë Lothar Parzeller.

Largimi drejt lirisë

Kur i dërguari i posaçëm i Sekretarit të atëhershëm të Pergjithshëm të OKB-së, Perez de Kuelar, suedezi Staffan de Mistura mbriti në Tiranë për të siguruar të drejtën e lirisë së qarkullimit të njerëzve në ambasada drejt Perëndimit, Ambasada Gjermane ishte në pararojë të gjithë ambasadave në Tiranë për të mundësuar largimin e tyre nga Shqipëria

“Më 8 korrik 1990 filluam punën për pajisjen me pasaporta. Përsëri në të njëjtën sallë ku shpërndanim ushqimin, një fotograf gjerman bëri më shumë se 300 fotografi dhe të gjithë plotësuan formularët përkatës. Organizuam njerëzit në grupe dhe përgatitëm gjjithshka. Në mbrëmjen e 12 korrikut, pas mesnatës, me autobuzë të 3 mijë shqiptarët që kishin hyrë në ambasadën tonë dhe rreth 2 mijë të tjerë në ambasadat e vendeve të tjera perëndimore u nisën me autobusë drejt Durrësit. Më vonë mora vesh që kishte pasur incidente nga Sigurimi. Autobuzë të ndaluar, njërëz të nxjerë jashtë tyre. E nesërmja , 13 korrik 1990, i gjeti në Brindizi, Itali. Më në fund ne liri.” thotë Lothari..

Nuk kam më frikë nga asgjë

Pas Tiranës Lothar studioi inxhenjeri kompjuterike dhe iu bashkua shërbimit diplomatik gjerman. Më thotë se tani punon në Ambasadën Gjermane në Romë.

“ Që nga 1990 isha për herë të dytë para disa muajsh në Ambasadën Gjermane në Tiranë për të installuar një sistem të ri kompjuterik. Kur i thashë amabasadorit gjerman Hoffman se kisha qënë para 25 vitesh, atij i shkëlqyen sytë, sepse po ideonte përkujtimin e 25 vjetorit të ngjarjeve në Ambasaden Gjermane. Unë kam ruajtur të gjitha fotot , videot, kam ditarin. Bashkëpunuam për materialet filmike dhe fotoekspozitën për këtë përvjetor. Gjithë sa përjetova në korrikun e 1990-ës në Tiranë më bënë të aftë të mos kem frikë. Jo se jam hero, është një eksperiencë që më mësoi të mos kem frikë”, thotë Lothari.

Të mos kesh frikë do të thotë të jetosh jetën në plotërinë e saj. Tirana ia shpërbleu kështu Lotharit humanizmin dhe përkushtimin e tij.

12 komente në ““Tirana më mësoi të mos kem frikë””

  1. durrsi says:

    Rregjimi u permbys si nje kanace kokakole bosh sepse shqiptaret hollen tej friken dhe u bashkuan si nje trup kunder diktatures. Ishte koha kur heronjte lindnin cdo minute e kudo. Ne qe i jetuam ato kohe jemi krenare per ate qe beme dhe tani qe lexoj kete artikull kuptoj qe ne ato kohe nuk kishim me frike.

  2. Tironci says:

    Ato cfare tregon jane te verteta. Por ka qene edhe nje tjeter person Gjerman me nje moshe me madhore qe dilte me nje furgon VW per te blere buke dhe ushqime neper dyqyne. Per mua ai ishte nje hero i vertete.
    Ai personi qe eshte plagosur ne kembe, e ka edhe sot plumbin brenda , me gjithe kerkesen e doktoreve gjerman per ta hequr , ai nuk ka pranuar.
    Personi i plumbit ne kembe i ra per here te pare murit me nje kamion tip Robur, i tregetise se brendeshme.
    Kamioni i dyte ka pasur si shofer nje person tjeter dhe jo shoferin me femije se ky pati frike te qendronte ne timon dhe u ndruan, pra shoferi ne timon sot punon shofer taxie ne tirane.
    Te gjithe keta persona i njoh personalisht bile edhe kete policin gjerman qe ne kohen e korrikut bente si karateist, por nuk dua te jap emrat e tyre.
    Me vjen keq per ate djalin qe ka vdekur ne spital, por ky lajm u perhap edhe atehere.Ne ate kohe u perhap edhe nje lajme se disa shkodrane qe udhetonin nga shkodra drejt tiranes per tu futur ne ambasada , jane marre nga sigurimi dhe ekzekutuar pa gjyq.

  3. Ilir Rrugeja says:

    ky eshte hero i gjalle dhe duhet respektuar dhe te dekurohet provat jane i demostron te gjitha ngjarjet dhe sakrificat mbi sistemin diktatorial
    ky person meriton medaljen Pishtare i demokracise!do te jet nje turp i madh per ata qe kane ne pushtet ,gjithashtu edhe keto qe jane sot ne qofte se ky person nuk merr ate qe meriton respekt per kete hero!!!

  4. Dulla says:

    Ky heroi edhe sot punon per zbulimin gjerman ne Rome. Ka ardhur edhe ketu per te instaluar paisjet e pergjimit.
    Po ku jane sot keta qe i rane murit dhe ata qe dolen ne liri?? Çfare fituan nga liria?? Njeri nga ata eshte shofer taksie.
    Ndersa keto plumbat e ketij nuk mund te konfirmohen. Ambasada gjermane u la aq e lire sa hynte e dilte kushdo. Disa dilnin shkonin e merrnin te tjere. Disa beheshin pishman e dilnin. Disa hynin kerkonin te afermit, etj.
    Jane treguar aq shume tregime mbi keto ngjarje saqe nese do te kishte te vrare emrat e tyre do te dilnin dhe sot do ti njihte kushdo.
    Por nuk ka patur.
    E verteta duhet thene siç eshte dhe nuk duhet instrumentalizuar si nga gjermanet ashtu edhe nga partizanet.

    1. Tironci says:

      Dulle po te pergjigjem per te te hequr dyshimet.
      Ato cfare thuhen jane te verteta dhe ate qe ka ngrene plumbin ne kembe e kam pasur shok ne kohen e enverit, kemi qene bashke ne pune, bashke ne ambasade si dhe jemi takuar edhe disa here ne gjermani. E di se ku jeton , sa femije ka dhe si e kane emrin pjestaret e tjere te familjes.
      Ate shoferin qe eshte sot shofer taxie, e njof qe para 35 vjetesh, kemi qene bashke ne ambasade, si dhe jam takuar vitet e fundit edhe ne shqiperi.
      Per ate djalin qe vdiq ne spital eshte e vertete se lajmi u dha direkt ate dite nga personeli i ambasades.Ai problemi i ujit eshte perseri i vertete dhe ka ndodhur pike per pike si thote ai gjermani.
      Ne fund te murit te ambasades u hap nje grope qe te perdorej si WC dhe njerezit uleshin ne sy te te tjereve per nevojat e tyre personale ndersa te afermit mundoheshin ti mbulonin sa mundeshin. Ka qene me te vertete mundesia e plasjes se nje epidemie , dhe jam i sigurte se po te kishte zgjatur edhe nje jave njerezit do perfundonin ne arkivole. Ne 2 korrok eshte bere nje demonstrate qe filloi tek 21-shi dhe mbarrio te flora ne qender, ate dite shteti shqiptar solli ne bulevard ushtare me lopata xheniere per te shtypur demonstraten, por fatmiresisht ata erdhen me vonese se do lahej tirona ne gjak, dhe e gjithe historia perfundoi me disa xhama dyqanesh te thyera.
      I uroj popullit tone kurre me ngjarje te tilla.

  5. Titaniku says:

    Me ardhjen e rames ne pushtet u hapen serisht ambasadat dhe ne 2015.. Dikur baballaret e tyre ne pushtet sot te bijt

  6. pellazget me kompjutera says:

    Pse eshte kaq i perkushtuar perendomi ose kapitalimi te permbyse socializmin? Pse?

  7. X5 says:

    u be mbi dy jave, nga 2 korriku qe po botohen keto pacavure dhe ndegjojme disa komentues qe po dalin sot si heronj fiku

    eshte turp,ndoshta dhe krim qe ngjarja e ambasadave trajtohet akoma si heroizem apo revolte qytetare.

    vete fakti se shqiperia sot eshte zhdukur nga harta e shteteve te botes pasi eshte kthyer me poshte se vilajetet e kohes turqise.

    eshte ndyresi te “festohen” keto ngjarje qe ishin 101% vepra te sherbimeve sekrete perendimore kryesisht ato gjermano-amerikane te lidhur ngushte..e theksoj te lidhur ngushte me sherbimet serbe dhe greke..

    ato ambassadore perendimore ,gjysem dipllomate e gjysem spiuna qe sherbyen ne shqiperi ne 1988-1992 (dhe ato qe ishin pas tyre )duhen denuar si perdhunues kufome..ketu kam parasysh qe sistemi i enver hoxhes ishte i vdekur ne ate kohe se kur ishte i gjalle i rruajten bolet dhe u bene trima me Ramiz Aline qe u tregua shume i bute dhe bashkpunues me perendimin..por ja futen sa krahu nga mbrapa jo vetem atij por dhe kombit shqiptar

    perse te “festohet” ky invazion spiunesh kur sot nqs hapen dyert e ambasadave pa frike mund te vershojne mbi 200 mije vete…

    Kushdo le ta festoje 2 korrikun 1990…le te festoje largimin e trurit dhe fuqine puntore te kualifikuar te 1.2 miljon shqiptareve….per mua eshte dite zie…beni nje kafe pa sheqer ju lutem

    1. ..... says:

      X5 shko shkunde nje here nuk do beje keq se ftillohesh

  8. orakulli says:

    Ka akoma kërma që kërkojnë skllavërinë e tjetrit,ta mbajnë të mbyllur në kafaz,ndërsa për vete kërkojnë liri të pakufizuar,por populli që theu prangat e robërisë e u tur drejt lirisë,i vuri gozhdën e fundit qivurit të diktaturës dhe tashmë gëzon frytet e lirisë e dmokracisë të vërtetë.Edhe levat e diktaturës,po e gëzojnë akoma më tepër këtë liri,por me pranga në shpirt.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje