Certifikimi i guidave turistike fillon me Sarandën. Ahmetaj: Ligji i ri i turizmit i kthen në profesion të veçantë”

19 Korrik 2015, 11:40Kulturë TEMA

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes Arben Ahmetaj ka dorëzuar certifikatat për Guidat Turistike Lokale për 18 të rinj në Sarandë, të cilët kanë përfunduar me sukses kursin e trajnimit për guidat që përfshijnë qytetin dhe atraksionet turistike rreth tij.

Duke folur me ta në një takim të organizuar me këtë rast në Ksamil, Ministri Ahmetaj u shpreh se ligji i ri i turizmit që kalon javën e ardhshme në parlament, e trajton guidën turistikë si një institucion më vete dhe do të jetë hera e parë në më shumë se 20 vite që jo vetëm do të njihet si një profesion i veçantë por, edhe do të certifikohet nga Ministria përgjegjëse për turizmin.

“-Ne akoma nuk kemi shkolla për trajnimin e guidave turistike, por menjëherë pas kalimit të ligjit, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes do të iniciojë krijimin e fillimisht kurseve të trajnimit.

Turizmi tashmë po kalon në një fazë të re dhe një nga elementët që tingëllon i thjeshtë por që në praktikën e tërheqjes së turistëve është shumë i rëndësishëm, mungesa e guidave, është një nga elementët që është vënë re në të gjithë pyetësorët që ne kemi me grupet turistike apo me tur-operatorët.

 

Ju do të jeni reflektimi i Shqipërisë historike, ekologjike, detare, malore, kulturore apo antike dhe sa më të përgatitur të jeni ju dhe sa më shumë ta promovoni Shqipërinë në të gjithë dimensionet e saj, aq më shumë turistë do të kemi, aq më shumë zhvillim ekonomik do të kemi dhe në finale, së bashku do të kemi përmirësuar imazhin e vendit.”- përfundoi Ministri Ahmetaj.

Ndersa Auron Tare, Drejtor i Agjensisë Kombëtare të Bregdetit tha se guida bën diferencën e asaj eksperience që një i huaj por edhe një vendas përjeton kur viziton një qendër arkeologjike apo turistike. “Ky është hapi i parë dhe është shumë e rëndësishme që ju që jeni pajisur me certifikatë të organizoheni, pasi me daljen e ligjit të ri për turizmin, guidat e pa-licensuara nuk do të lejohen më, dhe ju do të jeni të parët që do të bëheni garant të zbatimit të ligjit. Së dyti është punësimi- me të gjithë fluksin e rritur të turistëve, vetëm në Sarandë do të mund të punësoheshin edhe mbi 50 guida të tjerë, pra ka mundësi pafund. Së fundi është elementi i çmimit. Duke qenë se tregu i guidave është i parregulluar përmes licensimit, çmimet variojnë sipas agjensive të ndryshme. Nëse krijohet një agjensi e guidave të certifikuara, atëherë çmimet do të jenë të përcaktuara dhe do të bëhen transparente për turistët” – theksoi Kreu i AKB.

Për drejtoreshën e Agjensisë Kombëtare te Turizmit Julinda Dhame, lista e guidave turistike të certifikuara në të gjithë vendin, do t’u dërgohet të gjithë operatorëve turistikë me qëllim mundësimin e kontaktit të tyre me turistët që vizitojnë vendin në mënyrë të organizuar përmes këtyre operatorëve.

Trajnimi, i cili u organizua nga Shoqata Kombëtare e Guidave Turistike në Shqipëri (NATGA) me mbështetjen e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes dhe UNDP, në periudhën 23 prill – 19 maj 2015, përfshiu zonën e Sarandës. Në të morën pjesë mbi 30 të rinj të interesuar, të cilët në përfundim të trajnimit iu nënshtruan provimit. Bazuar në kriterin e vlerësimit prej 70 pikësh nga një total prej 100 pikësh, nga testimi rezultuan fitues 18 të rinj, të cilët tashmë mund të ushtrojnë punën e tyre si guida lokale të certifikuar nga Ministria. Ata janë pajisur me certifikata dhe stemën përkatëse që i identifikon nga guidat e pa-licensuara.

Gjatë vizitës së tij në qytetin e Sarandës, Ministri Ahmetaj ndaloi edhe në Qafë-gjashtë për të inspektuar punën për vendosjen e sinjalistikës turistike, një tjetër masë e ndërmarrë në kuadër të planit për sezonin turistik 2015, realizuar nga Agjensia Kombëtare e Turizmit dhe MZHETTS në bashkëpunim me Ministrinë e Transporteve dhe Infrastrukturës. Sikurse tha Ministri Ahmetaj, “është bërë një punë shumë e mirë nga Agjensia Kombëtare e Turizmit përsa i përket sinjalistikës turistike. Brenda këtij muaji do të përfundojë sinjalistika turistike përgjatë bregdetit dhe brenda vitit do të kemi përfunduar sinjalistikën turistike në të gjithë Shqipërinë. Sigurisht që këta janë elementë që tingëllojnë të thjeshtë por për vizitorët, për mikpritjen janë shumë të rëndësishëm dhe bëjnë diferencën”.

 

 

 

 

 

 

 

10 komente në “Certifikimi i guidave turistike fillon me Sarandën. Ahmetaj: Ligji i ri i turizmit i kthen në profesion të veçantë””

  1. illyriaans says:

    “guida” = udherrefyes, udhezues.
    Opo he se te gjithe italiane jemi, s’ka problem..!!!

    1. AGAMEMNONI says:

      Kjo eshte per tu pershendetur. Te huaj e vendas te cilet do vizitojne qytetet shqiptare, pervec rivieres se bukur do kene mundesine te njihen edhe me historine e qyteteve. Ky mund te quhet pa frike si nje nga elementet ndikues ne vizitimin e vendit tone nga turiste te huaj.

      1. Mario says:

        Do i sherbej shume turizmit duke i informuar me shume turistet per shqiperine edhe per historine e vendit. Do na sherbej edhe neve sdo isjte keq te merrnim pjese ne kto guida te informoheme me shume per historine tone sepse dime shume pak!

        1. Donals says:

          E mira me è madhe në kte lajm është se tashmë po i jepen mundësi shumë të mira punësimi të rinjve,atyre që kanë më shumë nevojë për punësime të tilla part time dhe shumë të vlefshme për trajnimet e tyre të mëvonshme

      2. ranheim says:

        Si vend me potencial ne fushen e turizmit eshte mese e nevojshme qe ta zhvillojme e te promovojme vlerat e tij. Si cdo vit edhe kete sezon veror numri i turisteve nga mjaft vende qe vizitojne Shqiperine eshte i madh, statistikisht ka ardhur ne rritje nga viti ne vit. E rendesishme eshte qe turisteve tu ofrohen te gjitha kushtet. Nje nder to eshte edhe njohja e tyre me historine e qyteteve qe ato vizitojne.

      3. kristjan says:

        Kjo qeveri, konkretisht ministria e Ekonomise dhe Turizmit e ka marre seriozisht zhvillimin e turizmit ne vend. Tani pushuesit do njihen edhe me historine e vendit tone nder vite, madje qe nga antikiteti. Per te tilla “gjeste” kemi nevoje. Jemi ne rruge te mbare.

  2. Olta says:

    Numri i turistëve po rritet çdo ditë e më shumë dhe informacioni për vendet që vizitojnë është shumë I rëndësishëm ndaj mendoj se trajnimi i të rinjve është një zgjidhje shumë e mirë dhe për më tepër vlerësimi I të rinjve krijon me shume besim si tek ata vetë si tek turistët

  3. klodi says:

    Të rinjtë munden me mire se kushdo tjetër të bëjnë guiden për vendet tona turistike. Zgjedhja e pikërisht të rinjve dhe trajnimi i tyre ndihmon jo vetëm në aftësimin e tyre profesional por edhe në besimin që turistët do kenë tek këta të rinj si dhe falë profesionalizmit të tyre çdo turist do marrë të gjitha informacionet e nevojshme për çdo vend që vizitojnë

  4. linda says:

    Po na cuditen keta aronet, keta nuk jane guida. Thjesht kane bere nje trajnim nje javor nga shoqata e guidave. eshte turp per ministrin Ahmetaj shkon pas mendjes se Tares, qe ska dy gram shkolle.
    Sa per per profesionin e guides, ky eshte parashikuar ne kuadrin ligjor te turizmit te vitit 2007, nga ministri Leskaj, dhe u rregullua me akte nenligjore.

  5. Artan says:

    Ne dukje e vogel,por kjo eshte shume e rendesishme.guida eshte kontakti me i madh i turistit me Shqiperine,historine,kulturen e traditat tona. Shqiperia eshte shume e bukur dhe shpesh here nuk ka nevoje per shume fjale,por nje prezantim i mire,do t’ia shtonte hijeshine vendit te shqiponjave. E kunderta do ndodh me nje prezantim te cunguar e te gabuar. Eshte per tu pershendetur!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje