Dëshmitë e sirianëve të kapur në Shqipëri: Rrëfejmë ferrin me prerjet e kokave nga ISIS

19 Korrik 2015, 15:23Kronika TEMA

Nga Mariglen Mullai

Ata që me vuajtje shpëtuan nga zgjedha e ISIS-it dhe po dynden drejt Europës, kanë shumë për të treguar rreth mizorisë me të cilën “kalifati” udhëheq pesë deri në tetë milionë banorë. Muajt e fundit, vala e klandestinëve që gjejnë shteg përmes kufirit, për të kërkuar azil ku të munden, ka prekur edhe Shqipërinë, për shkak të “mëkatit” të pozicionit strategjik.

Me dhjetëra sirianë, apo irakianë, banorë të tokave të Shamit (shtrirja e Shtetit Islamik në Siri dhe Irak), janë intervistuar nga agjencitë e specializuara apo organizata jofitimprurëse, për të mësuar rreth funksionimit të rregullave brenda ISIS. Shembujt jetësorë janë të pafund dhe dhembja shfaqet në çdo rrëfim. “Ata s’e kanë shumë problem të të shpallin direkt jobesimtar dhe të të presin kokën”, është një ndër përshtypjet më të shpejta. Burime të mirinformuara sigurojnë për gazetën “Shqip”, pjesë të dëshmive të klandestinëve të ikur nga lufta, që janë ndaluar për pak orë brenda territorit shqiptar dhe u janë dorëzuar autoriteteve të pikës kufitare prej nga kanë hyrë.

Këto rrëfime janë mbledhur nga shtatori i vitit të kaluar, deri në maj të këtij viti, kur janë shënuar edhe flukset më të mëdha të ndalimeve në Shqipëri. Më tej, u janë bashkuar qindra dëshmive të mbledhura nga sirianë dhe irakianë që kalojnë ilegalisht nga Greqia, Maqedonia, Serbia apo Mali i Zi, apo atyre që kanë pasur dokumente me vetë dhe tashmë kanë aplikuar për azil në vende të ndryshme.

Ndjesia e përgjithshme

Ai që shpërfaqet qartë në këto rrëfime jetësore është shpjegimi rreth ndëshkimit që aplikon shteti i vetëshpallur dhe i panjohur nga bota e civilizuar. Për më tepër, historia tregohet edhe nga disa të punësuar sipas rregullave të këtij shteti. Të njëjtat burime, që kanë pasur akses në mbledhjen e këtyre dëshmive, i thanë gazetës se intervistuesit besojnë se për shkak të frikës, disa persona mund të kenë dhënë identitete të ndryshuara ose të përafërta me të vërtetën. Gjithsesi qëllimi është përmbushur, pasi koalicioni botëror antiterror tanimë ka në dorë mozaikun e jetës brenda kalifatit. “Të gjithë e urrejnë ISIS-in, duan të ikin prej atij vendi ku taksistët struken për të pirë cigare fshehtazi dhe dëgjojnë në radio stacionin e lejuar.

Muzika e ndaluar ndëshkohet me 10 goditje kamxhiku”, rrëfen Moonif Naifeh, një klandestin sirian. Mënyra sesi funksionon Shteti Islamik është mësuar nga propaganda në internet që përhapin ideologët, e cila zbukurohet me fashën e zbatimit perfekt të Sheriatit. Rrëfimet e italianes Maria Giulia, e cila pas martesës me shqiptarin Aldo Kubuzi, ndodhet në Siri, e pasqyrojnë më së miri indoktrinimin. “Këtu ka muxhahedinë nga 15 vjeç që vrasin deri në 50 të pafe, ne presim koka me urdhër të Allahut dhe mezi pres të vdes në luftë”, shprehet ajo. Në këndvështrimin e 28-vjeçares, në kalifatin e Al-Bagdadit jetohet sipas ligjeve islame, ndaj ajo dëshironte të merrte me vete pjesën tjetër të familjes, që u arrestua në Itali, para nisjes.

Rregullat e ISIS

Disa prej këtyre klandestinëve u janë gjetur kopjet e kartave të pendimit, inventarët e armëve, fletëpalosje me hollësi për sa u përket rregullave të veshjes së grave dhe leja për të udhëtuar jashtë Shtetit Islamik, me sipërfaqe sa Zvicra. Në të gjitha këto leje vihet re logoja e ISIS: “Kalifati në rrugën e Profetit” dhe flamuri i zi. Metodika e përgjakshme e pushtimit të një krahine nis me valën e parë kur vriten policët. Më tej riparojnë linjat e energjisë elektrike dhe depot e ujit. Ish-punonjësit e qeverisë nënshkruajnë kartën e pendimit dhe dorëzojnë armët ose paguajnë gjoba që ndonjëherë arrijnë në disa mijë dollarë. Në njoftimet me altoparlant, predikimet në xhami apo në fletëpalosje shfaqen rregullat e reja.

Ndalohet pirja e duhanit apo alkoolit, gratë nuk punojnë, përveçse si infermiere apo në dyqanet e grave, por duhet të jenë të mbuluara dhe me dritare mbyllur. Burrat duhet të ndërtojnë një mur rreth shtëpisë së tyre, në mënyrë që askush të mos ua shohë gratë. Në çdo rreth ka një “emir”, që shpesh është një militant lokal, i caktuar për të qeverisur. Shkollat e mbyllura rihapen me kurrikulat e ISIS-it. Bizneset i paguajnë tatime ISIS-it, ndërsa në farmaci ndalohet shitja e kontraceptivëve. Në shumicën e vendeve, fisi apo familja i deklaron besnikëri kalifatit, për të fituar pozicione të rëndësishme. Militantët njoftuan në xhami se ishte e ndaluar të vizitohen varret e të afërmve. Arratisja nga kalifati nuk është e lehtë. Banorët janë ndaluar të lënë qytetet e tyre, pa aplikuar më parë për leje, duke plotësuar një formular të gjatë me të gjitha të dhënat e tyre personale dhe vendosjen e pronës si një garanci në rast se nuk kthehen. Çelësi i mbijetesës, sipas rrëfimeve të klandestinëve, mbetej ai i të ndenjurit urtë, shmangies së pikave të kontrollit nga komitetet “Hisba” që patrullojnë rrugët. Kudo ka patrulla me makina me xhama të zinj, me meshkuj me mjekra, që mbajnë pantallona të gjera dhe maska në fytyrë.

Ata të dënojnë për pirje duhani, për veshjen e rrobave perëndimore, muzikën e gabuar, teksa dënimet shpesh janë në varësi të humorit të Hisba-s. Për vepra më të rënda ose të përsëritura, luftëtarët mund të lidhin dhunuesin e ligjit islam pas një shtylle në një shesh të qytetit, për disa ditë, me shënimin rreth krimit të tij, të lidhur rreth qafës. Gratë duhet të aplikojnë te Hisba për të udhëtuar dhe shpesh u refuzohet leja, për shkak të shqetësimit se nuk do të ndjekin kodet e veshjes.

Si shpëtoi një tjetër që nuk e njihte xhaminë

“Gruaja ime juriste refuzoi kartën e pendimit, e rrëmbyen”

Anas Nassar kujton momentin kur ekstremistët morën krahinën ku ai jetonte. Një militant e kishte pyetur se ku ishte xhamia. Nassar pati vështirësi kujtese dhe ushtari i ISIS i kërkoi “kartën e pendimit”, pasi e kishte besimin e dobët. “Dërgova djalin në shtëpi dhe ma solli dokumentin, shpëtova paq, për pak do të më quante të pafe dhe do të më vriste”, thotë klandestini, që në të kaluarën kishte qenë polic. Ai shton se ata që e kanë punën pisk janë ish-mësuesit e anglishtes apo ata që qepnin rroba jashtë stilit të kalifatit.

Adnan Totah thotë se qershorin e vitit të kaluar, zona e tij në lumin Tigër të Irakut, me rreth tre mijë familje, u pushtua nga kalifati. E shoqja e tij kishte qenë juriste për të drejtat e njeriut. Kur luftëtarët i kërkuan që të aplikonte kartën e pendimit, ajo i tha të shoqit se “kurrë nuk e pranoj këtë veprim të ulët”. Terroristët e rrëmbyen dhe ai kërkon tashmë lidhjet për ta rigjetur. Në një shkretëtirë në jug të Mosulit, ekstremistët krenohen me organet jetësore të hedhura në tokë ose kur nganjëherë viktimat janë ende të gjallë.

Firas Salib :Të burgosurit panë djegien e pilotit jordanez

Rrëfimet për torturat në burgun e ndërtuar në vendin ku ishte stadiumi

Firas Salib e gjeti vendin e tij, Raqqa, të transformuar, nga një qytet dikur i gjallë dhe kozmopolit, në kryeqytetin e shtetit islam. Gratë e mbuluara nga koka deri te këmbët me të zeza, shkojnë pak në treg para se të nxitojnë drejt shtëpive, të rinjtë shmangin kafenetë që dikur frekuentoheshin. Luftëtarët e ISIS e kthyen stadiumin e futbollit në burg, ndërsa një nga sheshet qendrore të qytetit tani njihet nga banorët si “sheshi i ferrit”. Salib kujton se “në një ditë festive dëgjova të shtëna armësh dhe më vonë pashë tre kufoma që ishin lënë për tri ditë atje”. Grupi inkurajon tregti në të gjithë kalifatin, ku furnizimet me çimento dhe perime lëvizin nga Turqia, përmes Raqqa në Mosul. Sabil shton se “më arrestuan për botime të materialeve laike dhe për dy javë më mbajtën në burg, ku në tri ditët e para më rrahën me një tub”. Pas dënimit ai u transferua si shpërndarës ushqimi në të njëjtin burg, ku pati mundësinë të mësonte shumë informacione. Një gjyqtar islamik, që mbante pseudonimin Abu Ali-al Sharei, shfaqi videon e djegies së gjallë në kafaz të pilotit jordanez, Muath al-Kasseasbeh, për t’iu dhënë një mësim të burgosurve. Ai kishte parë disa luftëtarë të huaj të Shtetit Islamik, që u sollën në burg, të dyshuar për spiunazh dhe të tjerë për vjedhje në Kobani. Militantët u patën thënë se “ne dhamë 2200 martirë për Kobanin dhe ju vidhni?” Arsyen e shumëdiskutuar se përse viktimat në videot e ekzekutimit shfaqen të qetë, ai e shpjegon me fjalët: “Ata e përsërisin 20 herë skenën e ekzekutimit”.

Dëshmia tjetër: Më kapën, sepse shkova në varreza

“Më vranë vëllain ish-polic, edhe t’ua pi gjakun nuk më ikën dhembja”

Një tjetër banor i Mosulit thotë se gjithçka kishte marrë nga ISIS ishte certifikata e vdekjes së vëllait të tij. Ai dhe vëllai i tij, Ahmed, kishin qenë policë dhe të dy nënshkruan dokumentet e pendimit. Por vëllai i tij u arrestua, pasi informatorët pohuan se ishte pjesë e një njësie elite të inteligjencës. Ahmedi u dërgua në Mosul dhe militantët sollën disqe që tregonin pamjet e prerjes së kokës së tij. “Tani dua të hedh veten në erë, por as kjo nuk më kënaq. Edhe nëse ua pres kokat, ua pi gjakun dhe t’u ha zemrën prapë nuk më hiqet dhembja”, thotë ai. Maan Masih tregon se si një anëtar i Hisba qortoi një grua për veshjen. Vëllai i saj e mbrojti dhe konflikti degjeneroi deri në vrasjen e militantit. Menjëherë në shtëpi mbërritën luftëtarët, të cilët vranë tetë anëtarë të familjes. Vetë Masih ishte arrestuar vetëm e vetëm sepse kishte vizituar varrin e xhaxhait të tij. “Militantët njoftuan në xhami se ishte e ndaluar të vizitoje varret e të afërmve. Unë dhe kushëriri e sfiduam këtë rregull dhe sapo u afruam te varrezat luftëtarët hapën zjarr mbi kokat tona, duke bërtitur ‘adhuruesit e varreve’. Kushëriri im u tha se nuk e ndalonin dot të shkonte te varri i të atit, por ata e qëlluan në fytyrë dhe na arrestuan për disa ditë”, rrëfen ai.

Flukset e kalimit të kufirit

Raste të kapjes së klandestinëve sirianë brenda territorit shqiptar

Më 30 prill të këtij viti, u kapën 45 klandestinë sirianë që tentonin të kalonin ilegalisht në Pikën Kufitare të Hanit të Hotit, në Shkodër. Më 17 prill të këtij viti, Policia e Pikës së Kalimit Kufitar të Kakavijës ka ndaluar 22 klandestinë sirianë. Më 28 tetor të vitit të kaluar janë kapur 70 sirianë nga Policia e Gjirokastrës, të cilët po hynin ilegalisht në Shqipëri nga Greqia. Sirianët u kapën në fshatin Glinë, pasi kishin kaluar nga Greqia dhe po ashtu transit do të kalonin edhe nga Shqipëria për të shkuar në një prej vendeve të BE-së. Më 14 tetor të vitit të kaluar, në fshatin Glinë, u kapën 33 klandestinë sirianë që kishin kaluar kufirin në mënyrë të jashtëligjshme. (Gazeta shqip)

 

5 komente në “Dëshmitë e sirianëve të kapur në Shqipëri: Rrëfejmë ferrin me prerjet e kokave nga ISIS”

  1. miri says:

    Kujdes. Gjysmat e ketyre te rinjve jane anetare te ISIS ose Jihad.
    Qellimi i tyre, ne nje kohe te caktuar, njekohesisht ne shume qendra te Europes, do te kete shperthime.
    Ju keni probleme me vendoret qe perkrahin ISIS dhe sa naiv qe tregoheni.
    Lexoni traktin e tyre: Do te sulmojme Evropen mu ne zemer te saj.

  2. Jobi says:

    Kur mendoni se ISIS nuk ndjek me perpikmeri Kuranin dhe Profetin e tij i fshiheni te vertetes si struci kjo eshte e verteta kuranore e pa frenuar nga ligjet e shtetit

  3. coli says:

    jepuni azil ne shqiperi pse i lini te ikin nuk ka nevoje per intervista ,ka fshatra te boshatisura ose te braktisura nga veriu e jugu ,toka eshte me e bukur se siria por politikat jane si ne siri

  4. fusha says:

    Kjo eshte rruga qe ndoqi muhameti, gjoja profeti juaj, duhet te jesh I droguar te besosh se muhameti ishte profet I zotit.

  5. Krist Maloki says:

    Kujdes, jane te gjithe terroriste te ISIS
    Asnje prej tyre te mos lejohet te qendroje ne Shqiperi.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje