Njё skaner pёr tregun radiofonik nё Shqipёri

22 Korrik 2015, 17:49Kulturë TEMA

Instituti Shqiptar i Medias në Tiranë ka publikuar së fundmi “Radio, simbioza me internetin” me autor dr. Arben Muka, një studim mbi dinamikën e transmetimeve audio në Shqipëri, si dhe trendet në kohën digjitale.

Monografia është një përpjekje për të depërtuar sa më thellë në funksionalitetin e transmetimeve radiofonike në Shqipëri, në evidentimin dhe analizimin e aspekteve më të rëndësishme të kësaj pjese të tregut mediatik, elementëve përbërës që ndikojnë drejtëpërdrejtë dhe jo drejtëpërdrejtë si, teknika e teknologjia e aplikuar, potencialet e transmetimit dhe nivelet e përhapjes së sinjalit, burimet njerëzore të angazhuara, tipologjia e përmbajtjeve për konsum nga ndjekësit në efir ose online, qëmtimi i kuadrit legjilaslativ, roli dhe ndikimi i autoritetit rregullator, aktiviteti ekonomik dhe financiar, menaxhimi i hapësirës virtuale nga operatorët, pozicioni i sektorit publik të transmetimeve, sfidat e kalimit të transmetimeve nga analogu në digjital etj.

Aktualisht në Shqipëri emetojnë 77 stacione radiofonike, ose 1 radio për rreth 37 mijë banorë, kuotë densiteti mesatar që është më e ulët se ajo e shteteve të hapësirës së ish-Jugosllavisë, si Mali i Zi, Serbia, Kosova, Kroacia, Bosnje-Hercegovina dhe Maqedonia, por është më mirë se treguesi aktual në Rumani. Në monografinë e autorit Arben Muka dalin në pah dhe dy kapërcimet më thelbësore në tregun radiofonik shqiptar, së pari, ai në fund të vitit 1994, dy dekada më parë, kur dëgjuesit, krahas stacioneve tradicionale shtetërore si Radio Tirana, apo filjalet e saj në Korçë, Gjirokastër, Shkodër dhe Kukës, nisën të ndjekin dhe transmetime nga frekuenca të reja private dhe së dyti, fundi i vitit 2006 dhe fillimi i 2007-s, kur operatorët radiofonikë shqiptarë filluan të kthejnë vëmendjen nga oferta online. Të dy këto momente decizive kanë dhënë impakt të padiskutueshëm në tregun e transmetimeve radiofonike në Shqipëri.

Sipas autorit të “Radio, simbioza me internetin”, nga njera anë, radiot private komerciale ose jo komerciale ishin në rolin e gjeneratorit të përmirësimeve teknike dhe teknologjike në studio dhe jashtë saj, duke nxitur konkurrencën brenda tyre, por dhe mes sektorit publik dhe privat. Nga ana tjetër nën ndikimin e digjitalizimit dhe internetit ka ndryshuar jo vetëm performanca e redaksive, por dhe sjellja e publikut në një stad të lartë interaktiviteti gjatë realizimit dhe ndjekjes së programeve.

Sa vjen dhe bëhet më e qartë se produkti radiofonik nuk është më atribut vetëm i ekipeve gazetareske, por përmes rrjeteve sociale dhe aplikimeve të mediave të reja, cilido mund të ndërtojë dhe shpërndajë programe, madje të ketë audiostacionin e tij në blogosferë, bazuar në podcasting.

Botues i monografisë me 320 faqe është Instituti Shqiptar i Medias në Tiranë, kurse redaktor shkencor është prof. dr Hamit Boriçi.

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje