Vera e 25 viteve më parë ka qenë e ngarkuar me disa ngjarje të nxehta politike që në vetvete shënuan fillimin e kthesës që do të ndodhte pak muaj më vonë.
Më 2 korrik ndodhi eksodi i ambasadave, më 26 korrik mblidhej me ngut një Plenum i PPSH-së me pjesëmarrjen edhe të ministrave dhe drejtuesve të institucioneve qendrore, ku temë kryesore u bë mbrojtja e pushtetit “me çdo kusht e mjet”!
Më 12 gusht, Ramiz Alia zhvillon një mbledhje me intelektualët më të shquar të vendit në Pallatin e Kongreseve për të diskutuar çështjen e pluralizmit…
Çfarë ka ndodhur pas kuintave në ato ditë të trazuara dhe si qëndron e vërteta për shumë nga ato zhvillime.
Kush e shpiku termin “jashtëqitje e kombit” per shqiptarët që hynë në ambasada dhe roli i Perez de Kuelarit në zhvillimet shqiptare. DITA sjell këtu rrëfimin e Prof. Servet Pëllumbit, i cili në librin e botuar tani së fundmi nën titullin “Përmbysja e komunizmit” e sjell të gjallë atë atmosferë, me fakte dhe dokumente për protagonistët e atyre zhvillimeve…
Nga Servet Pëllumbi
Kush e kurdisi ngjarjen e ambasadave
Më 2 korrik 1990, në Tiranë ndodhi ngjarja e pazakontë e hyrjes së rreth 5 mijë qytetarëve nga e gjithë Shqipëria në ambasadat e huaja, kryesisht në ato perëndimore. Thuhej se ishte një formë presioni nga jashtë për të shpejtuar procesin, që edhe në Shqipëri të mund të realizohej skenari që u zbatua në vende të tjera, sidomos për “rënien”e RD Gjermane. Ish-sekretari i Departamentit të Shtetit Xh. Bejker, pohon se në ish-shtetet komuniste po luhej një dramë e madhe njerëzore dhe e ardhmja e tyre mbetej e pa sigurt. Kurse për rastin e Shqipërisë, nënvizon se u gabua në këshillat që ju dhanë reformatorëve për çrrënjosjen e komunizmit shqiptar “me rrënjë të thella”, sepse gjatë vizitës, pa një realitet tjetër dhe kërkoi shpejtimin e procesit nëpërmjet metaforës: kur do të futesh në ujin e akullt më mirë të futesh njëherësh se sa gradualisht! (James Baker, The Politics of Diplomacy: Revolution, War and Peace, 1989-1992, Putnam. New York, 1995, p.169).
Nuk e përjashtoj as implikimin e shërbimeve të fshehta të huaja, apo angazhimin suplementar të disa prej ambasadorëve të akredituara në Tiranë, që e bëri të domosdoshme ndërhyrjen e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për zgjidhjen paqësore të problemit përmes negociatave me shtetet përkatëse, për t’i pajisur të ngujuarit në ambasadat e huaja në Tiranë me pasaporta dhe për t’i pranuar në vendet respektive si emigrantë. Ndërkaq u evitua kërkesa për të ngritur kampingje me çadra në sheshet e Tiranës dhe për t’i përdorur ata për përmbysjen e sistemit. Një zgjidhje e tillë e situatës, më kritikja që mund të çonte në gjakderdhje, u bë një obligim më tepër për pushtetin që të shpejtonte zgjidhjen sipas modelit të “revolucioneve të kadifenjtë” që u kryen në Europë.
Autori i termit “jashtëqitje e kombit”
Gjithsesi jam i prirur të shoh e të vlerësoj më tepër aspektin social e politik të kësaj çështjeje. Më 2 korrik 1990, mijëra vetë, pa qenë armiq të vendit të tyre, hynë në disa ambasada perëndimore në kërkim të një jete më të mirë. Tepër diskredituese për një vend që pretendonte të ishte fanar i socializmit të vërtetë! Partia në pushtet, pasi e kapërceu situatën kritike të ditëve të para, bëri një kthesë të fortë prapa duke fajësuar struktura të pushtetit për liberalizëm të tepruar, organizatat e partisë në mbledhje të posaçme analizuan situatën e krijuar dhe përjashtuan nga radhët e tyre prindër dhe të afërm të të ngujuarve në ambasadat e huaja (AQSH, Fondi 14/AP.ou.dosja .3) Ndërkaq, më 13 korrik 1990, në mitingun më të madh të organizuar ndonjëherë në sheshin “Skënderbej”, “të ikurit” u quajtën me shprehjen qarkulluese të R. Alisë, “jashtëqitje e kombit”.
Paradoksale është që R. Alia, pas mitingut, këtë shprehje donte ta vinte në gojën e Kadaresë, që ishte në tribunën e mitingut dhe mori fjalën, por që nuk ka pranuar asnjëherë të ketë përdorur një shprehje të tillë. Madje në veprën e tij, “Nga njëri dhjetor në tjetrin”, ka shkruar: “Kur historia do ta zbulojë enigmën e 2 korrikut 1990, ky do të jetë edhe një nga çelësat për të zbërthyer disa nga ngjarjet e pashpjegueshme të historisë tragjike të shqiptarëve në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të”. Dhe shton: “Nganjëherë mendoj: dhëntë zoti të mos jem gjallë gjer atëhere për të mos e marrë vesh kurrë..”
U duk qartë, se qëllimi kryesor i mitingut nuk ishin të ikurit, por “frenimi i njerëzve antisocializëm e antipushtet” dhe demonstrimi i forcës, bërja e qartë brenda e jashtë vendit se Shqipëria edhe e vetme do të qëndronte “si kala e socializmit në Europë”! Organizatori i mitingut, Xh. Gjoni, duke iu drejtuar “armiqve” deklaroi prerë: “Armiqve tanë u themi njëzëri: Shqipërinë dhe pushtetin popullor nuk e tundin jo më disa njerëz të çoroditur që braktisën kusarisht atdheun, por kushdo qoftë. Ata s’janë Shqipëria, ata s’janë populli” (Zëri i Popullit, 14 korrik 1990).
Madje filloi të qarkullonte edhe mendimi për vizitën e Peres De Kuelarit, se R. Alia ia hodhi edhe Penez de Kuelarit e jo më të tjerëve! Megjithatë, objektivisht po ndodhte ndarja nga “komunizmi” dhe afrimi me Perëndimin. Pas 2 korrikut 1990, tregues domethënës u bënë dështimet e disa takimeve të anëtarëve të BP në qendrat e mëdha të Tiranës, ku “klasa punëtore” s’ishte më e bindura e dikurshme dhe filloi të kërkonte “hesap” për dështimet, sidomos në fushën ekonomike, për të ashtuquajturat “tufëza” dhe “arëza” që e kishin bërë tepër kritike furnizimin e tregut me produktet e nevojës së parë. Gjithsesi, futja në ambasada e mijëra njerëzve, u bë tema e ditës, sepse e tensionoi edhe më tepër situatën në kryeqytet.
Edhe diçka tjetër. Me që shtëpinë në atë kohë e kisha në afërsi të rrugës së ambasadave, jam dëshmitar okular dhe kam parë nga afër grupe njerëzish, kryesisht të rinj që vraponin për te ambasadat që u dilnin përpara, që kacavireshin në mure e kangjella, që shtriheshin e flinin direkt në oborrin e ambasadave, të afërm sidomos nëna që vinin i thërrisnin, donin t’i takonin, t’i pyesnin si ishin, pse jo disa t’u luteshin me lotë në sy që të dilnin, se mund ta pësonin të gjithë të afërmit që ishin kërcënuar me pushim nga puna, me internim. Kishte nga ata që i qetësonin të afërmit e tyre duke u thënë se lajmin për hapjen tre ditë të ambasadave e përhapi vetë qeveria, se disa ambasadorë u kishin thënë të mos kishin frikë, se policia e hapi vetë këtë rrugë duke hequr mbrojtjen e ambasadave etj.
Ramiz Alia: Ta bëjmë si Fidel Kastro!
Pas kësaj u interesova dhe mësova gjera befasuese: R. Alia u kishte thënë të vetëve se duhet të veprojmë si Fidel Kastro që u hapi kufirin kundërshtarëve dhe atyre që donin të emigronin në SHBA dhe ata që ikën nga Kuba na qenkeshin “jashtëqitje e kombit”. Këtë term të preferuar të tij, e përsëris, desh t’ia atribuonte aftësisë krijuese të I. Kadaresë, të cilit, sipas Xh. Gjonit, i paska kërkuar që të shkruante dhe një poezi me këtë subjekt e titull. Këtë version R. Alia në librin “Unë Ramiz Alia dëshmoj për historinë”, e hedh poshtë me argumentin se ngjarja e ambasadave ishte diskredituese për qeverinë dhe shtetin tonë, prandaj do të ishte një boomerang i vërtetë politik po ta organizonte vetë (f. 153). Një deklaratë e tillë nuk më bind, në kushtet kur diskutohej koka e vetë R. Alisë, trashëgimtarit të Enver Hoxhës, i tmerruar nga pushkatimi i Çausheskut gjashtë muaj më parë!
Mund të supozohet se hapja e ambasadave për tre ditë ishte plotësim i një kërkese të bërë edhe nga jashtë (nëpërmjet vizitave të Peres Da Kuelarit dhe Xh. Bejkerit që vizituan vendin tonë në atë periudhë. Ndërkaq, studiuesit e politikës e kanë lidhur këtë “shfryrje nga të pakënaqurit” edhe si një lidhje direkte (apo indirekte) me 2 korrikun 1990 të Kosovës. Vetë R. Alia e bën një koment të tillë në intervistën dhënë Gjek Marinajt, shoqëuar me kërkesën që intervista të botohej pas vdekjes. “Në historinë e Shqipërisë, deklaron R. Alia, ka pasur mjaft “koincidenca” të tilla.
Në fakt, sa herë që në Kosovë kishte lëvizje të shqiptarëve dhe sa herë serbët janë gjendur përpara problemesh serioze atje, aq herë janë bërë presione të ndryshme ndaj Shqipërisë. Qëllimi i këtyre presioneve, nga njëra anë ka qenë të neutralizohej Shqipëria, pra, që ajo e zënë me “telashet” e veta të mos e mbështeste luftën e vëllezërve kosovarë dhe nga ana tjetër, kosovarët të shkurajoheshin në përpjekjet për të drejtat kombëtare e qytetare”. Deduksion i qartë e i saktë, megjithatë mbeten pa përgjigje dy pyetje: 1. Në se ambasadat u hapën me urdhër të R. Alisë, për analogji me atë që kishte bërë F. Kastro në Kubë, a e implikon kjo atë e “për neutralizimin e Shqipërisë e zënë me telashet e veta” më 2 korrik 1990? 2. A është kjo një nga arsyet kryesore pse R.Alia i kërkoi Gjekë Marinajt, “që mban fjalën”, për ta botuar një pohim të tillë pas vdekjes?
Byroja Politike mblidhet me ngut
Të vijmë te qëndrimet “luftarake, pa kompromis” të shprehura në institucione! Më 14 korrik 1990, Byroja Politike mori në shqyrtim situatën e krijuar nga futja në ambasada të rreth 4700 vetave, prej të cilëve 20 për qind gra. Një hap i tillë i paprecedent, i zuri në befasi organizmat shtetërore dhe partiake, sepse shumica e atyre që u ngujuan në ambasada ishin të punësuar e të arsimuar, por që R. Alia nuk nguroi t’i etiketonte si “tipa pa karakter”! Dhe në BP pasuan kritikat: “Organizatat e Partisë të Tiranës nuk e treguan veten në nivelin e duhur, nuk treguan militantizëm, nuk ishin në rolin udhëheqës, ndërsa komunistët e Tiranës u tulatën. Duhej të organizonim mitingun që të ngrihej morali i tyre, se në përgjithësi morali i njerëzve, por dhe i komunistëve kishte rënë shumë….”
Natyrisht, pas ngjarjeve të 2 korrikut u bënë disa përpjekje, u ngritën disa njësi a detashmente, siç u quajtën, për të forcuar vigjilencën. Po ashtu dhe një shtab qendror. Mirëpo kritika kryesore iu adresua 25 mijë komunistëve që militonin në kryeqytet, “forca e të cilëve nuk u ndje fare, prandaj dominuan parullat e armikut, të reaksionit, të kolonës së pestë, që janë nga më ekstravagantet”. (AQSH,Fondi14/AP.ou..dosja.3). Gjithsesi, në atë kohë mbeti pa përgjigje një pyetje tepër domethënëse që bënin njerëzit: “Përse ndodhi eksodi në ambasada më 2 korrik 1990, në të njëjtën ditë që u bë nga deputetët e Kosovës edhe shpallja e pavarësisë së Kosovës? E vështirë përgjigja!
Dhe konkluzioni i liderit të partisë ishte as më shumë as më pak në logjikën: “Faji sa më larg nesh”! Më saktë: “Sot zhvillohet një luftë e rreptë për jetë a vdekje midis pushtetit popullor e socializmit nga njëra anë dhe reaksionit botëror nga ana tjetër, i cili kërkon shkatërrimin e pushtetit popullor, zhdukjen e socializmit, eliminimin e komunistëve. Kjo duhet kuptuar mirë nga të gjithë ne” (Nga Procesverbali BP,14 korrik,1990). Përsëritja edhe në këtë mbledhje Byroje i frazave të tilla, të krijon përshtypjen se bëhet kryesisht për të trembur të pranishmit, pra anëtarët e Byrosë politike, shumica e të cilëve s’dinë ç’po ndodh në botë me socializmin. Në po këtë linjë, R. Alia deklaroi prerë se nuk do të pranojmë presionin ndërkombëtar për daljen nga politika e izolimit për t’u hapur ndaj Perëndimit. Dhe përsëri, R. Alia dhe grupi më i afërt i mbështetësve të tij në Byronë Politike nuk vepruan në kohë për realizimin e reformave demokratike që do të çonin në ndryshimin e sistemit.
Qemal Lame, ish kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme të Republikës, shkruan impresionet e veta nga përvoja e punës, e takimeve të shpeshta me R. Alinë, nga pjesëmarrja në mbledhje të rëndësishme të kësaj kohe, lidhur me natyrën disi të dyfishtë të R. Alisë. “Përse, pyet ai, R. Alia, nuk flet hapur për ndryshime? Zyrtarisht mbron politikën e njohur të Partisë dhe vazhdon veprën e Enver Hoxhës. Nga ana tjetër, në prapaskenë bën marrëveshje të fshehta dhe kërkon të ruajë me çdo kusht pushtetin e tij. Po kështu, flet për të reformuar dhe forcuar Partinë dhe shtetin socialist dhe me reformat që kërkohet të bëhen futen parimet e kapitalizmit. Flitej hapur, se populli nuk mbështet më sistemin socialist dhe duhet ndryshuar sistemi. Ndërkohë nuk dilet hapur…” (Qemal Lame. Kur shembeshin themelet. Onufri. 2014, f. 76-77). Dhe ish shefi i Hetuesisë së Përgjithshme shton mendimin e vet: “Po të dalë hapur Ramizi, do të jetë më mirë, pasi do të marrë mbështetjen e shumicës dërmuese. Populli nuk e ka humbur besimin, se nuk ka dijeni për qëndrimin e tij të dyfishtë” (Po aty, f. 77).
Kjo ishte një nga çështjet më të debatueshme në atë kohë, që karakterizohej nga thellimi i një hendeku që ndante popullin nga “udhëheqja”. U dërguan anëtarë të Byrosë Politike dhe ministra në ndërmarrjet kryesore të kryeqytetit për të dëgjuar e diskutuar me punëtorët. Në disa prej tyre nuk i lanë as të flisnin, por vetëm i “ngarkuan” me nga një “thes” pyetjesh pa përgjigje. Prandaj, duke e vlerësuar kujdesin e R. Alisë për gradualitetin e ndryshimeve dhe për të evituar gjakderdhjen pas ngjarjeve të Shkodrës dhe Plenumit të Janarit të KQ të PPSH-së, precipitimi i ngjarjeve bëri që tani ky kujdes të shihej ndryshe, i shndërruar në të kundërtën e vet. Dhe atë për të cilën i bënte të gjitha llojet e “marifeteve”, sigurimin e kokës së vet që mos i ndodhte si Çausheskut, po e rrezikonte edhe më shumë.
Plenumi i KQ: Nuk do lejojmë pluralizmin!
Më 26 korrik, në plenumin e 12 të zgjeruar të KQ të PPSH-së, me pjesëmarrjen edhe të ministrave dhe drejtuesve të institucioneve qendrore, temë kryesore u bë mbrojtja e pushtetit “me çdo kusht e mjet”! Duke marrë në mbrojtje ndryshimet e bëra të sintetizuara në reformën ekonomike, në ligjet e ndryshme, në forcimin dhe përmirësimin e marrëdhënieve shoqërore, në fushën e politikës së jashtme etj., askush të mos mendojë, tha R. Alia, se këto janë veprime taktike për t’ia hedhur ndokujt, por duhet të kuptojmë që janë masa, korrigjime, plotësime, rregullime e krijime për të forcuar pozitat e socializmit, të pushtetit të popullit. “Pa këto masa nuk mund të zhvillohet ekonomia, nuk mund të forcohet liria dhe pavarësia, nuk mund të shkojë përpara socializmi”.
Kjo, vijoi ai, është pozita dhe vija jonë. Kundër kësaj vije e kundër këtyre pozitave lufton armiku, veçanërisht armiku i jashtëm. Armiku lufton me parulla të njëjta me tonat. “Për demokraci”, “Për liri të individit”, “Për pluralizëm politik” etj. Por, nëse synimi ynë është të forcojmë pushtetin e popullit, qëllimi i armiqve është një: “me zhduk Pushtetin Popullor, Partinë, komunistët. Borgjezia kërkon të vendosi sa më shpejt kapitalizmin këtu”. “Dhe lajkat që na bëjnë për qëllimet e tyre i kanë. Këtë të mos e harrojmë. Pse e them këtë? Sepse ka shumë njerëz te ne që kanë rënë e po bien viktimë e propagandës së armiqve… “ Pra, e njëjta gjuhë, fajin e ka armiku, armikun nuk do ta lemë të bëjë si të dojë, ne jemi të fortë, ka njerëz që s’kuptojnë, prandaj R. Alia, “udhëheqësi” e gjen dhe fajin te ata që pyesin: “Pse nuk marrim kredi”? “Pse nuk lejohet kapitali privat në Shqipëri?” Po cili vend i ka hapur kasafortat dhe vetëm të zgjatësh dorën të marrësh para? Pse nuk eksportojmë fuqi punëtore?” Dhe përgjigja që jepet në Plenumin e KQ është: “Këta njerëz e të tjerë, nuk e kuptojnë që qëllimi i reaksionit është më larg – krijimi i shoqërive private në Shqipëri… (AQSH.,Fondi 14/AP,ou.dosja.4).
Mirëpo t’i hapet rruga kapitalit privat, do të thotë të zhduket pavarësia dhe socializmi në Shqipëri!… Këta njerëz që bëjnë pyetje të tilla nuk e kuptojnë, se “Lufta e Ftohtë” nuk ka marrë fund. Veçse një logjikë e tillë foshnjarake që demonstrohej në një plenum të KQ në mesin e korrikut të 1990-s, nuk mundej kurrsesi ta bënte “socializmin më të mire”, me një logjikë të tillë ai nuk mund të mbronte dot as vetveten që e kishte me sa duket preokupimin kryesor. Në mos kishte marrë ndonjë detyrë: irritojeni popullin që të ngrihet e të shkatërrojnë gjithçka! Bëhet fjalë për një supozim sepse nuk i gjej dot shpjegim tjetër fjalëve të shtetarit e partiakut Nr.1 të vendit, i cili edhe pse pranon “që të ardhurat i kemi 1000 dollarë për frymë në vit (kur ka vende që i kanë 18 mijë-20 mijë për frymë), përsëri deklaron se “rruga jonë e vetme është socializmi. Kjo është esenca e planeve tona ”! Për ta mbyllur oratorinë e vet me pyetjen “triumfuese e disi provokuese: A ka ndonjë rrugë tjetër pa lirinë, pavarësinë e socializmin? Unë nuk di të ketë!”
Po kështu, në këtë plenum u mbyll çdo diskutim për pluralizmin politik. Pluralizëm politik nuk kemi dhe nuk do të lejojmë, deklaroi prerë Sekretari i parë i KQ të PPSH-së dhe Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Kjo u shoqërua me sqarimin: “Krijimi i një partie tjetër do të thotë të dorëzosh pushtetin”! (AQSH.,Fondi 14/AP,ou.dosja.4). Ky ishte R. Alia i vërtetë që në propagandën e jashtme mbahej për reformator, madje për “Gorbaçov i Shqipërisë”!
Pikërisht ky “Gorbaçov shqiptar” që përpiqej t’i shpëtonte përgjegjësisë për të kaluarën dhe gjendjen e rëndë ekonomike, Plenumin e 26 korrikut 1990, kur nga disa pjesëmarrës priteshin vendime historike, e mbylli duke thënë: “Rrugën tonë e kemi, të jemi konsekuentë. Lëshime armiqve nuk do t’u bëjmë. Faktori themelor tek ne është Partia. Të kemi një Parti monolite”!! Pra, as një hap përpara në krahasim me plenumin e janarit të po këtij viti, përkundrazi, u bënë hapa prapa. Ndryshimi është se Kryeministri A. Çarçani deklaroi, se ka gjetur në buxhet 30 milionë dollarë për të blerë produkte ushqimore dhe 5 milionë për të blerë veshmbathje për tregun bosh…!
Si përfundim, për këtë fazë do të ritheksoja: edhe pse gjatë shtatë muajve të vitit 1990 pati rritje të pakënaqësisë popullore, revolta, protesta popullore me kërkesa për ndryshime që kulmuan me eksodin masiv të ambasadave edhe pse ekonomia vazhdoi zhytjen në një krizë pa rrugëdalje që s’plotësonte as nevojat për produkte ushqimore të “tallonuara”, udhëheqja e lartë “komuniste” që jetonte jashtë kohe vazhdonte të ripërtypte citate e slogane enveriste! Kjo dhe për faktin, se zhgënjimi dhe pakënaqësia masive edhe pse kishte filluar të shprehej në rrugë e sheshe, madje dhe në forma të ashpra dhe agresive, vazhdonte të ishte pa asnjë platformë ideore dhe pa asnjë lloj organizimi. /Dita/
PARTI ENVER
JENA GATI E MBAJME GJITHMON HURIN LART NGREHR
S’JENA SHPELLAR PEDER !
RRNOFTE PARTIA
alia ish e u tregua i zgjuar nga njera ane ai i organizoi te gjitha 2 korikun studentat pd etj nga ana tjeter thriste qe ne nuk dorezohemi deri sa e vuri me shpatulla per muri nexhmien e cila kish shume me shume pushtet se alia i cili i ruhej asaj pushteti dhe mundesia e reagimit te saj justifikon veprimet brilante te tij nuk hyn as serbia as kosova keto i dhane dore atij ti justifikonte si veprime te udb
Të kishim bomb atomike,e kishim ndar botën në dysh (në ata vite)
Hajde kujtime, hajde! Po pse, o Servet nuk prite edhe nja 20 vjet e te ishe me i besueshem per vertetesine e shpifur te atyre qe thua?! Kadareja jo vetem qe nuk ka qene ne tribunen e mitingut te Xhelil Gjonit, por nuk ka qene as ne mes te turmes ne shesh.
Thinjat e tua jane pa dinjitet, o komunist i pa reflektueshem.
Sa me shume shtohet distanca kohore nga ngjarjet e asaj kohe aq me shume shtohen genjeshtrat dhe na dalin trima te rinj dhe me moshe te thyer si puna e ketij profesorit te marksizmit.
Do te ishte me interesante te na tregonte se perse besonte ne komunizem dhe kur i erdhi dyshimi? Fakti qe ky medemek profesor beson ne legjenda si puna e Katovices tregon me se miri nivelin e moralit te tij dhe te dijeve te tija.
E gjithe puna mesa duket eshte qe do te kete ndonje qejfmbetje me Ramizin dhe na i shfren tani, kur ai ka vdekur dhe nuk replikon dot.
Perse nuk ke reaguar qe ne ate kohe, apo nuk ta mbante bytha?
I mbush ky vend me trima dhe disidente pa pilafit!
Nuk e di sa te verteta jane keto qe thote ky por pushtetin e mbajten me çdo kusht aman deri ne fund. Dhe as qe kursyen as popullin e tyre. Vetem po te pyesesh veten se kush e mbeshteti Sali Berishen per kryetar-president-kryeminister dhe se si u shuajten gradualisht intelektualet dhe oratoret e vertete te shqiperise qe ose u vrane “AKSIDENTALISHT” ose emigruan duke kerkuar azil politik mjafton. Nano-ja lodra e dyte ne anen tjeter duke luajtur rolin e personit per te mbajtur ballancen doli nga burgu dhe u be gati “hero”. Mbase pasi e “binden” edhe ate qe pushteti duhej ruajtur me çdo kusht pasi edhe ai ishte krijesa e tyre. Hir ne syte e popullit ishte. Por te dy keta sharlatane i zhgenjen jeta “modeste” qe bejne. Patriotet tane. Vetem po te shikosh dhe degjosh se ne paelamentin tone kemi deputete me veprimtari kriminale te akuzuar ne ter vendet e botes mjafton te thuash qe pushteti u ruajt me çdo kusht. Vetem te shpresojme se ishte dora e fundit me fuqi maksimale mbi kurizin e popullit dhe se gjenerata e re me se fundi do beje dicka per kete popull.