... ose ndryshe "heronjtë e heshtur". Një ditë nga puna në terren e një zjarrfikësi shqiptar Reportazh Tema Tv/( VIDEO)

1 Gusht 2015, 11:37Sociale TEMA

 

Nga Nertila Dosti

Çdo ditë me rrezikun përkrah, qendrojnë në gadishmëri të ziles së telefonit, që i njofton se duhet të nisin një operacion të ri në ndihmë të qytetarëve. Këta janë zjarrfikësit, heronjtë e heshtur, në vendin ku hapësira mediatike është pushtuar nga të tjerë  “heronj” të mëdhenj, që shërbejnë për ushqimin e ditës.

Zjarrfikësit na vijnë në mend vetëm kur bie zjarr, ose ndodh ndonjë fatkeqësi tjetër natyrore apo aksidente të ndryshme. Atëherë kujtohemi se ata ekzistojnë dhe i kërkojmë me urgjencë.

Madje qëllon shpesh të bëhemi edhe agresiv ndaj tyre, sepse ata nuk vijnë në minutat fiske kur ne na ka rënë halli. Qëllon që zjarrfikësit të përballen shpesh me njerëz të revoltuar, por askush  më vonë nuk ngre shqetësimin se pse ata u vonuan, pse nuk kishin ujë apo çfarë problematikash kanë në punën e tyre.

Televizoni “Tema” ishte në ambientet e Shërbimit zjarrfikës në zonën e 21 Dhjetorit në kryeqytet. Ndërsa bëheshim gati të zhvillonim një intervistë nën komoditetin që ofron kondicioneri i zyrës në këto ditë të nxehta gushti me Drejtuesin e patrullës së shërbimit zjarrfikës Lorenc Hatia, një zë në radio njofton se një zjarr ka rënë diku në kryeqytet.

Mesa duket komoditeti qenka një term i panjohur kur bëhet fjalë për pak çaste qëndrimi në zyrën e një zjarrfikësi.

Ende pa mbaruar njoftimi në radio, vendosim së bashku me efektivët e shërbimit  të shkojmë drejt vendit të ngjarjes.

“Po shkojmë në Rrugën “Jordan Misja” sepse po digjet një banesë. Kjo është dalja e dytë që kemi bërë sot. Aksion i parë ishtë në një tunel afër një lokali, ishte një magazinë e vogël ku digjeshin disa objeke plastike që kishte banesa, arritëm shpejt dhe e neutralizuam zjarrin, por mund të kishte edhe rrezik pasi kishte bombëla” thotë Aleksandri, pjesë e skuadrës së zjarrfikësve.

Në vendngjarje, një banesë në të cilën ka jetuar një familje e komunitetit rom, ishtë përfshirë nga flakët. Terreni i përbërë nga shkure të thata ndikoi që flakët e zjarrit të përhapen me lehtësi në fushën përreth.

“Këtu ndodhemi te rruga “Jordan Misja” ku në këtë ndërtesë të vjetër ka banuar një familje rome, por tani  nuk ka njeri. Thonë që ka qenë e banuar para disa ditësh, aksioni do të zgjasë deri në fikjen e zjarrit, por sa do të zgjasë nuk e dime” thotë gjatë aksionit, Shefi i Patrullës së Shërbimit Zjarrfikës Lorenc Hatia.

Temperaturat e larta, të cilat janë mëse normale për këtë fillim gushti dhe krijimi i një sërë vatrash zjarri në gjtihë vendin , nuk janë të vetmet vështirësi që hasin zjarrfikësit.

Lorenci e cilëson vendin e ngjarjes si zonë të minuar, pasi asnjëher nuk mund të parashikohet se çfarë mund të ndodhë. Shërbimi Zjarrëfikës haset me shumë peripeci për të shkuar drejt “Zonës së minuar”.

“Probleme në Tiranë ka shumë, trafiku, rrugicat e ngushta, parkimi i makinave në lagjet e brendshme të Tiranës që na vështirësojnë punën tonë të përditshme. Vonohemi për të shkuar në vendin e ngjarjes, pasi nuk na japin një adresë të saktë , na japin vetëm zonën por jo numërin të pallatit ose të rrugës dhe ne e kemi shumë të vështirë . Akoma njerëzit nuk janë mësuar me adresat e sakta”, – shprehet Hatia

Shërbimi Zjarrfikës ndërhyn edhe në rastet e fatkeqësive natyrore si tërmetet, përmbytjet, në rast aksidentesh, por shpesh ata vendosen në rrezik edhe për shpëtimin e kafshëve. Hatija na rrefën momentet kur ai dhe kolegët e tij kanë rrezikuar jetën gjatë një operacioni për shpëtimin e një banese.

“Më kujtohet njëher, para disa vitësh ka qënë nata e Vitit të Ri, 31 dhjetor, ku kemi qenë në papafingon e një pallati 11-katësh. Nga fishekzjarret e ndërrimit të viteve papafingoja përfshihet nga flakët e zjarri. Në banesë nuk jetonte njëri dhe jemi detyruar të hipnim nga çatia në katin e 11 , por temepraturat ishin shumë të ulta, ishte shumë ftohtë, uji që ne hidhnim ngrinte dhe u përballëm me një situatë të rrezikshme pasi disa nga ne filluan të shkisnin dhe  kemi shpëtuar njeri-tjetrin , prandaj puna në grup është e rëndësishme”.

Ai tregon se në muajin nëntor të disa viteve më parë, atëherë kur dielli bën luftë të dërgojë dy rreze në tokë dhe kur dimri vjen furishëm me temperatura të ulta, ata kane luftuar me flakët e zjarrit që shkaktonin një nxehtësi më shumë se 700 gradë.

“Kemi qendruar jo me orë, por me ditë në disa aksione. Në Shëngjin kemi qendruar 72 orë dhe në ngjarjen e fabrikës së firmës “Ardeno”  kemi qendruar  48 orë, por janë orë rraskapitëse, të lodhshme sepse nuk lodhemi vetëm fizikisht por kemi të bëjmë edhe me temperatura të larta. Ne jemi detyruar të punojmë në ambientet e brendshme ku temperaturat kanë qenë mbi 700 gradë dhe jemi futur grupe -grupe, ku një grup futej më parë ndërsa grupi tjetër na lagte me ujë që të mos digjeshim dhe ta përfundonim punën sa më shpejt”.

Puna e një zjarrfikësi dhe vështirësitë më të cilat ata përballen nuk mund të kuptohen nëse nuk i shoqëron të paktën njëher në terrenin ku punojnë. Sirena që përhap alarmin se diku rrezikohet jeta e një qytetari apo prona e tij, instiktivisht i largon të gjithë nga vendngjarja për t’i lënë rrugën e lirë zjarrfikësve të vendosen në “Frontin e luftës”. Por jo të gjithë mund ta kryejnë këtë profesion.

“Zjarrfikësi duhet të karakterizohet nga guximi, kurajoja, të punojë në grup dhe mbi të gjita të kenë humanizëm” thekson Lorenc Hatia .

Pavarsisht vështirësive Lorenci është i vendosur se ky do të jetë profesioni që do ta shoqërojë gjatë gjithë jetës. Ndërkohë ai shfaq rezerva sa i përket mungesës së vlerësimit nga qytetarët.

“Asnjehërë nuk kam menduar të heq dorë. Çdo kush nga ne si i vogël ashtu edhe i rritur dëshiron të jetë hero, kërkon të krijojë situata heroi, kur ne kemi mundësi ta tregojmë heroizimin tonë pse ta lëmë këtë punë. Zjarrfikësit nuk respektohen në masen që duhet nga komuniteti. Unë përdor një shprehje, ne respektojmë mjekun që na shpëton jetën,  por zjarrfikësi që na shpëton dhe jetën dhe pronën, se edhe prona është pjesë e jetës së tij, sa duhet të respektohet?

Lorenc Hatija thotë se çdo zjarrfikës është hero i heshtur. Me energjinë dhe guximin që i karakterizon ata janë heronj të ditëve tona. Për zjarrfikësit asnjë ditë nuk ka se si të jetë e njëjtë  me tjetrën , por për çdo ditë synimi mbetet i njejtë: Të shpëtojnë çdo qytetar, apo pronë të tij nga rreziku që i kanoset.

“Jemi heronj të heshtur!  Kështu na quajnë.  Jemi heronj të heshtur, sepse të gjitha heroizmat tona nuk i sheh njeri”, përfundon Lorenci, ndërkohë që flakët e zjarrit në banesën ku shkuam tanimë janë shuar. Takimi ynë i shkurtër përfundon këtu, ndërsa Lorenci nxiton për tek makina e zjarrëfikset. Në zyrë e pret një tjetër thirrje për ndihmë, një tjetër sfidë, një tjetër përpjekje njerëzore për të shpëtuar dikë që është në nevojë.

 

8 komente në “… ose ndryshe “heronjtë e heshtur”. Një ditë nga puna në terren e një zjarrfikësi shqiptar Reportazh Tema Tv/( VIDEO)”

  1. Tema says:

    Zjarrfikës vullnetar. Shikojm pagesën e tyre dhe materialet të mos jen defektoze.

  2. b says:

    Mire e ke ti more shoku, por ne rruge te madhe ke per te perfunduar me nje pension te parakohshem si ushtaraket me 80 euro ne muaj, ne nje kohe qe qent e zoterinjeve qe ti u shpeton jeten dhe pasurine duan vetem per ushqim 200 euro ne muaj.

  3. v.duka says:

    Ja nje nga detyrat e para te Kryetarit Erion Vejiu dhe hologeve te tyre ne te gjitha bashkit e vendit: Risni kujdesin dhe shperblimin e Zarrfikesve ne nivelin e detyrave heroike te tyre.

    Po te me pyesnin une do ta caktoja pagen baze te zjarrefikesve mbi bazen e meritave te cilat te percaktohen:
    -nga aftesit teoriko shkencore, shkollat, kualifikimet e kryera etj.
    -nga aftesit fiziko profesionale te testuara dhe nenvizuara me shkalle apo nivele, mbase dhe me grada si ushtaraket.
    -per cdo emergjence te paguhen me sasi suplementare te caktuara lekesh te cilat te jepen mbi pagen baze duke synuar nje page reale nga me te lartat ne vemdin tone se ata dhe policia jetojne e punojne gjithe jeten ne gjendje lufte per JETE A VDEKJE SI AKTORE TE SKENAVE REALE.
    -DHE TE TJERE stimuj qe duhet t’i gjykojne specialistet e Bashkise qe ne ditet e para te punes.

    Une qe sugjeroj keto mendime nuk jame profesinist dhe aq me shume i interesuar direkt per keto ndryshime, eshte thesht ceshtje vetedijeje prej pensionisti.

    Me respekt. V.Duka.

  4. fenix says:

    ci keni keto lajme kot o tema. ne presim te mesojme se me cfare iku sot veliaj ne zyre, me makine, autobus apo biciklete ju na ushqeni me lajme koti mbi heronj te heshtur. ne s’duam heronj te heshtur e punetore ne duam show politik…

  5. Luan says:

    Mos i ngaterroni termat.
    Te quash zjarrfiksit “heronje te heshtur” eshte njelloj sikur te quash fjala vjen barinjet e fshatit – ndertues , etj.
    Termi heronje te heshtur eshte perdorur per 50 vite ne Shqiperi per bashkepunetoret dhe agjentet e ish sigurimit te shtetit , jo per te gjithe, por per ato qe dhane edhe jeten per atdheun. Dhe keshtu ka zene vend ky emer ne literature, libra, filma. Zjarrfiksi eshte polic i hapur, dinamik, i njohur e aspak i heshtur ! Cjane keto brockulla gazetareske ?!

  6. petrit mesi says:

    mire eshte qe kur trajtohen tema dhe kronika per kete sherbim,te evidentohen specialistet e mire fillte te ketij sherbimi,qe per fat te keq jane shume te pakte dhe me iriu ityre sot eshte te pakten 45 vjec,mbasi keshtu eshte trajtuar ky sherbim keto 25 vjet,qe te vertetoni keto qe po ju them une beni ndonje inter viste me drejtusin me te larte te ketij sherbimi deri ne nivelin baze

  7. Gjin Bue Shpata says:

    Jam shume dakord me komentin e dhen nga zoti Duka ketu.

    Zjarrefikesit jane njerez shume te ndershem dhe jane heronj te pavleresuar nga Shoqeria, ashtu si shume njerez gjate ketyre 25 viteve.

    Bashkia duhet te marri masa dhe duhet qe te zbatoje reformat e hedhura ketu nga zoti Duka, sepse jane te nevojshme,

  8. i huaji says:

    ky eshte zanat human dhe i bekuar nga Zoti ata dhe pasardhsit e tyre,zanat qe paguhet mire ne europ dhe amerik dhe beneficione per ta,por kjo pasqyre e shqiperis tregon fytyren e vertet te cdo shqiptari se sa e ndjen obligim te kontriboj per njerzit e tij dhe vendin e tij,kete ma demonstron edhe shkrimi i nje komentusi qe personifikohet me “B”qe tregon qe ne shqiperi paraja dhe pasuria eshte me vlefshme qe te arrihet ne cdo menyre edhe no qofte se duhet shkatrru njerzit dhe vendi duke ju bere deme veq qe te arrijn ne para,por te ishit me te mire edhe zjarrfiksit do kishin pune me pak se sdo kishte piroman qe vejn zjarre qe jane te djallzuar per interesa djallzore,por nuk do keni ardhmeri ne racen humane ne kete menyre

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje