U ndave nga tufa, të ha … ligji!

9 Gusht 2015, 19:45Blog TEMA

Nga Prof. As. Dr. Artan Xh. Duka

 

Premtimet për reforma gjithmonë merren me rezerva dhe ato “Rama” të kësaj vjeshte nuk bëjnë përjashtim. 25 vjet nuk janë pak për të mos qënë dyshues. Deri më tani ato ose kanë mbetur në letër, ose janë deformuar e krijuar problematika shtesë duke marrë peng vetë zhvillimin sikundër ndodhi me reformën për pronën, ligjin zgjedhor, presidentin etj. Urojmë të gabohemi njëherë.

Burrë shteti …  me shokë shumë!

Reformat kërkojnë atë lloj politikani që ngulmon me to pavarësisht kostos elektorale (për ironi një burrë shteti nuk është çudi që të humbë zgjedhjet e rradhës për shkak të efekteve afatshkurtëra të reformës) dhe që fatin nuk e lidh me sediljen e kryeministrit por me “vulën” e historisë.

Në këtë kontekst, Rama ka një “mur” të lartë përpara. Jo vetëm paragjykimin e stazhonuar publik si inerci e tranzicionit (politika gjithmonë ka zhgënjyer) por dhe dilemat rreth integritetit të ekipit të tij. Presioni anti-reformë do të jetë i madh (një reformë në drejtësi fjala vjen prish statukuonë e një kaste të gjërë politikanësh dhe VIP-ash të përfolur për abuzim) ndaj vendimtar mbetet ekipi që i ndërmerr ato. Për më tepër kur në kushtet e “listave” të ligjit zgjedhor, profilet politike zgjojnë hamëndjesira teksa karrierat janë fryt i klientelizmit apo afërsisë me liderin (sesa meritë dhe “sitje” para votuesit), me efekt kjo në integritetin, pavarësinë e përgjegjshmërinë e politikanit ndaj interesit publik.

Reforma e … reforma

Deri tani, Rama dhe ekipi i tij kanë dëshmuar se kur e ndajnë mëndjen për të reformuar apo vënë dorë mbi kaosin, i hyjnë punës pa ngurrim – pagesat për konsumin elektrik, zhbërja e “oazeve” të drogës, shtesat pa leje, zbatimi i kodit rrugor, “zbardhja” e pronës informale etj. Mjaft prej fushatave kanë në patur në fokus mirëfilltazi qytetarin dhe raportin korrekt me ligjin (pagesat e elektrikut, kodi rrugor etj). Inkurajuese kjo teksa dëshmon se mazhoranca, përmbi interesin elektoral, zgjodhi zbatimin e ligjit ndonse paradokset nuk mungojnë p.sh. legalizimi i pronës informale në shpërfillje të pronarit të ligjshëm, aq sa dëshmon vullnet për t’i dhënë fund agonisë sociale shumëvjeçare dhe stimuluar tregun e pronës, po aq nuk shmang përshtypjen e përfitimit të rradhës elektoral.

Ndërkohë, me reformat e pritshme të vjeshtës, preken direkt interesat e vetë elitës së tranzicionit. Reformat do të hasin pashmangshmërisht rezistencë nga brënda sistemit (“hara-kiri” politike për syresh!) duke u komplikuar me saga gjyqësore dhe spekullime “persekutimi” ndaj opozitës ndaj të cilave perëndimi shfaq ndjeshmëri. Për më tepër kur vetë mazhoranca nuk është e imunizuar nga abuzimi.

Reformat kanë hierarkinë e tyre. Disa i paraprijnë të tjerave duke qënë garanci për to. Ajo nëdrejtësi, së bashku me reformën e pronës dhe atë zgjedhore, mbeten premisat kryesore për normalitet demokratik . Elita e tranzicionit është përfolur vazhdimisht për një sërë ngjarjesh me fajtorin ende anonim –piramidat, 97 dhe anarkia që pasoi, sulmet ndaj institucioneve, abuzimet me buxhetin, vrasjet në bulevard, Gërdeci, shitja e detit, vjedhjet elektorale etj dhe drejtësia është pritshmëria kryesore në publik. Reforma në drejtësi do të nxirrte “shejtanin” nga shishja dhe askush në “Olimpin” e politikës nuk do të ndjehej më i sigurtë paskëtaj dhe brezi i ri politik do të gjente më në fund konsensusin e dëshiruar historik për serinë e reformave më pas.

Drejtësi ndaj “tufave”

Sa kohë askush nuk i friksohet drejtësisë sipas motos “mos u ndaj nga tufa se të ha ligji”, shpresa për nomalitet demokratik mbetet ende e vakët në vënd. Shëmtia e abuzimit alla “turmë” nga vjedhjet e magazinave e fabrikave pas 90, sulmet ndaj depove të armëve, zaptimi i tokës së tjetrit apo saj publike, mospagesat e faturave dhe shpërdorimi i shërbimeve utilitare, mbjellja “fshatçe” e kanabisit, shtesat arbitrare e zaptimi i hapësirës publike, “tarifat” e rryshfetit etj vese të tranzicionit nuk janë veçse inerci e abuzimit “kolektiv” të politikës lart nga VKM e fashme apo ligjet klienteliste që legalizojnë apo imunizojnë abuzimin ekstrem etj. Abuzuesit ndjehen rehat(!) se kanë abuzuar në turmë dhe përgjegjësia është “kolegjiale” (njëlloj sikur një bandë hajdutësh të shpalleshin të pafajshëm sepse grabitën në “kolektiv”!).

Reformat do të kenë duk vetëm nëse vihet drejtësi ndaj abuzimit elitar. Ndryshe, “fara” e mirë me “ferra” nëpër këmbë nuk zë dhe demokracia mbetet nën mëshirën e “baticë-zbaticave” të  “pusetave” të llumit të korrupsionit elitar. Nëse mundëson drejtësi, mazhoranca do të krijonte precedentin se abuzimi nuk harrohet si paralajmërim ky për çdo pushtetar të sotëm apo së nesërmes në vënd.

Historia nuk shkon e vjen

Nëse për Ramën vlen më shumë demokracia dhe shteti ligjor sesa fitorja në 2017, shansin e ka në derë. Kryeministrat shkojnë e vinë por historia bëhet veç një herë. Për të mos thënë, që me shumë gjasa, zhbërja e paragjykimit tek publiku se politika është mbi ligjin dhe “korbi korbit nuk ia nxjerr sytë”, mund të bënte që bashkë me bërjen e historisë, Rama të mund të mbante edhe për katër vjet më pas edhe stolin e kryeministrit (nuk do të ishte lajm sepse sa kohë votuesi fillon e nuhat “era” shtet, vota vjen vetvetiu).

Urojmë që për hir të normalitetit demokratik në dobi të gjithkujt por dhe vetë ambicjes historike të tij, Rama të ketë bërë pa mëdyshje zgjedhjen e duhur. Mes reformave reale (që për ironi mund t’a largojnë nga pushteti) dhe pseudoreformave që konsolidojnë pushtet kulisash, zgjasin agoninë e tranzicionit por garantojnë “biletën” e turpit historik. Mbështetjen publike e ka, të perëndimit gjithashtu. Mbetet veç t’i bëjë një “rreshtore” të fundit ekipit të tij duke i blerë mëndjen “si e ke syrin” gjithkujt sepse fundi-fundit nga listat vinë dhe se jo rrallë i pari që fut shkopinj nën rrota është i “joti” apo aleati me shumë dritë-hije. Shansin për të bërë histori, kryeministri bën mirë të mos e marrë të mirëqënë.

4 komente në “U ndave nga tufa, të ha … ligji!”

  1. semanjaku says:

    Shkrim per mua I qelluar por titulli mund te ishte ndryshe. NQS kryeministri e lexon eshte e domozdoshme te reflektoje. Karriget nuk levizin,,njerezit qe ulen ne to po,,,,varet nga ai qe ulet ne ate karrike per tu vleresuar se sfare I solli popullit te vet,,,Rama I ka shanset dhe mundesit te beje ate kthese qe presim te gjithe.

    1. niku says:

      Ai qe beson te politikanet shqiptar se do bejen politika ekonomike e shoqerore ne favor te tyre, thjeshte jeton me ilizione, me naivitet.Menyra qe vendi te ece perpara dhe jo mbarapa eshte vetem protektoriati nderkombetar, ose bashkimi vullnetar me ndonje vend tjeter, psh me Italine Imagjinoni per nje moment sikur Italia ne luften e dyte boterore ta kishte aneksuar shqiperine, shqiptaret sote do ishin shume me te lumtur, te pakten do jetonin si njerz europian dhe italia do kishte bashkuar brenda teritorit te saj te gjithe trevat e hapesirat shqiptare dhe shqiptaret nuk do te shtypeshin e poshtroheshin deri ne kete fare feje si tani nga bllokmenet e rinje.

  2. një lexues i temës says:

    Së pari i gëzofsh titujt shkencorë,i ri dukesh dhe për nja dy a tri vjet të tjera ke për ti marrë edhe nja tre të tjerë.Sa për reformat po të kujtoj një shprehje të popullit:”Nuk bëhet bina e re me qereste të vjetër”,e thënë ndryshe për më të rinjtë,nuk mund të ndërtosh një godinë të re me material ndërtimi të vjetër,nuk mund të bëjnë reformë politike për një politikë të ndershme e produktive politikanë hajdutë,kriminelë e pa moral,nuk mund të bëjnë reformë në drejtësi gjykatës të pa fe,pa ndjenja,pa moral e pa përgjegjshmëri për ato që bëjnë.Që të ndodhin të gjitha këto duhen shporrur pjesa më e madhe e politikhajnëve,dhe atyre që shesin drejtësi.Personalisht mendoj se duhet të kthehemi në një lloj protektorati i një prej shteteve europiane.Ky vënd i mallkuar edhe mund të bëhet po qe se qeverisemi të paktën përkohësisht nga të huajt.

  3. realisti says:

    Demokracia, nje stil jetese, menyre organizimi i mardhenieve ne grup A mund te fuksionoje ne mentalitetin shqiptar? Tradita shqiptare historike nuk na inkurajon te besojme se e kemi ushtruar ndonjehere kete stil te organizimit shoqeror Historikisht kemi mbijetuar duke u mbeshtetur jo tek ligji por tek fisi. Stili jone i jeteses mentaliteti jone pranon udheheqjen te parit te fisit. I pari i partise i di tegjtha dhe nuk kuptojme se rrespektimi i rregullave pra i ligjit garanton sistemin dhe jo i pari i fisit dhe deshira e tije personale. Prandaj nuk eshte per tu habitur qe te githe shqiptaret kur vijne ne pushtet fillojn e sillen si mbreter.Kurse shqiptaret qe nuk jane ne pushtet ndjehen me te sigurt jo kur kane te drejte ligjore por kur i ka me sy te mire kryetari i fisit Nuk e kemi brendesuar psikologjikisht demokracine. Nuk na ngroh demokracia. Per momentin

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje