Porto-Napoli, shkëlqen Elseid Hysaj

9 Gusht 2015, 16:20Sport TEMA

Elseid Hysaj vazhdon të shkëlqejë në mini-turin europian të Napolit, përpara startit të sezonit të ri në Serinë A.

Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare u aktivizua si titullar në miqësoren ku italianët barazuan 0-0 përballë Portos, në “Estadio do Dragao”. Trajneri Maurizio Sarri e rreshtoi 21-vjeçarin në krahun e majtë të mbrojtjes dhe Hysaj nuk i zhgënjeu pritshmëritë.

Kuqeziu ishte mes tre futbollistëve që spikatën në këtë miqësore, sipas vlerësimit të gazetës “Corriere dello Sport”. Elseid Hysaj u vlerësua për paraqitjen e bërë, si një prej më të mirëve në fushë, përkrah Mirko Valdifiori dhe portierit Pepe Reina.

“Mbulon krahun e majtë dhe lë pak hapësira, për të mos thënë aspak. Është i kujdesshëm në aksionet diagonale dhe në fazën mbrojtëse”, shkruante e përditshmja sportive italiane.

Mes zhgënjimeve të mbrëmjes ishin kapiteni Hamsik dhe dyshja sulmuese e përbërë nga Mertens e Gabbiadini. Me paraqitjet në ndeshjet testuese, Hysaj duket se ka siguruar besimin e stafit teknik dhe do ta nisë sezonin e ri te Napoli në formacionin titullar.

Klubi i Serisë A pagoi 5 milionë Euro për ta transferuar kuqeziun nga Empoli, ndërsa një plus është fakti se Hysaj mund të shfrytëzohet si “xhol” në të dy krahët e mbrojtjes.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje