Certifikohet rezultati i 21 Qershorit/Luzi: Zgjedhjet me standarde, procesi i lirë

10 Gusht 2015, 12:59Politika TEMA

Zgjedhje me standarde, proces i lirë dhe gjithëpërfshirës. Kështu u shpreh Kryetarja e KQZ-së Lefterie Luzi në një konferencë për mediat, ndërsa KQZ certifikoi rezultatin e zgjedhjeve vendore të 21 Qershorit.

Duke vlerësuar punën e KQZ për garantimin e standardeve, Luzi theksoi se procesi u realizua me hartën e re territoriale dhe me ndryshimet në Kodin Zgjedhor vetëm pak ditë përpara datës së zgjedhjeve.

Por sipassaj, KQZ arriti të krijonte infrastrukturën e nevojshme zgjedhore, përgatitore dhe funksionale, për garantimin e integritetit të procesit të lirë, të ndershëm dhe të pavarur zgjedhor.

Sipas saj, KQZ përgatiti në kohë bazën nënligjore, u miratuan 5 akte me karakter normativ rregullues dhe 964 akte të tjera nënligjore.  Gjithashtu, Luzi vlerësoi punën e bërë për KZAZ-të.

“U konstituuan në kohë rekord (brenda një dite) të 90 Komisionet e Zonave të Administrimit Zgjedhor dhe në përputhje të plotë me Kodin Zgjedhor. KQZ me procedura korreke, me transparencë dhe brenda afateve kohore ligjore  regjistroi si subjekte zgjedhore 63 parti politike, nga të cilat 9 parti politike konkuruan më vete jashtë 2 koalicioneve zgjedhore të regjistruara për këto zgjedhje”.

Sipas saj, u regjistruan kandidatët për kryetar bashkie për çdo zonë zgjedhore, dhe listat shumemërore për anëtarë në Këshillat Bashkiak, të paraqitura nga subjektet zgjedhore (parti politike) apo kandidat të mbështetur nga zgjedhësit për për 61 bashkitë.

“Në funksion të zgjedhjeve të 21 qershorit Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, realizoi me sukses 4 projektet elektronike, duke rritur informacionin dhe transparencën për publikun, median dhe subjekteve zgjedhore, që garuan në zgjedhjet vendore”, tha Luzi.

Në lidhje me numërimin, Luzi tha se risi për këto zgjedhje ishte që në rezultatin paraprak të dhënë nga KQZ, njëherazi jepej dhe shpërndarja e mandateve për çdo zonë zgjedhore, mbi bazën e rezultateve të nxjerra nga çdo qendër votimi e përfshirë në juridiksionin e KZAZ-ve përkatëse.

Luzi u shpreh se në KQZ u paraqitën gjithsej 115 kërkesa ankimore, nga këto 23 parazgjedhore dhe 92 kërkesa ankimore paszgjedhore. Ajo bëri të ditur se kundër vendimeve të KQZ-së, janë bërë në Kolegjin Zgjedhor 20 ankime parazgjedhore dhe 20 ankime pas datës së zgjedhjeve. Kolegji Zgjedhor, tha Luzi, ka pranuar 9 kërkesa ankimore dhe ka vendosur ndryshimin e vendimit të KQZ-së, ka rrëzuar 25 kërkesa ankimore dhe ka lënë në fuqi vendimin e KQZ-së, si dhe ka pushuar 6 ankimime.

KQZ miratoi me 7 vota pro projekt-vendimin për shpalljen e rezultatit zyrtar. Por në një tjetër vendim gjatë mbledhjes së sotme, KQZ ka vendosur që t’iu japë para shtesë 15 partive të cilat kanë marrë më tepër vota nga pritshmëria. Gjithashtu për shkak të rezultatit të dobët, KQZ u ka kërkuar 46 partive të tjera që të kthejnë paratë mbrapsht brenda 30 shtatorit të këtij viti.

Përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste Genci Gjoncaj deklaroi se qeveria arriti të përmbushë detyrimet e saj në zgjedhjet e 21 qershorit. Sipas tij, mazhoranca nuk ushtroi presion dhe trysni politike mbi KQZ e institucionet e tjera, por ka shënuar një standard të ri. Gjoncaj tha se këto ishin zgjedhjet më të mira.

 “Mazhoranca nuk ushtroi asnjë trysni politike mbi KQZ, fakti që KQZ punoni në mënyrë korrekte pa cenuar mandatin e anëtarëve tregoi qartë interesin e kësaj mazhorancë për të mos kapur institucionet, për të mos bërë trysni mbi to. Respektimin e kodit, përgjegjëshmërinë për përgatitjen e listave zgjedhore, në funksion të mbarëvajtjes së zgjedhjeve qeveria ka përmbushur standardet. Bëri transparencë për dhënien e informacineve të shoqërisë civile. Për herë të parë u dha akses i pakufizuar ndaj auditëve të KQZ në drejtoritë e përgjithshme të gjendjes civile, gjë që më parë ishte e palejuar me motivacionin e mbrojtjes së shtetasve. Transparenca më listat zgjedhore është vendosja e një standardi të ri, përbën garanci për zgjedhejt e ardhshme”, tha Gjonçaj.

Por, përfaqësuesi ligjor i PD-së Njazi Kosovrasti i quajti deklarata politike ato të zotit Gjonçaj që nuk kanë lidhje me rendi e ditës.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje