Çfarë i duhet Greqisë për të përparuar

20 Gusht 2015, 12:24Blog TEMA

Nga Edmund S. Phelps      

Shumë ekonomistë janë duke e shpërfillur idenë moderne që përparimi i një shteti varet nga novacioni dhe ndërmarrësia. Ata mbështesin qëndrimin mekanik se përparimi është i lidhur me punësimin dhe se punësimi përcaktohet nga “kërkesa” – shpenzimet qeveritare, konsumi në amvisëritë dhe kërkesat për investime.

Sa i përket Greqisë, këta ekonomistë argumentojnë se ndryshimi i politikës fiskale në “masë shtrënguese” – një sektor më i vogël publik – ka sjellë një rënie akute të kërkesës dhe rrjedhimisht edhe depresion. Por ky pretendim paraqet keqinterpretim të historisë dhe ekzagjeron ndikimin e shpenzimeve qeveritare.

Pjesa dërrmuese e rënies në punësim në Greqi ka ndodhur para shkurtimeve drastike të shpenzimeve, midis viteve 2012 dhe 2014 – pa dyshim si rezultat i rënies së besimit te Qeveria. Shpenzimet qeveritare greke ishin rritur brenda një çereku në rreth 13.5 miliardë dollarë (14.8 miliardë dollarë) më 2009-2012, para se të binin në afërsisht 9.6 miliardë euro më 2014-2015.

Megjithatë, numri i atyre që kishin vende pune mbërritën kulmin në 4.5 milionë gjatë viteve 2006-2009, para se të binin në 3.5 milionë më 2012. Në kohën kur Greqia nisi shkurtimet buxhetore, norma e papunësisë – 9.6 për qind e fuqisë punëtore më 2009 – tashmë ishte rritur në nivelin prej 25.5 për qind, afërsisht sa është edhe sot.
Këto gjetje nuk përkojnë me hipotezën se “shtrëngimet” e kanë sjellë Greqinë në gjendjen e rëndë, në të cilën ndodhet sot.

Ato tregojnë se ndërprerja e shpenzimeve të larta nga Greqia, e viteve 2008-2013, nuk është shkaktare e papunësisë së madhe sot.

Një gjetje tjetër po ashtu hedh dyshime rreth asaj nëse masat shtrënguese njëmend iu imponuan Greqisë. Shpenzimet qeveritare njëmend kanë rënë – por vetëm në nivelin në të cilin kanë qenë: 9.6 miliard në çerekun e parë këtij viti, shumë kjo më e lartë, sesa shpenzimet e vitit 2003. Pra, shumë gjëra lidhur me masat shtrënguese duken të jenë të gabuara. Greqia nuk është larguar nga politikat e veta të kaluara fiskale; ajo u është kthyer atyre.
Pasuesit e “shkollës së kërkesës” mund të përgjigjen se pa marrë parasysh se a ka, apo jo, masa shtrënguese fiskale sot, shpenzimet e rritura qeveritare (natyrisht të financuara përmes borxheve) do t’i jepnin shtytje të përhershme punësimit.

Por përvojat e mëparshme në Greqi e flasin të kundërtën. Rritja e madhe e shpenzimeve qeveritare prej 2006-s, në periudhën 2009-2013 rezultoi me rritje në punësim, por kjo rritje nuk ishte e qëndrueshme.

Problemi i vetëm këtu është se Qeveria do të duhet të lëshojë obligacione, për të financuar shpenzimet shtesë të veta. Duke supozuar se ka një kufi të gatishmërisë së investitorëve të huaj për t’i blerë këto obligacione, grekët do të duhet t’i blejnë ato. Në një ekonomi të papërgatitur për rritje, pasuria tek amvisëritë në raport me pagat do të rritej dhe oferta e punës do të ulej, duke shkaktuar tkurrjen e punësimit.

Pra rritja e shpenzimeve nuk është kurë për problemet e Greqisë, njëjtë sikur që ulja e shpenzimeve nuk ishte shkaku. Cila është zgjidhja, atëherë? Asnjë formë e ristrukturimit të borxhit, madje edhe shlyerja e borxhit, nuk do të mjaftojnë për ta arritur mirëqenien (në formën e papunësisë së ulët). Masat e tilla vetëm sa do të kontribuojnë në rritjen e shpenzimeve qeveritare në Greqi.

Atëherë korporatizmi i kësaj ekonomie – klientelizmi dhe nepotizmi në sektorin publik, interesat e ndërthurura dhe elitat e sektorit privat – do të fuqizohet edhe më shumë. E majta evropiane mund ta mbështesë një gjë të tillë, por ajo zor se do të ishte në interesin e Evropës.

Zgjidhja qëndron te reformat e duhura strukturore. Pa marrë parasysh nëse reformat e kërkuara nga anëtarët e eurozonës rrisin mundësinë e kthimit të huave të tyre, këta huadhënës kanë interesa politike dhe ekonomike në mbijetesën dhe zhvillimin e unionit monetar. Ata po ashtu duhet të jenë të gatshëm ta ndihmojnë Greqinë për bërjen e ndryshimeve të domosdoshme.

Por është vetë Greqia ajo që duhet të vihet në krye të këtyre reformave. Po ashtu, ka sinjale inkurajuese se kryeministri Alexis Tsipras është i gatshëm të merret me atë kauzë. Por ai duhet që të jetë i vetëdijshëm për reformat e kërkuara. Greqia duhet t’i eliminojë rendin korporatist dhe praktikat që kanë penguar novacionet dhe ndërmarrësinë.

(Autori, laureat i Nobelit të Ekonomisë më 2006, është drejtor i Qendrës për Kapitalizëm dhe Shoqëri në Universitetin e Columbias. Vështrimi është shkruar për rrjetin e gazetarisë botërore “Project Syndicate”, pjesë e të cilit është edhe “Koha Ditore”.)

1 komente në “Çfarë i duhet Greqisë për të përparuar”

  1. EleΥΘeriskeΨi (1) says:

    Ta lini te gjithe ju te qete!! Kjo i duhet Greqis!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje