“Organizimi për mosndërprerjen e shërbimeve për qytetarët ka ecur më së miri. Standardet që do të vendosen janë unike për të gjithë Bashkinë e Tiranës; si banori i Zall-Herrit, ashtu edhe ai i njësive në qytet do të marrin të njëjtat shërbime”, deklaroi Andi Seferi, nënkryetari i bashkisë së Tiranës gjatë prezantimit në Zall Her të administratority të ri të Bashkisë Arben Maloku.
Promovimi i produkteve të zonës dhe organizimi i festave lokale janë prioritet i Bashkisë së Tiranës për ta shndërruar Zall-Herrin në një destinacion tërheqës, jo vetëm për qytetarët, por edhe për sipërmarrësit që duan të investojnë në bujqësi e blegtori. Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, ishte sot në Zall-Herr ku prezantoi administratorin e ri, Arben Maloku, is dhe nënvizoi rëndësinë e promovimit të produkteve bujqësore vendase, si një mënyrë për t’i dhënë më shumë vëmendje kësaj zone të re të Tiranës.
“Produktet e zonës do të dalin në pah përmes festave lokale, të cilat do të kthehen në një traditë promovimi produktesh bujqësore. Qytetarët e Tiranës duhet ta dinë se Zall-Herri është një nga furnizuesit më të rëndësishëm dhe të sigurt për produkte si ulliri, vaji, mjalti apo qumështi”, tha Seferi. Sipas tij, Bashkia e Tiranës është e përkushtuar për ta kthyer Zall-Herrin, por edhe zonat e tjera periferike të kryeqytetit, në vende ku promovohen produktet shqiptare.
“Bashkia e Tiranës do të ashpërsojë masat për individët që abuzojnë me hapësirat publike, që ndotin ambientin, apo pasuritë që keni rreth e rrotull”, tha Dalipi. Në fund të këtij prezantimi, Kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës ftoi banorët e Zall-Herrit që t’i bashkohen aksionit për pastrimin e Tiranës më 4 shtator.