Ditët e Karim Benzema në Madrid duket se janë të numëruara. Sipas tabloidit “Daily Star”, sulmuesi francez dëshiron të nisë një aventurë të re në Londër me skuadrën e Arsenalit ku Arsene Wenger është i gatshëm të paguajë 60 milionë Euro për ta transferuar në “Fly Emirates”. Klubi londinez pret një përgjigje brenda ditëve të ardhshme, por të gjitha gjasat janë që Benzema të bashkohet me trajnerin Wenger për të kompletuar repartin e sulmit të “Topçinjve”.
Benzema ka shënuar 88 gola në 188 ndeshje të La Ligas, por ai nuk e gjen më veten në sulmin “merengues” ku Cristiano Ronaldo e Bale mbeten zgjedhje të para ndërsa i riu Jese ka hedhur kandidaturën për një vend titullari. “Daily Star” citon burime zyrtare nga klubi spanjoll, sipas të cilave, Arsenali e ka bërë ofertën zyrtare, por Arsene Wenger i trembet rritjes së çmimit nga ana e Manchester United në momentet e fundit. Aktualisht, Wenger ka në dispozicion vetëm një qëndërsulmues. Ai është 28-vjeçari Olivier Giroud, i cili nuk ka arritur ta bindë ende trajnerin francez që duket se e ka humbur besimin te aftësitë e tij. Në tre sezone me fanellën e “Topçinjve”, ish bomberi i Montpellier ka arritur të shënojë vetëm 44 gola.